2022-05-29 

Ndikimi social përmes shërbimeve gjithëpërfshirëse
Përpiluar nga: Vlladimir Zhivkoviq, Këshilltar për zhvillim gjithëpërfshirës
Example of pastry training available for all communities in Kosovo
Mund të konstatohet se ndryshimi sistemik përmban tri veçori kryesore: ndikimin, qëndrueshmërinë dhe përshkallëzimin. Megjithatë, nuk mund të bëhet fjalë për veçorinë e dytë dhe të tretë nëse e anashkalojmë të parën; apo mos ndoshta ka gjasa të shfaqet ndikimi nëse i shpërfillim kufizimet me të cilat përballen grupet e ndryshme sociale, për shembull: qasja në informacion dhe shërbime, normat sociale ose besueshmëria midis ofruesve të trajnimit dhe kursistëve potencialë?
Projekti Rritja e Punësimit për të Rinj (EYE) ka fasilituar me sukses themelimin e qendrave të ndryshme të trajnimit joformal në Kosovë, të cilat janë duke u ndihmuar të rinjve t’i ngrisin shkathtësitë e tyre dhe të punësohen më lehtë. Mirëpo, shumica e ofruesve të trajnimit dhe të ndërmjetësimit për punësim në Kosovë nuk i përfshijnë të rinjtë nga komunitetet jo-shumicë, ose me fjalë të tjera, të rinjtë nga këto komunitete nuk kanë qasje në trajnim dhe punësim.
EYE aplikon një qasje specifike gjinore, për shembull përmes përzgjedhjes sektoriale, në mënyrë që më shumë femra të kenë qasje në mundësitë e trajnimit, megjithatë, përmes këtij artikulli ne jemi përqendruar në përfshirjen sociale. Një nga arsyet pse komunitetet jo-shumicë në Kosovë nuk kanë qasje në mundësi trajnimi është se ofruesit e trajnimit jo-formal kryesisht veprojnë në gjuhën shqipe. Pra, të rinjtë nga grupet jo-shumicë që nuk e flasin gjuhën shqipe nuk janë të informuar rreth trajnimeve të ofruara, por a kemi të bëjmë vetëm me pengesat gjuhësore? Ky artikull paraqet disa vështrime nga përvoja e fundit me Qendrën e Inovacionit Korabi, e cila ofron trajnime për pastiçeri.
Analiza është baza për veprim
Veprimi duhet të bazohet në një kuptim thelbësor të rrethanave, teksa veprimet do të ndryshojnë në mënyrë të pashmangshme varësisht nga situata. Hapi i parë i EYE-it në fasilitimin e Qendrës së Inovacionit Korabi që të ofrojë kurse të pastiçerisë për të rinjtë serbfolës ishte të shtronte pyetje, të dëgjonte dhe të reflektonte. Pas marrjes parasysh se çfarë i pengonte njerëzit të regjistroheshin në trajnime, faktori i parë që u identifikua ishte fakti se të rinjtë nuk dëshironin të paguanin për këtë shërbim. A është vërtetë kështu dhe a është ky i vetmi problem? Hulumtimi ynë i fundit vuri në dukje se ekzistojnë kufizime të tjera që ofruesit e trajnimit duhet t’i marrin në konsideratë.
Hapi i parë: Përmirësimi i qasjes në informacion
Hulumtimi i EYE nxori në pah se shumica e ofruesve të trajnimit supozojnë se nëse shënjestrojnë gjithkë do të kenë qasje tek të gjithë ata/ato. Por kjo është larg nga e vërteta. EYE e ndihmoi Qendrën e Inovacionit Korabi që të promovojë më mirë trajnimet jo vetëm në gjuhën shqipe por edhe në atë serbe. Kjo ishte e domosdoshme, por prapë e pamjaftueshme për ndikim social para hapave të ardhshëm.
Për ta përmirësuar qasjen në informacion rreth mundësive të punësimit dhe të trajnimit në gjuhën serbe, EYE ndihmoi ndërlidhjen e Qendrës Korabi me Media Center, e cila shkëmbeu informacionin me mediat relevante dhe përmes portalit të tyre për ndërmjetësim në punësim www.posaonakosovu.org. “Për herë të parë dëgjova për këtë trajnim për pastiçeri përmes portalit “Posao na Kosovu”. Kjo tërhoqi vëmendjen dhe ngriti vetëdijen time se diçka e tillë ekziston, por kurrë nuk mendoja se ishte destinuar për mua. Pasi që veçse përgatisja ëmbëlsira në kuadër të biznesit tim ku punoja me orar të shkurtuar, u ftova për trajnim nga shoqata lokale e femrave në biznes ‘Avenue’ dhe jam shumë e lumtur që mora pjesë në këtë trajnim.” – theksoi Dragana Marinkoviq.
