2022-05-29 

Universiteti i Prishtinës zhvillon komunikimin me punëdhënësit
Prishtinë – 25 Tetor, 2013. Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) në kuadër të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, organizuan takim një ditor për të diskutuar modalitetet dhe eksperiencat në adoptimin e kurikulave sipas kërkesave të punëdhënësve (privat dhe publik).
FIEK është fakulteti i parë që ka krijuar “Bordin Industrial” në vitin 2005, që njëkohësisht ka paraqitur fillimin e dilaogut ndërmjet institucioneve të edukimit dhe punëdhënësve në Kosovë.
Qëllimi i takimit ishte ndarja e përvojave të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, përfaqësuesve nga zyra për zhvillim akademik, anëtarët e bordit industrial, dhe përfaqësuesve të tjerë të fakultetit, në mënyrë që të formalizojnë funksionimin e këtij bordi industrial.
Për këtë arsye, Profesori Martin Weiss, nga Shkolla e Shkencave Informatike, Universiteti i Pitsburg-ut në SHBA, është ftuar për të paraqitur shembuj të bordeve të tilla nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian.
Prorektori i Universitetit të Prishtinës Z. Avdullah Alija shprehu përkushtimin dhe interesin për të mbështetur këtë iniciativë në mënyrë që të forcojë ndërveprimin dhe bashkëpunimin në mes të institucioneve akademike të UP-së dhe sektorit privat. Kjo do të sigurojë që të diplomuarit që vijnë nga Universiteti të përshtaten në të ardhshmen më mirë me kërkesën që vjen nga industria, prioritet i cili është paraparë edhe në dokumentet strategjike të UP-së.
Ky takim u mbështet nga projekti EYE “Rritja e Punësimit për të Rinj”, financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë.






