Shfleto menyne

Transformimi i jetës së qytetarëve: Një dekadë zhvillim i Grantit të Performancës Komunale në Kosovë

Në qendër të zonës turistike të Rahovecit, afërsi vreshtave të mirënjohura, po zbatohet një projekt i madh.  

Rahoveci është duke ndërtuar një kompleks modern sportiv, i menduar të jetë më i madhi në qytet. Kryetari i Komunës, Smajl Latifi, e ka prezantuar këtë projekt në fillim të vitit 2021, duke theksuar që do të jetë një nga zonat sportive më atraktive dhe një vlerë e shtuar për qytetin. Kostoja e projektit është mbi 350 mijë euro dhe përfshinë një fushë të madhe të futbollit, dy fusha të vogla të futbollit dhe një pistë për atletikë, dhoma të zhveshjes, tualete dhe ndriçim në ambientet e jashtme. 

Nxënësit duke luajtur në njërën nga fushat sportive të ndërtuara në Komunën e Rahovecit me Grantin e Performancës

Ky padyshim është një nga investimet më të mëdha direkte që Komuna e Rahovecit ka bërë ndër vite. Kompleksi sportiv publik është qendër shumë e rëndësishme për mirëqenien, kohezionin social dhe talentin e qytetarëve. Megjithatë, jo të gjitha komunitetet në Kosovë kanë hapësira të tilla. Projekti i Rahovecit, i mbështetur nga Granti i Performancës Komunale (GPK), shënon një kthesë të rëndësishme.Granti i Performancës Komunale është mjet inovativ i zhvilluar nga Projekti për Decentralizim dhe Përkrahje Komunave (DEMOS), në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për t’i përkrahur komunat. DEMOS-i bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian, Zvicra, Suedia dhe Norvegjia dhe zbatohet nga Helvetas Swiss Intercooperation Kosovo.

Nga viti 2014 deri në vitin 2023, grante në vlerë totale prej 33.5 milionë euro u janë dhënë 33 nga 38 komunave. Këto grante kanë financuar 430 projekte, duke ndikuar pozitivisht në jetët e një milion qytetarëve. 

 “Kur marrim parasysh buxhetin e vogël në komunën tonë, ndikimi i Grantit të Performancës është shumë i madh, sepse ndihmon në realizimin e shumë projekteve të planifikuara dhe rritë efikasitetin dhe cilësinë e ofrimit të shërbimeve publike për qytetarët”, u shpreh z. Ali Morina, Shef i Stafit të Kryetarit të Komunës së Rahovecit.

Ndikimi i këtyre projekteve nuk ka kaluar pa u vërejtur nga banorët lokalë si z. Nehat Canziba. Nehati i kujton vështirësitë me të cilat janë përballur duke jetuar në një zonë ku është duke u ndërtuar një kanal i ri për lehtësimin e përmbytjeve, i financuar nga Granti i Performancës Komunale. 

 “Kemi pasur probleme çdo vit. Përroin e thatë e kemi përdorur si rrugë dhe gjatë shirave të rrëmbyeshëm mbushej ujë dhe ngecnim me traktorë e kultivatorë. Ishte shumë vështirë për ne. Ky është investimi më i vlefshëm i komunës”, thotë z.Canziba.

Komuna e Graçanicës është një tjetër storie suksesi. Me Grantin e Performancës Komunale 2020 të ndarë për performancën e saj, kjo komunë ka financuar rregullimin e shtratit të Lumit Graçanka.

Strahinja Aitonović jeton në afërsi të shtratit të lumit të ndërtuar me GPK 

Strahinja Aitonoviç, një banor që jeton në afërsi, i kujton kushtet përreth lumit para ndërtimit të shtratit, duke përmendur barishtet e larta dhe mbeturinat e akumuluara. Ai tregon: “Gjatë shirave të rrëmbyeshëm lumi përmbytej dhe shtëpitë tona gjithmonë vërshoheshin”. Duke pohuar ndikimin transformues që investimi nga fondet e GPK-së ka pasur në shtratin e lumit, Vladica Trajkoviç, drejtor i shërbimeve publike në komunën e Graçanicës, pohon që këto nisma kanë qenë efektive në mbrojtjen e kësaj pjese të qytetit nga përmbytjet.

Ndërsa në Gjilan – komunë e cila ka fituar grantin për disa vite – këto fonde janë investuar në ndërtimin e rrugëve, shtratin e lumit, rrjetin e ujësjellësit dhe sistemin e kanalizimit. Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, gjithashtu vlerësoi rëndësinë e GPK-së. “Të gjitha projektet e përmendura më lartë kanë ndikuar në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, gjë për të cilën shprehim mirënjohjen tonë”, konkludoi ai.

