Shfleto menyne

Menaxhimi i Performancës

Menaxhimi i Performancës Komunale – shumë më tepër sesa thjeshtë një matje

Nga: Majlinda Jupolli dhe Shqiponja Vokshi

Sektori komunal është kompleks pasi përfshin shumë palë të interesit – kryetarin e komunës, opozitën, kuvendin komunal, mediat, qytetarët dhe qeverinë qendrore – ku të gjithë kërkojnë transparencë më të madhe dhe qasje në shumë informacione. Institucionet e Kosovës kanë nevojë për vendimmarrje të bazuar në dëshmi/empirike dhe mungesa e të dhënave është në fakt një kontribuues kritik në mungesën e shërbimeve cilësore në përgjithësi.

Komunat në Kosovë ofrojnë një gamë të gjerë shërbimesh, nga ndërtimi dhe mirëmbajtja e rrugëve lokale e ofrimi i shërbimeve tjera publike, ofrimi i shëndetësisë dhe arsimit, deri te policia dhe lëshimi i dokumenteve administrative. Secili prej këtyre shërbimeve ka kërkesa të ndryshme ligjore dhe realitete të ndryshme operacionale. Për t’iu përgjigjur kërkesave për informacion në lidhje me të gjitha fushat e funksionimit, komunat duhet të kenë mjetet që u nevojiten për të komunikuar me sa më shumë partnerë.

Sistemi i Menaxhimit të Performancës Komunale (SMPK) është një mekanizëm në kuadër të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal që synon të sigurojë monitorimin e ofrimit të shërbimeve përmes matjes së performancës, të sigurojë informacionin e nevojshëm për të lehtësuar vendimmarrjen në komunë, t’i motivojë organet qeveritare dhe të promovojë përgjegjësi dhe llogaridhënie gjatë punës së tyre në krijimin e kushteve për një jetë të denjë të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Menaxhimi i performancës përfshin mbledhjen, analizimin dhe raportimin mbi treguesit që tregojnë se sa mirë performon komuna, si nga brenda (qeverisja e mirë dhe menaxhimi komunal) ashtu edhe në ofrimin e shërbimeve për publikun. Përveç kësaj, SMPK mund të tregojë gjithashtu se si kjo performancë krahasohet mes disa viteve ose me komunat e tjera. Më e rëndësishmja, si një mjet menaxhimi, të dhënat e performancës kanë për qëllim të shërbejnë jo si rezultat përfundimtar, por më tepër si mjet për vendimmarrje më të informuar në nivel komunal dhe një komunitet më të angazhuar, që përfundimisht çon në shërbime më të mira.

Ky sistem është vlerësuar – që në fillim – si mjet shumë i rëndësishëm për monitorimin e punës së komunave, duke ofruar të dhëna si bazë për planifikimin e investimeve dhe identifikimin e nevojave për përmirësimin e shërbimeve të ofruara nga komunat. SMPK, përveçse është e rëndësishme për MAPL-në, në mënyrën e dhënies së të dhënave, ka marrë edhe vëmendjen e:

  • Komunave – kryetarëve të komunave, kuvendeve komunale, menaxherëve të lartë dhe stafit të cilët dëshirojnë të dinë se si po performon komuna e tyre, si qëndrojnë në krahasim me komunat e tjera dhe ku duhet të përmirësohen; kjo e fundit – për llogaridhënie ndaj qytetarëve;

  • Qytetarëve, komuniteteve dhe shoqërisë civile – të gjithë i përjetojnë rezultatet e ofrimit të shërbimeve komunale dhe qeverisjes lokale. Ata duan shërbime të mira, efikase dhe ekonomike, transparencë dhe llogaridhënie në vendimmarrjen komunale, gjithmonë të bazuara në të dhëna;

  • Ministrive të tjera të linjës – Kompetencat e qeverisjes lokale janë të shpërndara në shumë pjesë të Qeverisë dhe shumë ministri janë të interesuara për performancën e komunave në fushat e tyre të përgjegjësisë. SMPK ka potencialin të ndihmojë qeverinë qendrore të kuptojë më mirë performancën komunale në fushat e tyre të përgjegjësisë duke prodhuar të dhëna të besueshme, në bazë të të cilave mund të identifikohen nevojat për investime dhe zhvillim të politikave të reja. 

Si ka filluar SMPK?

Gjithçka filloi 15 vite më parë, si një përpjekje e USAID-it, për të matur ofrimin e shërbimeve bazë komunale dhe për të zhvilluar një sistem për këtë qëllim. Megjithatë, rritja e pritshmërive të qytetarëve dhe angazhimi i lartë nga partnerët kombëtarë dhe ata lokalë çuan në zgjerim gradual në sektorë të tjerë të shërbimeve dhe qeverisjes.