Përballja me normat sociale
“Kur e kam parë thirrjen për këtë trajnim, isha e sigurt se do të ishte e dobishme për mua dhe biznesin tim, por për shkak të detyrimeve të tjera nuk isha e sigurt nëse ia vlente të shpenzoja kohën dhe paratë. U përpoqa ta telefonoja ofruesin e trajnimit për më shumë informacione, por nuk mundëm ta kuptonim mirë njëri-tjetrin”. – tha Goga Millosheviq.
Njerëzit nga komunitetet jo-shumicë kanë përvoja dhe jetojnë me norma sociale të cilat ulin vetëbesimin, shtojnë dyshimet dhe dëmtojnë besueshmërinë. Prandaj, ofruesit e trajnimeve duhet të gjejnë mënyra për të kundërvepruar ndaj kësaj çështjeje.
Hulumtimi i EYE-it vuri në dukje se të rinjtë dhe femrat nga komunitetet jo-shumicë nuk i besojnë cilësisë së trajnimeve të ofruara në Kosovë dhe nuk janë të informuar/a se këto mundësi mund t’u sigurojnë atyre vende të reja të punës ose punësim më të mirë. EYE ka organizuar një seancë informative në njërën ndër qendrat e trajnimit në mënyrë që njerëzit e interesuar të mund të shohin se si duket kjo në praktikë. Në seancën informative u ftuan edhe organizatat përkatëse jo-qeveritare rinore dhe ato që drejtohen nga femrat. Kështu, në këtë rast, Qendra e Trajnimit Korabi ofronte trajnime për pastiçeri dhe disa nga vizitorët e rinj ishin mjaft skeptikë: "Kjo është aq qesharake që dikush duhet të mësojë për të përgatitur ëmbëlsira – po këtë të gjithë e dinë". Megjithatë, znj.Gordana Gjoriq nga OJQ-ja “Businesswomen Association Avenue” potencoi: “Edhe nëse vizitorët nuk vendosin të regjistrohen në trajnime, ju veçse e keni bërë ndryshimin e rëndësishëm, sepse tani të gjitha femrat që kanë ardhur këtu dhe të cilat janë vërtetë të interesuara për pastiçeri e dinë ku mund të blejnë lëndën e parë për ëmbëlsira dhe produkte të tjera. Na sollët në një vend për të cilin kishim nevojë ta dinim”. E pikërisht siç tha ajo, ofruesi i trajnimit Korabi, i cili organizoi seancën informative, është njëri ndër furnizuesit kryesorë të materialeve cilësore në industrinë e pastiçerisë dhe furnizimit ushqimor.
Njerëzit nga komunitetet jo-shumicë nuk besojnë tek cilësia e trajnimeve dhe nuk mendojnë se kjo do t’u sigurojë atyre punë. Vesa Batali nga organizata jonë partnere Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve (VoRAE) theksoi “Në fillim ishte e vështirë për neve që të identifikonim personat të cilët do të merrnin pjesë. Pastaj, individët nga grupi ynë i shënjestruar kanë pasur përvoja të hidhura në të kaluarën, pra ishin të lodhur dhe të zhgënjyer për të provuar diçka të re”. Konsideratë të ngjashme kemi dëgjuar edhe prej partnerit tonë nga Qendra e Inovacionit Graçanica, e cila kryesisht punon me të rinjtë serbë: “Shumica e të rinjve që i kemi në focus nuk janë aq të motivuar për të marrë pjesë në trajnime, sepse ata nuk kanë shumë mundësi të shohin njerëz të tjerë që kanë pasur sukses në këtë aspect Ato raste të suksesshme nuk janë të dukshme; tashmë gjenden jashtë vendit ose shikojnë punët e tyre” – tha Aleksandar Blagiq nga Qendra e Inovacionit Graçanica. "Kemi nevojë për më shumë shembuj të veprimeve dhe histori të suksesit nga të cilat do të ishim frymëzuar.”
