Doruntina Golaj & Drilon Shala

Gjatë një mbrëmjeje të një dite pune në Obiliq, zyrat komunale dukeshin më ndryshe nga zakonisht. Edhe pse orari i rregullt i punës kishte përfunduar, komuna kishte caktuar dëgjimin buxhetor në një kohë që u mundësonte qytetarëve të merrnin pjesë pa ndërprerë obligimet e tyre të përditshme. Disa kishin ardhur drejtpërdrejt nga puna, duke mbajtur fletore në duar, ndërsa të tjerët ishin aty vetëm për të dëgjuar. Për shumë prej tyre, ishte hera e parë që merrnin pjesë në një takim për planifikimin e buxhetit.
Planifikimi i buxhetit komunal shpesh perceptohet si teknik dhe jo si një hapësirë ku komuniteti mund të ndikojë në vendimmarrje. Duke përshtatur kohën e dëgjimit, komuna krijoi hapësirë që qytetarët të marrin pjesë. Ajo që dikur mund të kishte qenë një sallë e zbrazët, gradualisht u mbush me pyetje dhe ide. Momente si këto ilustrojnë se buxhetet lokale janë më shumë se tabela dhe procedura. Ato formësojnë jetën e përditshme, duke ndikuar në gjithçka, nga shkollat dhe shërbimet shëndetësore deri tek parqet, rrugët dhe qasja në hapësirat publike.

Në komuna të ndryshme, janë iniciuar mënyra të ndryshme të reagimit. Në Mitrovicën e Jugut, një takim i tillë mblodhi artistë dhe profesionistë të kulturës për të diskutuar se si financimi publik mund të mbështesë më mirë hapësirat kreative dhe iniciativat kulturore. Duke i përshtatur diskutimet për grupe specifike, pjesëmarrësit vinin të përgatitur për të ndarë sfidat me të cilat përballen në punën e tyre të përditshme dhe ndiheshin të lirë të shprehnin perspektivat e tyre që përndryshe mund të mbeteshin të padëgjuara. Në disa raste të tjera, takimet nuk janë mbajtur vetëm në zyrat e komunës, por organizoheshin edhe në lagje dhe në komunitete lokale.
Ndërkohë, në Graçanicë, zyrtarët komunalë përfshinë konsultime të targetuara dhe ftuan një grup të larmishëm pjesëmarrësish, duke përfshirë përfaqësues të shkollave, organizata të shoqërisë civile, fermerë, biznese, anëtarë të komuniteteve pakicë dhe institucione shëndetësore. Rreth së njëjtës tavolinë, pjesëmarrësit diskutuan prioritete që pasqyronin përvoja të ndryshme të jetës së përditshme. Zyrtarët komunalë fituan një kuptim më të plotë të nevojave që formësojnë mjedisin lokal.
Pas dëgjimit të zërave të ndryshëm, pyetja që pasoi ishte: Çfarë ndodh më pas?
Në Han të Elezit, një grua me aftësi të kufizuara ngriti zërin në takim dhe ndau një pengesë me të cilën përballej rregullisht. Ndërtesa e komunës nuk kishte infrastrukturë të përshtatshme për të akomoduar personat me lëvizshmëri të kufizuar. Pas diskutimeve, komuna ndërmori hapa konkretë për të adresuar problemin. Sot, një ashensor i ri është funksional në ndërtesë, duke e bërë hapësirën të qasshme jo vetëm për të, por edhe për shumë të tjerë.

Momente të ngjashme mund të vërehen edhe në vende të tjera. Në Pejë, anëtarët e kuvendit të fëmijëve paraqitën një propozim për përmirësimin e shkollave dhe zonave përreth tyre. Natyrisht, fëmijët folën për hapësirat ku ata shpenzojnë kohën më të madhe të tyre. Idetë u përkthyen në përmirësime në mjedisin shkollor, duke dëshmuar se edhe më të rinjtë mund të ndikojnë në vendimmarrje kur u jepet mundësia për të marrë pjesë.
Një grup qytetarësh nga një fshat në Istog ngriti nevojën për një objekt të përbashkët në komunitet. Ata dëshironin një hapësirë ku mund të mblidheshin për takime, aktivitete dhe ngjarje lokale. Komuna e njohu rëndësinë e propozimit dhe u pajtua ta mbështesë kërkesën. Megjithatë, buxheti i disponueshëm komunal nuk mund të mbulonte plotësisht koston e ndërtimit. Banorët ndërhynë. Ata vendosën të kontribuojnë dhe të mbulojnë kostot e mbetura, duke bashkëpunuar me komunën dhe duke e bërë të mundur realizimin e projektit.
Në Kaçanik, pjesëmarrësit që merrnin pjesë në konsultime jo vetëm që paraqisnin idetë e tyre, por gjithashtu përpiqeshin të kuptonin më mirë se si këto ide do të vlerësoheshin. Për t’iu përgjigjur pyetjes pse disa propozime avancojnë ndërsa të tjera jo, komuna prezantoi një sistem të bazuar në poentim. Qytetarët tashmë mund të shihnin se si vlerësoheshin propozimet që në fillim. Projektet që krijonin përfitime më të mëdha sociale, mjedisore ose në aspektin e përfshirjes merrnin më shumë pikë, ndërsa iniciativat e udhëhequra nga gratë ose personat me aftësi të kufizuara merrnin peshë shtesë. Ajo që dikur perceptohej si një proces i paqartë, gradualisht u bë më i kuptueshëm dhe më i lehtë për t’u ndjekur.