Kosova ka 38 komuna, prej të cilave Podujeva është komuna më e madhe për nga sipërfaqja dhe Mitrovica e Veriut më e vogla. Çdo vit, Ministria e Financave llogaritë buxhetin për komunat në bazë të faktorëve si madhësia e territorit, popullsia dhe përqindja e pakicave.

Në vitin 2014, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) filloi punën me MAPL-në për institucionalizimin e përkrahjes së bazuar në performancë për komunat, nëpërmjet projektit DEMOS.

Aktualisht komunave iu ndahet granti nëse i përmbushin me sukses së paku katër kushte: raportimin e të dhënave të tyre në Sistemin për Menaxhimin e Performancës Komunale, rishikimin e akteve komunale, shpenzimin me sukses të buxhetit të tyre investues, dhe zbatimin e sistemeve për menaxhimin dhe kontrollin e financave. Shuma e grantit bazohet në popullsinë e tyre dhe rezultatet në 30 kritere të ndryshme të performancës.  

Si rezultat i përkrahjes së vazhdueshme ndërkombëtare, Kosova është dëshmitare e progresit të shënuar në performancën komunale.

“DEMOS-i ka bashkëpunuar me vite me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal në krijimin e Grantit të Performancës, nxitjen e përmirësimit të performancës komunale dhe ofrimin e shërbimeve te të gjithë qytetarët. Rezultatet mund të shihen në rritjen e performancës së komunave gjatë viteve dhe numrin e projekteve të fituara nga komunat dhe të investuara në projekte kapitale, të cilat i kanë shërbyer qytetarëve në komunat e tyre. Për më tepër, sistemi i performancës ka pasur ndikim pozitiv në të ardhurat e brendshme dhe vendimmarrjen e komunave”, thotë z. Ertan Munoglu, menaxher i projektit DEMOS.

Ministri i Administratës së Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqi, e sheh Grantin e Performancës Komunale si mundësi ideale për komunat që t’i financojnë projektet e tyre dhe të demonstrojnë përkushtim përmes konkurrencës së ndershme.

“MAPL së bashku me donatorët përmes kësaj skeme ka krijuar një garë në mes të komunave në të cilën fituese është ajo komunë e cila përmbush kriteret dhe arrin pikët maksimale në indikatorët të cilët bazohen në nevojat e qytetarëve”, tha ministri Krasniqi. 

Ministër Krasniqi, ambasadorët nga BE-ja, Suedia dhe Zvicra dhe kryetarët e komunave fituese pas ceremonisë së GPK-së të mbajtur në vitin 2023

Raporti i rishikimit të GPK-së, i realizuar në fund të vitit 2023 nga një konsulent ndërkombëtar, z. Gerhard van ‘t Land, thekson: “Gjatë dhjetë viteve të fundit, Granti i Performancës Komunale në Kosovë është zhvilluar plotësisht në një mjet që pranohet dhe vlerësohet gjerësisht për t’i nxjerrë në pah si boshllëqet në performancë në komuna ashtu edhe boshllëqet sistemike që pengojnë performancën komunale”.

Beate Katja Elsässer, udhëheqëse për bashkëpunim në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë – një mbështetëse e kahmotshme dhe e rëndësishme e pushtetit lokal në Kosovë – përshkruan pikëpamjen e saj mbi rëndësinë e Grantit të Performancës Komunale.

“Që nga viti 2006 Zvicra ka mbështetur një sistem qeverisës mirëfunksional në Kosovë. Komunat iu shërbejnë në mënyrë të drejtpërdrejt nevojave të qytetarëve. Kjo është arsyeja pse një komunë duhet të ketë mjete dhe kapacitete për t’i planifikuar dhe përdorur në mënyrë efikase dhe efektive fondet publike. Mbështetja e Zvicrës për pushtetin lokal ka për qëllim fuqizimin e kapaciteteve të performancës së komunave dhe mekanizmit të mirë të komunikimit ndërmjet nivelit qendror të shtetit dhe komunave. GPK-ja është mjet për nxitjen e të dyjave,” theksoi ajo.

Përgjatë viteve GPK-ja ka shërbyer si mjet për demokratizim në nivelin e pushtetit lokal dhe si shtytje financiare nëpërmjet projekteve që i prekin jetët e përditshme të qytetarëve. Kjo është arsyeja kryesore që ka çuar në mbështetje të vazhdueshme nga donatorët dhe transformimin që  do të pasojë në fazën e tretë dhe atë finale të projektit DEMOS.

Suedia është një nga donatorët kontribuues të GPK-së dhe qeverisjes lokale në Kosovë. Zëvendësshefi i Misionit të Suedisë në Kosovë, z. Henrik Riby, ka shprehur mirënjohje për mbështetjen që po ofron vendi i tij për fuqizimin e demokratizimit dhe llogaridhënies në nivel lokal.

