Dardan Maliqi dhe Saranda Husaj Baraliu
Auditimi i brendshëm së bashku me një sistem të fortë të kontrollit të brendshëm, menaxhim efektiv të rrezikut dhe auditim të jashtëm është thelbësor për ruajtjen e parasë publike dhe sigurimin e qeverisjes llogaridhënëse, ruajtjen e integritetit dhe rritjen e besimit publik në komunat e Kosovës. Në Kosovë, pavarësisht se janë themeluar Njësitë e Auditimit të Brendshëm në komuna, si dhe vazhdimisht është rritur rëndësia e raportimit dhe rekomandimeve të auditimit të brendshëm, çdo vit Komunat përballen me gjetje nga Zyra Kombëtare e Auditimit që kryesisht ndërlidhen me menaxhim jo adekuat financiar, menaxhim të pasurisë, procese të prokurimit dhe menaxhimit të kontratave, procedurat e rekrutimit dhe si rezultat kjo ndikon në uljen e besimit tek publiku. Prandaj, viteve të fundit vëmendja është fokusuar në atë se sa janë efektive njësitë e auditimit të brendshëm dhe si mund të fuqizohen tutje.
Korniza rregullative që rregullon auditimin e brendshëm publik
Edhe pse korniza rregullative që rregullon kontrollin e brendshëm financiar publik, veçanërisht funksionin e auditimit të brendshëm është përgjithësisht e fortë dhe në fuqi, ekzistojnë disa fusha që duhet t’iu kushtohet vëmendje. Përveç legjislacionit primar dhe sekondar, ekzistojnë edhe dokumente të tjera të punës që janë thelbësore dhe që ofrojnë udhëzime dhe mbështetje të nevojshme për auditorët e brendshëm në kryerjen e aktiviteteve të auditimit.
Megjithatë, korniza aktuale ka disa mangësi. Si për shembull, metodologjia e vlerësimit të rrezikut, nuk është përditësuar për disa vite, duke e bërë atë të papërshtatshme për zhvillimet aktuale. Për më tepër, faktorët e rrezikut që janë identifikuar nuk janë përfshirë në fushëveprimin e Njësisë së Auditim të Brendshëm duke ndikuar në cilësinë dhe efikasitetin e punës së tyre. Me qëllim që të sigurohet në vazhdimësi një standard i lartë i auditimit të brendshëm dhe kontrollit financiar, është e domosdoshme që këto çështje të adresohen.
Funksionimi dhe sfidat me të cilat përballen Njësitë e Auditimit të Brendshëm
Komunat kanë krijuar Njësitë e Auditimit të Brendshëm në përputhje me legjislacionin në fuqi. Megjithatë, cilësia e planifikimit dhe raportimit është ende e dobët dhe përcjellja e zbatimit të rekomandimeve të auditimit është në fazën fillestare. Planet strategjike dhe vjetore të Njësisë së Auditimit të Brendshëm janë të gjata, në disa raste nuk janë konkrete, si dhe mungon analiza e bazuar në rrezik. Edhe pse, ka përmirësim në cilësinë e raporteve të auditimit të brendshëm, shumica e raporteve nuk kanë përkufizim të qartë të kritereve të auditimit dhe prezantim të gjetjeve, duke bërë që raportet të jenë vështirë të kuptueshme. Kjo ka disa pasoja, së pari mund ta krijojë përshtypjen e gabuar mbi proceset e qeverisjes. Së dyti, mund të mos arrijë ta paraqesë shkakun dhe pasojën e parregullsive apo mangësive të identifikuara si dhe të parandaloj keqpërdorimin e mundshëm të fondeve publike.
Poashtu, janë identifikuar edhe sfidat të tjera që ka nevojë të adresohen. Në disa raste, Njësitë e Auditimit të Brendshëm nuk kanë mbështetje të mjaftueshme financiare, kanë mungesë stafi dhe vonesa në rekrutim, si dhe mungesë të vlerësimit të punës së tyre nga drejtuesit e lartë.
