2022-05-29 

Punëtoria me Shërbimin Publik të Punësimit
Më 17 shtator 2013, Drejtorët e shtatë Qendrave Rajonale të Punësimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) u mblodhën në Prishtinë për të diskutuar gjetjet e “Pasqyrës Sistematike të Shërbimit Publik të Punësimit (SHPP) në Kosovë”, raport i zhvilluar nga eksperti i tregut të punës Levent Koro dhe mbështetur nga Projekti Rritja e Punësimit për të Rinj (EYE).
Ky raport ka dhënë një pasqyrë të Shërbimeve Publike të Punësimit të Kosovës (SHPP) dhe të performancës krahasuar me shërbimet publike të punësimit në rajon (Serbia, Shqipëria, Sllovenia dhe Austria). Pjesëmarrësit e kësaj punëtorie vlerësuan këtë raport si një kontribut shumë të rëndësishme për Strategjinë Sektoriale të Punësimit të MPMS-së, mirëqenien dhe përfshirjen sociale, e cila është në zhvillim e sipër dhe do të mbulojë periudhën 2014-2020.
Shërbimet Publike të Punësimit (SHPP) janë një fushë e rëndësishme e projektit EYE. Në partneritet me MPMS-në, projekti synon të përmirësojë cilësinë e shërbimeve të SHPP-së dhe efikasitetin e tyre për tu shërbyer më shumë punëkërkuesve dhe bizneseve, dhe për ti shërbyer më mirë nevojave të të papunëve.






