2022-05-29 

Qasje në të dhëna të besueshme mbi të rinjtë, arsimin dhe punësimin për të gjithë
Të dhënat e besueshme janë teper të rëndësishme, e disa thonë se ato janë produkti më i vlefshëm në botë. Të dhënat dhe informacionet e besueshme kanë fuqinë të përmirësojnë jetërat e njerëzve, të frymëzojnë hartimin e politikave më të mira dhe të gjejnë zgjidhje për problemet sociale. Në Kosovë, qasja në të dhënat e besueshme ndonjëherë mund të jetë aspak e lehtë. Shpesh kemi të bëjmë me mungesë të hulumtimeve, por edhe atëhere kur hulumtimet ekzistojnë, mund të jetë mjaft punë e lodhshme për të siguruar informacione të sakta, kur ato janë të shpërhapura gjithandej nëpër lokacione të ndryshme të uebit, faqe dhe dokumente.
Por, sikur të kishte një qendër ndërlidhëse, që përpunon të dhënat nga një gamë gjithëpërmbledhëse e burimeve në një platformë lehtësisht të navigueshme, të cilën do të mund ta shfrytëzonin gazetarët, studiuesit dhe publiku i gjerë?
Për EYE, është veçanërisht me rëndësi që të përmirësohet qasja më e lehtë ndaj të dhënave mbi të rinjtë, punësimin dhe edukimin, pasi kjo mund të frymëzojë hartimin e politikave më të mira për t’u ndihmuar të rinjve që të avancojnë në sferën e edukimit dhe të punës.
Sa është numri i të diplomuarve nga universitetet e Kosovës? Cilat janë industritë që më së shumti vuajnë nga mospërputhja e shkathtësive? Cilat biznese janë duke humbur më së shumti punëtorë të rinj si pasojë e migrimit? Cilat fusha dëshmojnë për punësimin më të madh të të rinjve?
Këto janë vetëm disa nga pyetjet për të cilat do t’i gjeni përgjigjet në Hartën e re Interaktive të Rinisë në Kosovo 2.0, të cilën e kemi mbështetur për ta themeluar. Harta Interaktive e Rinisë është një bazë e të dhënave që përbëhet nga të dhënat demografike mbi popullsinë, punësimin, migrimin dhe shkollimin e të rinjve në Kosovë, të gjitha të përmbledhura në një platformë lehtësisht të navigueshme dhe të qasshme. Platforma ofron një përmbledhje gjithëpërfshirëse të të dhënave nga burime të shumëfishta, e cila shpejt po shndërrohet në një qendër ndërlidhëse të informacionit, që jo vetëm se ndihmon studiuesit dhe gazetarët, por gjithashtu mbështetë të rinjtë për të bërë zgjedhje të mirinformuara në karrierë.
Mirëpo, numrat janë vetëm një pjesë e pasqyres. Platforma gjithashtu karakterizohet me tregime, artikuj, podkaste dhe video që fuqizojnë zërin e padëgjuar të të rinjve, të cilët përballen me sfidat e të qenit i ri në Kosovë.
Pra, pavarësisht nëse jeni një person i ri që dëshiron ta kuptojë të ardhmen e tij në tregun e punës, ose një hulumtues që punon në një studim të ri: Harta Interaktive e Rinisë do të jetë miku juaj më i mirë, prandaj gjithsesi duhet ta provoni!