Kur vlerësimi i EYE nxori në pah se ekzistojnë të rinjtë që janë të gatshëm, por janë në mëdyshje për të paguar ose provuar trajnimet, EYE vendosi të subvencionojë koston e grupit të parë. Ofruesi i trajnimit gjithashtu u pajtua që të ofrojë zbritje për trajnim, gjë që ishte shenjë e mirë e përkushtimit të tyre ndaj kësaj mundësie të tregut. Pavarësisht kostos më të ulët të trajnimit, joshja e pjesëmarrësve për grupin e parë ishte e vështirë. Atëherë, si arritëm të identifikonim kursistët e interesuar?
Në rradhë të parë të fillohet me pjesëmarrësit që janë të motivuar
EYE, me angazhimin e OJQ-ve, të tilla si 'Avenue' dhe të tjerave si Organizata Turistike e Graçanicës (TOG), përzgjodhi femrat e interesuara për pastiçeri që të marrin pjesë në trajnim. Sandra Gjokiq, Drejtoreshë Ekzekutive e TOG theksoi: “Mandati ynë si organizatë turistike është të ngrisim standardet në sektorin e furnizimit me ushqim dhe në atë të hotelerisë në komunën tonë. Ky lloj i mundësive ku të rinjtë, përfshirë femrat, mund të përfitojnë nga trajnimi dhe pastaj t’i aplikojnë shkathtësitë e tyre në bizneset e veta ose në restorantet dhe bizneset lokale paraqet ndikim të madh për komunitetin tonë, jo vetëm për shkak të mundësive të punësimit të tyre, por edhe për shkak të potencialit tonë turistik.”.
Përshtatja e shërbimeve me grupin e shënjestruar
Kjo përvojë me qendrën Korabi tregon se përshtatjet me shërbimin e trajnimit janë të pashmangshme. Kjo mund të jetë gjuha, mund të jenë gjëra të tjera; sido që të jetë, ofruesi i trajnimit duhet këtë ta zbulojë. EYE ka ndihmuar qendrën Korabi të përkthejë dhe përshtatë kurrikulën e tij dhe materialet tjera për grupin e kursistëve serbfolës. Ndonjëherë ofruesit e trajnimit nuk i vërejnë përfitimet për të punësuar ose angazhuar ndonjë trajner ose koordinator që të kryejnë testimin me grupin e ri të shënjestruar. Është e rëndësishme të konstatohet nëse stafi i punësuar aktual posedon njohuri, shkathtësi dhe gatishmëri për t'u angazhuar me të gjitha tipet e kursistëve. Në këtë rast me qendrën Korabi, dukej se kjo mund të ishte përshtatje e mirë midis trajnerit dhe pjesëmarrësve. “Ishte shumë lehtë dhe kënaqësi të punoja me këtë grup, sepse të gjithë ata veçse posedonin disa njohuri dhe shkathtësi, teksa njëkohësisht ishin të ngazëllyer që të mësonin edhe më shumë. Ndonëse e zotëroja gjuhën, ishte shumë më e lehtë dhe më praktike për mua kur recetat i kisha të përkthyera në gjuhën serbe.” nënvizoi Rudina Qosja, trajnere në Qendrën e Inovacionit Korabi.
Hapat e mëtutjeshëm: Avancimi përpara duke qenë realistë rreth shkallës dhe ecurisë së ndryshimit
Korabi, me fasilitimin e projektit EYE, ka zhvilluar formën e re të trajnimit për segmentin e ri të tregut. Ata kanë përshtatur materialet e kursit, kanë promovuar kursin përmes mediave relevante me mbështetjen e OJQ-ve të duhura; kanë përzgjedhur kursistët që ishin të motivuar. Kjo shpiu në sukses të konsiderueshëm për grupin pilot.
Pas përfundimit të trajnimit, motivimi i Elida Abdulas në lidhje me vetë-arsimim dhe marketing vazhdoi: “Kam qenë e frymëzuar dhe fillova të kërkoja më shumë teknika të punës në internet. Gjithashtu, kam pasur mundësinë të jem mysafire në dy radio-stacione për të promovuar biznesin dhe produktet e mia.”
