2022-05-30 

Dita Ndërkombëtare e Rinisë 2020
Prishtinë, Kosovë — Çdo vit, 12 gushti shënon Ditën Ndërkombëtare të Rinisë – është ditë ku i sjellim ndërmend sfidat me të cilat përballen të rinjtë anembanë botës gjatë zhvillimit të tyre dhe ku shqyrtojmë nëse vërtetë jemi duke u përpjekur sa duhet për të siguruar që secili individ i ri të jetojë në mënyrë të dinjitetshme, të ketë siguri dhe mundësi për të arritur potencialin e tij të plotë.
Dita Ndërkombëtare e të Rinjve paraqet një mundësi për t’i dëgjuar zërat, veprimet dhe iniciativat e të rinjve, dhe të avokojmë për nevojën që të bëhet më shumë përpjekje në angazhimin dhe përfshirjen e tyre në vendimmarrje. Këtë vit, Dita Ndërkombëtare e të Rinjve synon të sjellë në qendër të vëmendjes angazhimin e të rinjve përmes këtyre tri niveleve të ndërlidhura:
- Angazhimi në nivel lokal/nivel të komunitetit;
- Angazhimi në nivel kombëtar (formulimi i ligjeve, politikave, si dhe implementimi i tyre);
- Angazhimi në nivel global.
Në 10 vjet që kanë mbetur për të realizuar Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030, gjendemi në një botë gjithnjë e më të polarizuar. Pabarazia sociale dhe mungesa e përfshirjes sociale janë duke e lëkundur besimin në institucionet dhe sistemin ndërkombëtar, duke ia liruar rrugën politikave të fragmentimit dhe izolimit.
Për t'i bërë gjërat edhe më keq, kriza e COVID-19 tani ka shkaktuar çrregullime të mëdha në ekonomi dhe tregun e punës. Kjo ka qenë veçanërisht shqetësuese për të rinjtë, ku kjo krizë e shëndetit publik ka krijuar atë që shumë njerëz e quajnë si çrregullimi më i madh i sistemeve arsimore që ka ndodhur ndonjëherë, duke prekur 1.6 miliardë nxënës në më shumë se 190 vende të botës.
Në Kosovë, të qenit i ri është gjë e vështirë. Të dhënat tregojnë për një situatë rëndë: gjysma e të rinjve kosovarë janë të papunë. Mbi 32% e të rinjve janë të papunë dhe nuk vijojnë shkollën e as trajnim. Vetëm 21% e të rinjve janë shumë të kënaqur me cilësinë e edukimit. E ndoshta gjetjet më mbresëlënëse nga një studim i Friedrich-Ebert Stiftung-ut janë se 59% e të rinjve do të largoheshin nga vendi nëse u ofrohet mundësia.
Shumë sfida me të cilat përballet sot bota – nga ndryshimet klimatike deri në jostabilitet politik e deri tek arsimi gjithëpërfshirës – do të trashëgohen nga brezat e ardhshëm. Prandaj, është e rëndësishme që tani të bëjmë gjithçka që është e mundur për t’i fuqizuar të rinjtë.
Në kuadër të EYE, ne mbështesim të rinjtë në tri fusha kryesore: 1) promovojmë iniciativat gjithëpërfshirëse për zhvillimin e shkathtësive për të rintë; 2) përmirësojmë qasjen e të rinjve në informacionin mbi tregun e punës, zgjedhjet në karrierë dhe vendet e punës, duke ndihmuar në përputhjen e ofertës dhe kërkesës (matching); dhe 3) investojmë në ekonomi për të krijuar më shumë vende pune për të rinjtë, veçanërisht në profesionet e AAP-së, duke punuar me sektorin privat në mënyrë që të krijojmë mundësitë për gjenerimin e vendeve të punës.
Përderisa përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, së bashku me OJQ-të lokale dhe OSHC-të, kanë arritur të bëjnë përparime të mëdha në krijimin e një Kosove që është gjithëpërfshirëse dhe ofron më shumë mundësi për të rinjtë, puna jonë nuk ka përfunduar, siç edhe tregojnë të dhënat përkatëse.
Për këtë arsye, Dita Ndërkombëtare e të Rinjve 2020 është datë e rëndësishme për Kosovën. Gjatë kësaj Dite Ndërkombëtarë të të Rinjve, t’i bashkohemi botës dhe ta shfrytëzojmë këtë ditë për të ngritur vetëdijen rreth mënyrës se si të përpiqemi më shumë që t’i angazhojmë të rinjtë në vendimmarrje, e institucionet lokale, kombëtare dhe globale t’i bëjmë më gjithëpërfshirëse gjatë punës së tyre në realizimin e qëllimeve globale.
Në mënyrë që ta shënojmë këtë ditë, kemi lidhur partneritet me BONEVET për të organizuar një punëtori në formë elektronike, ku të rinjtë do të mësojnë për kodimin, grumbullimin e të dhënave me ndihmën e gjuhës programuese Python, si dhe të përvetësojnë shkathtësitë e dizajnit 3D për të krijuar dizajne të printueshme dhe funksionale. Bashkohuni me neve këtu.