Me përmirësimin në fushat e qeverisjes demokratike dhe ofrimit të shërbimeve komunale, autoritetet lokale sigurojnë gjithëpërfshirje në hartimin dhe zbatimin e projekteve në harmoni me kërkesat e komuniteteve,” shtoi ai.

Në përpjekje për nxitje të performancës efikase komunale në Kosovë, Ambasadori i BE-së në Kosovë, z. Tomáš Szunyog, thekson përkushtimin e Bashkimit Evropian për një mekanizëm inovativ të krijuar për ta përmirësuar performancën komunale. 

“BE-ja është jashtëzakonisht krenare të jetë pjesë e këtij mekanizmi inovativ që nxit performancën komunale dhe i sjell qytetarët më afër administratave të tyre lokale. Përmirësimi i efikasitetit të komunave të Kosovës është aspekt kyç i qeverisjes së mirë. Administrata publike që është llogaridhënëse, transparente dhe funksionon mirë përmirëson jetët e qytetarëve dhe kontribuon në mirëqenien e tyre,” theksoi ai.

Në muajin gusht të vitit 2022, Parlamenti i Kosovës miratoi Ligjin për Sistemin e Menaxhimit të Performancës së Komunave dhe Skemën e Grantit të Bazuar në Performancë.

Ky ligj i ri ka për qëllim institucionalizimin e mëtejshëm të Grantit dhe sistemit të menaxhimit të performancës, duke garantuar në të njëjtën kohë përkrahjen financiare. Ligji i përcakton parimet, rregullat, procedurat dhe standardet e matjes së performancës së komunave, si dhe operimin e grantit të bazuar në performancë dhe sistemit për menaxhimin e performancës. 

“Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Sistemin e Menaxhimit të Performancës së Komunave dhe Grantin e bazuar në Performancë ne kemi treguar përkushtimin e duhur dhe angazhimin e nevojshëm se ky grant mund të menaxhohet nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal”, thotë Ministri i MAPL-së, z. Elbert Krasniqi. 

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal pritet ta zbatoj Grantin e Performancës Komunale në mënyrë të pavarur deri në fund të vitit 2025. DEMOS-i është duke e mbështetur këtë tranzicion. 

“Ne po bashkëpunojmë ngushtë me MAPL-në, në mënyrë që sistemi i performancës dhe Granti i Performancës të menaxhohen vetëm nga MAPL-ja. Menaxhimi i performancës komunale dhe Granti i Performancës janë të qëndrueshme nëpërmjet ligjit dhe financimit nga Qeveria e Kosovës. Përveç kësaj, ne gjithashtu jemi duke e mbështetur MAPL-në për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve për ta menaxhuar Grantin dhe sistemin në përgjithësi, në mënyrë të pavarur nga ne”, thotë z. Ertan Munoglu, Menaxher i Projektit DEMOS. 

Derisa GPK-ja vazhdon t’i mbështesë komunat, rezultatet e skemës së performancës komunale janë shndërruar në pikë reference në Kosovë për shumëkë, përfshirë shoqërinë civile.

Z. Sadri Rrmoku, ekspert për Qeverisje Lokale dhe Demokratizim nga Instituti i Kosovës për Qeverisje Lokale (KLGI) shpjegon që shumë organizata të shoqërisë civile në Kosovë i referohen rezultateve të GPK-së kur aplikojnë për thirrje të ndryshme të donatorëve dhe zbatojnë projekte që lidhen me ndërhyrjet e nevojshme në nivel lokal. 

“Sistemi i performancës ekziston falë Grantit të Performancës dhe Granti i Performancës falë donatorëve ndërkombëtarë,” thotë ai, duke shtuar që për shkak të interesit të donatorëve për të investuar në demokratizim në nivel lokal, shoqëria civile ka avokuar për institucionalizimin e sistemit të skemës së performancës. “Me gjasë është modeli më i mirë që kemi. Mendoj që në të ardhmen duhet të kalojmë nga matja sasiore e performancës në matje cilësore të projekteve të zbatuara në nivel lokal, por tani për tani funksionon edhe kjo”, theksoi Rrmoku.

Qeverisja lokale është si bazë për mirëqenien e komunitetit, duke ndërlidhur shpresat dhe nevojat e njerëzve. Nga ndërtimi i rrugëve tek ofrimi i shërbimeve, vendimet e marra nga udhëheqësit lokalë kanë ndikim të thellë në strukturën e jetës së qytetarëve. Qeverisja e mirë lokale është shumë e rëndësishme për mirëqenien e secilit. Gjatë dekadës së kaluar Granti i Performancës Komunale ka sjellë ndryshime në Kosovë, duke ndikuar në arritjen e ndryshimeve në menaxhimin dhe funksionimin e jetës së qytetarëve. 

What is DEMOS?

What is DEMOS?

Çka është DEMOS?

Çfarë është DEMOS?