Shkaqet rrënjësore të përjashtimit social janë të vjetra dhe thelbësore, teksa ato nuk do të mënjanohen lehtë. Ndryshimi, i çfarëdo mase qoftë, do të zgjasë vetëm nëse është personalisht i sinqertë dhe i rrënjosur në ndryshimin institucional. Gjatë zhvillimit të trajnimit dhe pas përfundimit të tij, EYE ndihmoi qendrën Korabi të përvetësonte njohuri përmes anketës rreth informatave kthyese, që grumbulloi numër të konsiderueshëm të përgjigjeve. Pjesëmarrësve u pëlqeu trajnimi dhe madje ata kërkuan të vazhdonin me kurse të trajnimit më të avancuar, njëkohësisht duke u orvatur ta përmirësojnë biznesin dhe shërbimet e tyre.
“Pjesëmarrësit tjerë më ftuan në këtë trajnim, ndërsa tani i ftoj të gjitha femrat e interesuara në industrinë e pastiçerisë dhe u sugjeroj që të mos humbasin këtë përvojë kaq të jashtëzakonshme.” – Ivanka Gjoroviq, e cila po e ndihmon nënën e saj që të drejtojë biznesin e tyre familjar.
Katër muaj pas trajnimit, 75% e kursistëve theksuan se ishin tërësisht të kënaqur me cilësinë e trajnimit, meqë kishin përmirësuar biznesin e tyre ekzistues dhe kishin rritur shitjet. Gjysma e tyre konsiderojnë se janë duke kontribuar më shumë për punëdhënësin e tyre dhe kanë rritur numrin e klientëve. 25% e të anketuarve do të hapin një biznes të ri dhe 25% të tjerë kanë gjetur një vend të ri pune. Të gjithë të anketuarit potencuan se kanë shumëfishuar shërbimet e tyre, siç është përfshirja e recetave të reja ose ofrimi i produkteve të reja për klientët.
Me siguri të plotë mund të themi se pilot-projekti ka pasur sukses. Përmes këtij artikulli, EYE ka për qëllim që ofruesit e tjerë të trajnimeve të mësojnë rreth mënyrës se si të përfshijnë më shumë studentë nga komunitetet jo-shumicë. Vlen të theksohet informata kthyese që projekti EYE e ka pasur gjatë konferencës “Skills for Growth”, ku mbi 50 ofrues të trajnimeve dhe akterë tjerë të tregut shkëmbyen njohuritë dhe u rrjetëzuan. z. Riad Durguti, përfaqësues i ofruesit të trajnimit Dekoriti, që është një ndër liderët në industrinë e përpunimit të drurit, theksoi se:“Veprimet e juaja na frymëzuan që të veprojmë njejtë, të shtrijmë trajnimin tonë tek më shumë komunitete. Veçse kemi ndërmarrë hapa për të përshtatur dhe përkthyer kurrikulën tonë në gjuhën serbe, meqë besojmë se ofruesit e trajnimeve duhet të shfaqin gatishmëri dhe të bëjnë hapin e parë në drejtim të komuniteteve jo-shumicë.” Kjo është një shenjë e mirë: që një biznes i qëndrueshëm dhe i respektuar, i cili njihet për lidershipin dhe inovacionet e tij, ka bërë ndryshime në trajnimin e veta me qëllim që ato të vihen më tepër në dispozicion për të gjitha komunitetet.
Znj. Gordana Gjoriq, nga shoqata e grave “Avenue” nënvizoi: “Pas zhvillimit të këtij trajnimi, jo vetëm se kemi pasur një përqindje të lartë të kënaqshmërisë së pjesëmarrësve të regjistruar, por kemi pranuar edhe kërkesa shumë më të larta nga persona të tjerë. Femra të shumta filluan ta kontaktojnë Avenue-në duke kërkuar më shumë informacion, pasi që nuk ishin të informuara në lidhje me këto trajnime dhe tani kanë shfaqur interesim për t'u regjistruar.”
Nëse jeni të interesuar/a në mësimet e nxjerra nga qasja jonë gjithëpërfshirëse, ju lutemi shikoni këtu:
- Pse sistemi i tregut të punës në Kosovë nuk funksionon për të gjithë
- Përmbledhje e shkurtër: Krijimi i tregut të punës që funksionon për të gjithë: Sugjerimet praktike për projekte dhe OJQ-të
- Udhëzimet e trajnimit për përfshirjen sociale dhe përgjegjësinë gjinore
Origjinal i artikullit: https://www.helvetas-ks.org/eye/en/social-impact-through-inclusive-services/