Përveç kësaj, anëtarët e Komitetetit të Auditimit të Brendshëm kanë rol të dobët dhe më shumë perceptohen si vegël e kontrollit nga kryetarët e komunave, sesa si mbështetës të auditorëve të brendshëm. Përderisa bashkëpunimi në mes të auditorëve dhe të të audituarve gjatë procesit të auditimit është në nivel të kënaqshëm, ofrohet qasje dhe informacion i duhur dhe në kohë, vlen të përmendet se zbatimi i rekomandimeve të auditimit mbetet sfidë për komunat e Kosovës.
Në mënyrë që të sigurohet menaxhim i shëndoshë financiar, të plotësohen nevojat e qytetarëve dhe për të inkurajuar zhvillimin, është shumë e rëndësishme që të adresohen këto sfida dhe të fuqizohet funksionimi i Njësive të Auditimit të Brendshëm dhe Komiteteve të Auditimit të Brendshëm në komunat e Kosovës.
Qasja e DEMOS-it në fuqizimin e auditimit të brendshëm
Si përgjigje ndaj këtyre sfidave dhe me qëllim të rritjes së performancës së komunave në Kosovë, projekti DEMOS është duke ofruar përkrahje në zhvillimin e kapaciteteve të Njësive të Auditimit të Brendshëm dhe Komiteteve të Auditimit të Brendshëm, që përfshinë trajnimin dhe mentorimin në vendin e punës. Fillimisht, është kryer një analizë e plotë e mangësive dhe mundësive për përmirësim brenda Njësive të Auditimit të Brendshëm dhe Komiteteve të Auditimit të Brendshëm si dhe janë vlerësuar rregullat, metodat dhe problemet ekzistuese. Bazuar në këto analiza është ofruar zgjedhje e përshtatur për ta përmirësuar respektimin e politikave, standardeve dhe udhëzimeve ekzistuese, me fokus të veçantë në fuqizimin e Njësive dhe Komiteteve të Auditimit të Brendshëm.
Përveç kësaj, DEMOS-i i ka ndihmuar komunat që ta rrisin aftësitë e tyre në planifikim dhe auditim sa më efektiv. Kjo ka rezultuar në analizë dhe planifikim më të mirë të rrezikut në komuna. Gjithashtu, është krijuar baza e të dhënave për t’i gjurmuar rekomandimet e auditimit dhe është prezantuar një model për vlerësimin e rrezikut që ka ndihmuar në përmirësimin e cilësisë së raporteve të auditimit.
Ky model është shpërndarë tek auditorët e brendshëm të komunave, Zyra Kombëtare e Auditimit dhe Departamenti Qendror Harmonizues, në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve.
Ndikimi nga intervenimi projektit
“Një proces i mirë i auditimit do t’i ndihmonte drejtuesit që t’i përmirësojnë proceset e kontrollit të brendshëm në organizatë dhe me përmirësimin e këtyre proceseve shmangen edhe problemet në vlerësimet e mëtejshme,” tha ajo.
Gjatë kohëzgjatjes së projektit, DEMOS-i do të vazhdojë t’i mbështesë komunat në përmirësimin e funksionalitetit të mekanizmave të tyre të auditimit të brendshëm. Kjo përpjekje ka për qëllim rritjen e cilësisë së raporteve të auditimit dhe rritjen e nivelit të adresimit të rekomandimeve. Këto përpjekje pritet të kenë ndikim pozitiv në pushtetin lokal dhe të kontribuojnë në përmirësimin e përgjithshëm të ofrimit të shërbimeve për qytetarët.
Auditori i Brendshëm në komunën e Novobërdës, Kujtim Arifi, vlerëson që mbështetja e ofruar nga DEMOS-i ka kontribuar në përmirësimin e cilësisë së auditimeve të brendshme në përgjithësi. “Unë, si auditor, vlerësoj që përfitimi më i madh ka qenë në përparimin e raportimit, por përveç kësaj, me ndihmën e DEMOS-it kemi arritur që ta përmirësojmë menaxhimin e aseteve komunale, e cila ka reflektuar pozitivisht në opinionin e auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit,” thotë z. Arifi.