2022-05-29 

Panairi i Shkencës dhe Kulturës 2018
NGO “Lëvizja KOHA” ka organizuar projektin edukativo-arsimor “Panairi i Shkencës dhe Kulturës 2018” e cila për të shtatën herë organizohet në qytetin e Vushtrrisë. Misioni kryesor i këtij projekti është ndërrimi i qasjes së të mësuarit, në të mësuarit praktik në të gjitha shkollat e mesme të larta si dhe avancimin e nxënësve dhe të rinjëve në fushën praktike duke krijuar një vend për të mësuar nga njëri tjetri në lëndët shkencore dhe kulturore.
Qëllimi i këtij panairi është të prezentohet puna përmes punimeve shkencore dhe kulturore nga nxënësit e dalluar.
Pjesëmarrës të këtij projekti janë shkollat e mesme të larta nga të gjitha komunat rajonale të Kosovës si dhe shkollat e mesme të larta nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova Lindore.
Hapjen solemne të këtij panairi e bëri z. Qëndrim Uka, lider i kësaj organizate i cili falenderoi të pranishmit dhe të gjithë institucionet dhe donatorët që e kanë përkrahur këtë inciative ndër vite. Ai shpalosi edhe rrugëtimin e tij ndër vite duke bërë këtë panair edhe më gjithëpërfshirës për rajonet e tjera jashtë Kosovës.
Gjithashtu, fjalë përshëndetëse pati edhe i pari i komunës së Vushtrrisë z. Xhafer Tahiri i cili u zotua që projektet e tilla do të kenë përkrahjen e komunës. Ndërsa, menaxheri i projektit EYE, z. Durim Hoxha në fjalën e tij bëri një përmbledhje të aktiviteteve të projektit EYE dhe i uroi organizatorët për punën e shkëlqyer.
Ndonëse ky aktivitet u përkrah me një shumë simbolike rëndësia e tij është e një rëndësie të vecantë për projektin pasi mbështet aktivitetet që kanë karakter arsimimi dhe edukimi.






