2022-05-29 

Mbështetja ndaj Odës Ekonomike të Kosovës për rritjen e efikasitetit të hulumtiveve
Çdo vit, kuadri i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) punon për të krijuar indekse të besimit të biznesit – grupe hulumtuese që shërbejnë si një zë i besueshëm për të paraqitur perceptimet e bizneseve rreth fenomeneve ekonomike dhe politikave publike. Kjo punë jetike, që ilustrohet më së miri përmes produkteve siç është indeksi i 'klimës së biznesit në Kosovë', paraqet një vështrim të bizneseve vendore mbi çështjet thelbësore të cilat kanë ndikim në to, e të cilat shfrytëzohen në mënyrë gjithëpërfshirëse nga institucionet e Kosovës, duke përfshirë Bankën Qendrore dhe Ministrinë e Financave si dhe organizatat e donatorëve të cilat shpesh shfrytëzojnë gjetjet për të planifikuar intervenimet programore.
Duke pasur parasysh rëndësinë e punës së OEK-ut në Kosovë në promovimin e zhvillimit ekonomik dhe politikave makroekonomike, EYE rishtazi ka hyrë në partneritet me këtë institucionin me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të tyre për të ofruar informacionet përkatëse të tregut dhe shfrytëzuar mjetet dixhitale në mënyrë që të përmirësohet efikasiteti i tyre. Trajnimi ka përmbledhur të gjitha, duke filluar nga metodologjia, hartimi i modelit dhe hartimi i pyetësorit e deri tek grumbullimi i të dhënave, analiza dhe raportimi.
Shkathtësitë hulumtuese janë një vlerë e çmuar për secilën organizatë në Kosovë, veçanërisht për OEK-un, e cila përfaqëson një numër të madh të bizneseve dhe duhet të sigurojë që grumbullimi i të dhënave të pasqyrojë në mënyrë të saktë pikëpamjet e ndërmarrësve. "Me mbështetjen e EYE, ne jemi duke investuar në kuadrin tonë të ri i cili përbëhet prej grumbulluesve primar të të dhënave dhe intervistuesve," theksoi Olivera Ceni Bardiqi, drejtoreshë e departamentit për analiza ekonomike dhe politika në OEK. “Këta të rinj janë të angazhuar si grumbullues të të dhënave për punë me orar të shkurtuar; mirëpo, pas këtij trajnimi, të gjithë ata do të mund të punësohen si hulumtues të mirëfilltë. Ky trajnim u ofron atyre pakon e plotë të shkathtësive të cilat janë të nevojshme për përgatitjen e analizave përshkruese”.
Si EYE, ne besojmë se roli i odave është vendimtar në rritjen e konkurrueshmërisë në biznes dhe sigurimin e një zëri më të theksuar të sektorit privat në vendimmarrje dhe hartim të politikave. Hulumtimi, si pjesë e punës së dhomës, është posaçërisht i rëndësishëm, pasi në mënyrë efektive informon vendimmarrësit për problemet e komunitetit të biznesit. Përmes këtij partneriteti, EYE ndihmon departamentin e hulumtimit të OEK-ut të shfrytëzojë mjetin digjital të hulumtimit për të siguruar të dhëna dhe rritur saktësinë, cilësinë dhe efikasitetin e hulumtimit të tyre.






