Menu

Kërko

SDC Project Implemented by Helvetas and MDA

Orientimi virtual për karrierë gjatë COVID-19

Tranzicioni nga shkolla në punë mund të jetë një periudhë sfiduese për adoleshentët.  Duke filluar prej të qenit në dijeni për të drejtat e punës e deri tek të mësuarit rreth procedurave të regjistrimit të biznesit, marrëdhënieve punëdhënës-punonjës dhe etikave të punës, është lehtë të ndjeheni të humbur dhe të pasigurt se nga duhet të fillohet. 

Karriera të cilën e zgjedhim në moshën e re do të na ndjekë gjatë gjithë jetës. Prandaj, është me rëndësi që të identifikojmë potencialin tonë të vërtetë dhe t’i orientojmë përpjekjet tona drejt rrugës së duhur të karrierës për veten tonë. Për këtë arsye, shërbimet e orientimit për karrierë janë aq të rëndësishme: ato ndihmojnë fuqizimin e nxënësve dhe u mundësojnë atyre që të avancojnë në mënyrë të qëndrueshme në sferën e punës. Përgjatë viteve të kaluara, EYE ka themeluar qendrat e orientimit për karrierë në 9 shkolla të arsimit profesional në mbarë Kosovën.  

Jemi veçanërisht krenarë për këtë arritje, meqë këto qendra tani ndihmojnë qindra të rinj që të identifikojnë aftësitë dhe përparësitë e tyre, si dhe të marrin vendime të mirinformuara në lidhje me zgjedhjet e tyre për karrierë. Qendrat angazhojnë konsulentë të trajnuar në mënyrë profesionale, të cilët ndihmojnë nxënësit të zgjedhin kurset e orientuara për punësim, që do të nxisin karrierën e tyre. Këto qendra gjithashtu ndihmojnë që nxënësit të lidhen me bizneset private, në mënyrë që, përmes skemës së të mësuarit në vendin e punës (MVP) - të cilën kemi ndihmuar që ta prezantojmë – nxënësit jo vetëm se do të mund të sigurojnë përvojë të punës nga jeta e përditshme, por gjithashtu do të përfitojnë nga mundësitë e punësimit dhe të ardhurave në tregun e punës pas diplomimit të tyre.       

Gjatë vitit 2020, përderisa pandemia ishte në përhapje e sipër, mësimdhënia dhe mësimnxënia u përballën me sfida dhe pengesa të rëndësishme. Mirëpo, kanë  ekzistuar edhe mundësitë. COVID-19 ka nxitur një ndryshim të pashembullt në formatet elektronike, teksa njerëzit janë përpjekur që të përshtaten me rrethanat e reja. Sa i përket këshillimit, mundësia e shkëmbimit në mënyrë digjitale të burimeve të udhëzimit dhe të trajnimit do të ofronte perspektiva të panumërta për të pasur qasje tek më shumë të rinj dhe për t’u ndihmuar që t’i plotësojnë nevojat e tyre të orientimit për karrierë. Mirëpo këtyre qendrave u mungonin shkathtësitë për t’i integruar burimet e TI-së në aktivitetet e udhëzimit. Kështu që, EYE u doli në ndihmë këtyre qendrave.  

Së bashku me Fondacionin Kosovar për Zhvillim të Karrierës (KCDF), kemi ndihmuar në trajnimin e 21 këshilltarëve të karrierës në qendrat shkollore për karrierë, në mënyrë që këto qendra të fillojnë ofrimin e shërbimeve virtuale të karrierës për nxënësit e AAP-së. Qëllimi ynë ishte të sigurojmë që qendrat e karrierës të mund të ofrojnë këshilla cilësore nga distanca shoqërore edhe në kohëra të pasigurisë. Nxënësit e klasës së 12-të ishin prioritet kryesor, meqë ata u diplomuan gjatë kulmit të pandemisë, kurse tranzicioni nga shkolla në punë ishte veçanërisht sfidues për ta.

Përmes ndihmës sonë, qendrat e karrierës në shkollat e AAP-së ofruan trajnime elektronike për 218 nxënës, teksa ata përgatiteshin për t’u inkuadruar në tregun e punës! Përveç kësaj, pasi që pandemia ndërpreu përpjekjet e zakonshme për punësim, në muajin qershor zhvilluam një kampanjë mediale për të promovuar të 9 shkollat e AAP-së dhe për të rritur numrin e nxënësve të rinj. Ndonëse të sapodiplomuarit do të vuajnë më së shumti nga pasojat që pandemia ka shkaktuar në tregun e punës, me anë të ndihmës së  palodhshme të konsulentëve, jemi të bindur se nxënësit do të avancojnë me hapa të sigurt në tregun e punës.       

EYE përdor një qasje sistemike për të kuptuar problemet dhe aplikon qasje adaptive në menaxhim.

më shumë

Shikojeni videon e fundit nga kampanja


më shumë

Lexoni Publikimet e Fundit të
Projektit EYE

më shumë

Na Kontaktoni Përmes Kontakt 
Formës

më shumë