2022-05-29 

Analiza e Boshllëkut të Shkathtësive
Një konferencë për lançimin e Analizës së Boshllëkut të Shkathtësive për Tregti, Prodhim dhe Shërbime u mbajt më 11 tetor 2017, në Hotel Nartel, Prishtinë.
Veprimtaria përfshiu një panel diskutimesh me z. Shyqiri Bytyqi, Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Skender Reçica, Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Patrick Etienne, Drejtor i Agjencisë Zvicrane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë, z. Timothy Sparkman, Drejtor Programi i projektit për Rritjen e Punësimit të të Rinjëve dhe z. Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Amerikane. Z. Visar Hapçiu, Menaxheri i Politikave në Odën Amerikane, prezantoi gjetjet kryesore të studimit.
Në këtë aktivitet morën pjesë rreth 40 përfaqësues nga sektori privat, institucionet arsimore, si dhe organizatat vendore dhe ndërkombëtare. Përgjigjet e dhëna nga shumica e pjesëmarrësve në studim ishin shumë pozitive. Konferenca përfshiu diskutime konstruktive mbi temën në fjalë dhe ministrat përkatës u zotuan të krijojnë grupe punuese për të reflektuar mbi rekomandimet e studimit.
Raporti i Analizës së Boshllëkut të Shkathtësive është përgatitur nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, si pjesë e një projekti të përbashkët me projektin për Rritjen e Punësimit të të Rinjëve, të Agjencisë Zvicrane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë.






