Shfleto menyne

Rishikimi i Sistemit të Performancës Komunale dhe Grantit: Sfidat dhe mundësitë për komunat

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe DEMOS janë duke punuar në  rishikimin e Sistemit të Menaxhimit të Performancës Komunale dhe Grantit të Performancës Komunale, me qëllim të plotësimit të nevojave të komunave dhe qytetarëve. Për të diskutuar çështje që kanë të bëjnë me Sistemin dhe Grantin, MAPL dhe DEMOS organizuan një punëtori dyditore me kryetarë, nënkryetarë e zyrtarë të lartë të komunave, ku morën pjesë edhe donatorët e projektit, përkatësisht Zvicra dhe Suedia si dhe Zyra Kombëtare e Auditimit. 

Temat kryesore që nxitën diskutime ishin kushtet minimale për Grantin e Performancës Komunale treguesit e Sistemit të Menaxhimit të Performancës Komunale, si dhe procedurat për zbatim të projekteve komunale. 

Imri Ahmeti, nënkryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës përmendi sfidat që kanë të bëjnë me përmbushjen e kushteve minimale për kualifikim për Grantin e Performancës Komunale, në veçanti opinioni pozitiv i auditimit, si dhe shpenzimi i buxhetit për investime kapitale së paku 75%.

“Arsyeja është që edhe opinioni i auditorit nganjëherë nuk ka të bëjë me përgjegjësitë e kryetarit, ta zëmë për shkak të përmbaruesve privat, për shkak të kontratave kolektive për të cilat komunat nuk janë palë nënshkruese të marrëveshjes, por janë Ministritë, ky opinion po i penalizon komunat. I njejti fat është edhe te shpenzimet e buxhetit. Alokimin e buxhetit ne shpesh nuk e marrim deri në fund të marsit, mos të flasim pastaj për një kontekst të rastit që mund ta kemi në Organin Shqyrtues të Prokurimit.  Kështu vjen vjeshta pa pasur mundësi ta shpenzojmë buxhetin”, tha z.Ahmeti.

Për komunat, u vlerësua si shumë e rëndësishme që gjatë procesit të rishikimit të Sistemit për Menaxhimin e Performancës Komunale të mos vlerësohen treguesit për të cilat komunat nuk kanë përgjegjësi, siç është për shembull menaxhimi i ujit.

Sistemi i Menaxhimit të Performancës Komunale u themelua nga MAPL në vitin 2009 si mekanizëm që ka për qëllim ngritjen e performancës komunale në ofrimin e shërbimeve administrative dhe publike. Projekti DEMOS e ka mbështetur sistemin nga viti 2014, duke kontribuar në vazhdimësi në përmirësimin e tij përmes rishikimit të fushave, treguesve, raportimit e verifikimit të të dhënave. Ky mekanizëm tani është i përbërë nga 119 tregues të performancës të grupuar në 19 fusha.

Besim Myrtezani, drejtor i Departamentit Ligjor në MAPL thotë se ky sistem tani ka krijuar një traditë dhe histori të funksionimit, megjithatë nga diskutimet me kryetarë, nënkryetarë e zyrtarë të lartë komunal u pa se ka vështirësi të vazhdueshme dhe në përgjithësi të arsyeshme.

“Të gjitha këto që janë diskutuar ne si Ministri do t’i marrim për bazë dhe bashkë me donatorët do të bëjmë përpjekje që të bëjmë përmirësimin aty ku përmirësimi është i mundshëm, duke mos e dëmtuar Sistemin në përgjithësi. Ishin diskutime mjaft cilësore dhe përmbajtësore sa i përket të ardhmës së këtij sistemi. Duke pasur parasysh se ishin akterët kryesor në takim, vlerësoj se punëtoria ishte mjaft e suksesshme për neve si Ministri edhe për DEMOS-in”, tha z.Myrtezani.

“Ne jemi tani në proces të vlerësimit të të dhënave për vitin 2022, ndërsa për vitin 2023 vlerësimi i performancës do të na gjejë me sistem të ndryshuar dhe më të avancuar”, shtoi ai.

Projekti DEMOS, i cili po mbështetë MAPL-në në rishikimin e Sistemit dhe të Granit, ka mirëpritur diskutimet, idetë e sugjerimet e dhëna gjatë punëtorisë. “Derisa jemi duke punuar në këtë proces, këto diskutime do të na ndihmojnë shumë që të avancojmë Sistemin, me tregues që janë të fokusuar në ndikimin tek qytetarët”, tha Alan Packer, drejtor i projektit DEMOS.

Gjatë punëtorisë me kryetarë, nënkryetarë e zyrtarë të lartë komunal, pjesëmarrësit patën mundësinë të shkëmbejnë përvojat rreth performancës komunale në Shqipëri. Përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në Shqipëri dhe të projektit “Bashki të Forta” zbatuar nga Helvetas, shpjeguan për reformën që po bëhet për përmirësimin e shërbimeve për qytetarët në 61 bashkitë e vendit. Shqipëria aktualisht është në proces të përgatitjes së Sistemit të Menaxhimit të Përformancës së Bashkive dhe përvoja e gjatë e Kosovës me këtë sistem është vlerësuar si shumë e dobishme. 

Projekti DEMOS është në fazën e tretë të zbatimit dhe deri në fund të tij, në dhjetor 2025, synon që menaxhimi i Grantit të Performancës Komunale të bëhet në mënyrë të pavarur dhe plotësisht kredibile nga MAPL. Në këtë drejtim, projekti po ndihmon në avancimin e mëtutjeshëm të Sistemit dhe Grantit, e paralelisht me këtë edhe në fuqizimin e kapaciteteve të Ministrisë dhe komunave për menaxhimin e këtij granti. 

Vetëm në dy vitet e fundit, nga Granti i Performancës Komunale, komunat kanë përfituar projekte në vlerë prej afër 16 milionë euro, prej të cilave nga mjetet e projektit DEMOS III janë dhënë afër 9,2 milionë euro. 

DEMOS III bashkëfinancohet nga BE, Zvicra, Suedi dhe Norvegjia, ndërsa zbatohet nga Helvetas Swiss Intercooperation Kosovo. 

What is DEMOS?

What is DEMOS?

Çka është DEMOS?

Çka është DEMOS?