2022-05-30 

SHPP i Kosovës shkëmben përvojat me Slloveninë, Austrinë dhe Shqipërinë
7 zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) dhe Shërbimeve Publike të Punësimit (SHPP) morën pjesë në një vizitë studimore në Slloveni dhe Austri më 11-15 nëntor 2013 të mbështetur nga projekti EYE. Delegacioni vizitoi Shërbimin e Punësimit të Sllovenisë (ESS), zyrën qendrore dhe rajonale në Ljublanë, si dhe shërbimet e punësimit AMS në Grac, të Austrisë.
Qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte shkëmbimi i përvojave në lidhje me shërbimet e punësimit dhe vëzhgimin për së afërmi të ngjashmërive dhe dallimeve në qasje në proceset e ndryshme të biznesit dhe në këtë mënyrë identifikimi i prioriteteve për reforma. Përveç kësaj, ESS sllovene dhe AMS austriake ofruan informacion në lidhje me funksionin dhe marrëdhëniet e tyre me qeverinë qendrore, kompanitë private dhe agjencitë private të punësimit.
Pas kësaj vizite studimore, pjesëmarrësit ndanë informacionet dhe përvojën me kolegët e tjerë nga MPMS-ja dhe drejtorët nga SHPP-ja në një punëtori të organizuar më 3 dhjetor, 2013. Gjatë kësaj punëtorie, niveli lokal dhe qëndror i qeverisjes së SHPP-së në Slloveni dhe Austri u prezantuan si standarde për aktivitetet e ardhshme të SHPP-së në Kosovë. Përveç kësaj, dy përfaqësues të Shërbimit Kombëtar të Punësimit të Shqipërisë prezantuan portalin kombëtar të punës www.epunesim.gov.al dhe poashtu ndanë përvojën e tyre.
Të gjitha këto aktivitete janë mbështetur nga Projekti EYE.