Për më shumë se 10 vite funksionim të Sistemit të Menaxhimit të Performancës Komunale, është punuar në krijimin e një baze ligjore për sistemin, administrimin e tij dhe sigurimin e funksionimit të tij. Komunat kanë mirëpritur matjen e performancës duke emëruar zyrtarë përgjegjës për menaxhimin e të dhënave dhe koordinatorë përgjegjës për mbarëvajtjen e sistemit në nivel lokal. Sistemi i matjes së performancës është lidhur me skemën e shpërblimit përmes grantit të performancës, i cili financohet nga Qeveria e Kosovës përmes MAPL-së si dhe BE-ja, Zvicra, Suedia dhe Norvegjia, të cilat shpërblejnë komunat për performancën e tyre. 

Si funksionon kjo?

Komunat raportojnë në baza vjetore për performancën e tyre në MAPL. Janë gjithsej 342 informata të raportuara nga secila komunë, të grupuara në 119 tregues dhe 19 fusha në të cilat komunat kanë kompetencë dhe përgjegjësi. 

Komunat dorëzojnë raporte për performancën e tyre në baza vjetore. MAPL merr përafërsisht 13.000 të dhëna nga 38 komuna gjatë periudhës raportuese, dhe më pas zyrtarët e ministrisë verifikojnë të gjitha të dhënat.

“Sistemi i Menaxhimit të Performancës ka dhënë rezultate të qarta në përmirësimin e qeverisjes lokale, rritjen e transparencës dhe ofrimin e shërbimeve publike. Mekanizmi i matjes është dëshmuar të jetë faktor kyç në ndryshimin e sjelljeve të punonjësve lokalë dhe në ofrimin e shërbimeve cilësore. Prezantimi i një metodologjie rigoroze të cilësisë së të dhënave para institucioneve lokale në lidhje me detyrimet e tyre ligjore dhe përmbushjen e angazhimeve të planifikuara, ka nxitur elementin e konkurrencës brenda dhe jashtë organizatës dhe ka prodhuar efekte pozitive në cilësinë e shërbimeve” – u shpreh Haxhi Krasniqi, nga Departamenti i Performancës dhe Transparencës Komunale.

Edhe pse duket se sistemi ofron shumë informata për një numër të madh të aktiviteteve komunale, gjurmimi i tyre dhe përpunimi i të dhënave në ministri, shiheshin si mjaft sfiduese. Në vitin 2014, DEMOS u angazhua për avancimin e sistemit. Pas dy vitesh punë, sistemi u thjeshtua dhe çdo hap i procesit dokumentohet me të dhëna faktike. Avancimi i mëtejshëm i sistemit ka ndodhur në rishikimin e vitit 2019, pasi sistemi u pasurua me fusha të reja, duke qenë më gjithëpërfshirës. Gjithashtu, mënyra e verifikimit të të dhënave në të dy nivelet (komunë dhe ministri) është zhvilluar më tej duke përdorur sistemin elektronik të raportimit.

Të dhënat e aktiviteteve të SMPK-së janë të qasshme për publikun përmes ndërfaqes së SMPK-së. Për të mësuar më shumë rreth SMPK-së, shikoni dokumentet në këtë link. Për të pasur qasje në ndërfaqen e SMPK-së, klikoni këtu.

Më shumë se një sistem, një mjet i menaxhimit të performancës!

Sot, rreth 95% e komunave përdorin sistemin dhe raportojnë rregullisht të dhënat e performancës së tyre. Sistemi përfshin 19 fusha si pjesë e kompetencave vetanake komunale në Kosovë. 3 nga këto 19 fusha matin qeverisjen e mirë dhe një temë mat barazinë gjinore. 

Organizatat e shoqërisë civile kanë filluar të përdorin të dhënat për të avokuar për politika më të mira. Të dhënat përdoren shumë edhe gjatë fushatave elektorale.

Shumë komuna në Kosovë përdorin informacionin e menaxhimit të performancës kryesisht për qëllime të llogaridhënies, dhe jo mjaftueshëm për qëllime përmirësimi. Komunat duhet të jenë në gjendje të përdorin informacionin për menaxhimin e tyre të përditshëm dhe në procesin e planifikimit dhe parashikimit të buxhetit, e jo vetëm t’i mbledhin dhe raportojnë ato. Ato gjithashtu duhet të përmirësojnë përdorimin e të dhënave në menaxhimin e tyre. Duke përdorur informacionin e performancës gjatë vitit fiskal, kryetari i komunës dhe ekipi i tij/saj mund t’ua shpjegojnë Kuvendit Komunal, opozitës dhe qytetarëve nivelin e performancës dhe objektivat e tyre si dhe implikimet financiare. E gjithë kjo shpie në takime të rregullta të kryetarit të komunës me drejtorët komunalë dhe koordinatorët e menaxhimit të performancës ku shikojnë të dhënat aktuale të performancës në krahasim me vendin ku ata duan të jenë. Ata së bashku identifikojnë problemet, zhvillojnë strategji dhe veprime përmirësimi dhe festojnë suksesin.

Teksa shohim kah e ardhmja, komunat duhet të fokusohen në bërjen transparente të informacionit të performancës, sigurimin e llogaridhënies në të gjithë sistemin e menaxhimit të performancës dhe përafrimin e sistemit të menaxhimit të performancës me vizionin, qëllimet dhe planet e tyre zhvillimore.

What is DEMOS?

What is DEMOS?

Çka është DEMOS?

Çka është DEMOS?