Një diskutim i ngjashëm po zhvillohej edhe në Gjakovë. Për ta bërë më të qartë mënyrën se si prioritetizoheshin projektet, zyrtarët shpjeguan kriteret e përdorura për ndarjen e subvencioneve në fushën e shëndetësisë, duke u fokusuar te ata që përballen me sëmundje serioze ose që kanë qasje të kufizuar në forma të tjera të mbështetjes. Duke i prezantuar këto kritere hapur gjatë takimeve, qytetarët mund të kuptonin më mirë se si merreshin këto vendime. Gentiana Qurdina Nixha, Udhëheqëse e Sektorit të Buxhetit Komunal në Gjakovë, reflekton mbi mënyrën se si komunikimi më i qartë ka ndihmuar në forcimin e procesit:
“Mbështetja e Helvetas ka qenë thelbësore në forcimin e planifikimit buxhetor ndër vite, duke rritur si efikasitetin ashtu edhe transparencën në vendimmarrje. Komuna ka qenë në gjendje t’i informojë qytetarët në mënyrë më efektive përmes broshurave praktike, të cilat paraqesin në mënyrë vizuale rëndësinë e zërit aktiv të qytetarëve në proceset e vendimmarrjes dhe, në fund, në projektet konkrete.”

Rahoveci u përball me një sfidë pak më ndryshe: jo të gjithë mund të merrnin pjesë në takimet publike për buxhetin, pasi disa kishin përgjegjësi familjare, ndërsa të tjerë thjesht nuk mund të ishin të pranishëm atë ditë. Për të siguruar që idetë e tyre të përfshiheshin gjithsesi, komuna pranoi propozime edhe në formë të shkruar. Në këtë mënyrë, edhe ata që nuk ishin të pranishëm në sallë mund të kontribuonin në vendimmarrje.
Në Drenas, stafi komunal filloi të shpërndante kalendarët e konsultimeve, njoftimet për dëgjimet buxhetore dhe informacionet kryesore mbi buxhetin në formate më të thjeshta dhe më vizuale. Qytetarët e gjetën informacionin të lehtë për t’u kuptuar dhe mund të shihnin shpejt se kur do të zhvilloheshin takimet dhe cilat tema do të diskutoheshin. Edhe vetë stafi komunal vuri re se këto ndryshime përmirësuan procesin. Siç shpjegoi Bekim Dobra, Drejtor i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun në Komunën e Drenasit:
“Mbështetja e Helvetas ka luajtur një rol kyç në përmirësimin e planifikimit tonë buxhetor ndër vite, duke mundësuar transparencë më të madhe dhe vendimmarrje më të qëndrueshme. Grupi punues ka pasur bashkëpunim të ngushtë dhe mbështetje profesionale gjatë procesit të konsultimeve publike dhe hartimit të buxhetit komunal për vitin 2026. Ky kontribut ka qenë thelbësor në zhvillimin e një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent, në përputhje me praktikat më të mira të qeverisjes lokale.”

Po aq e rëndësishme ishte edhe demonstrimi i asaj që ndodhte pas konsultimeve. Në Dragash, stafi komunal filloi të dokumentojë diskutimet dhe të publikojë përmbledhje të komenteve dhe sugjerimeve të pranuara. Qytetarët mund të riktheheshin më vonë për të parë se cilat ide ishin ngritur dhe si ishte përgjigjur komuna. Në Prizren, propozimet nga vitet e kaluara u rishikuan për të vlerësuar nëse mbeteshin ende relevante, duke forcuar vazhdimësinë dhe llogaridhënien. Disa ide nuk ishin zbatuar menjëherë, por ato nuk u harruan.
Këto iniciativa të vogla, por me rëndësi të madhe, dërguan një sinjal të fortë se angazhimi qytetar mund të çojë në ndryshime të dukshme.
Takimet u bënë më të lehta për t’u ndjekur, informacioni u bë më i kuptueshëm, dhe qytetarët mund të shihnin se si sugjerimet e tyre kalonin nëpër proces. Këto raste të përzgjedhura të suksesit ilustrojnë se si komunat, përmes përmirësimeve të vogla, mund të forcojnë besimin dhe të ndërtojnë një kulturë të përgjegjësisë së përbashkët.
Zyrat komunale, që dikur dukeshin të largëta nga jeta e përditshme, gradualisht filluan të mbusheshin me pyetje, ide dhe zëra nga komuniteti.