Projekti DEMOS është duke punuar ngushtë me komunat për ta rritur angazhimin e qytetarëve dhe funksionin mbikëqyrës të anëtarëve të Kuvendit Komunal. Qëllimi është të fuqizohet llogaridhënia lokale, të rritet përgjegjësia dhe të motivohen anëtarët e Kuvendeve Komunale për t’i përmbushur detyrat e tyre.
Në këtë kuadër, DEMOS-i i ka ofruar mbështetje Mimoza Kadriut, anëtare e Kuvendit Komunal në Gjilan, në organizimin e një ligjërate sensibilizuese për rëndësinë e shëndetit në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Aktiviteti u ndoq nga mbi njëqind gra, duke përfshirë gra të mbijetuara nga kanceri i gjirit, dhe synonte ta rriste ndërgjegjësimin për rëndësinë e shëndetit të gjirit.
Zonja Kadriu vlerësoi mbështetjen e pakursyer të DEMOS-it gjatë gjithë mandatit të saj. “Përkrahja e DEMOS-it është një mundësi e madhe, pasi kjo ndoshta ka qenë dhe vazhdon të jetë e vetmja mundësi që anëtarët e tjerë të Kuvendit Komunal të organizojnë ngjarje të tilla. Besoj fuqishëm se kjo mbështetje do t’i frymëzojë anëtarët e tjerë që të ndërmarrin iniciativa të ngjashme, duke nxitur një komunitet më të informuar dhe më të angazhuar”, tha Kadriu.
Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, znj. Leonora Morina-Bunjaku, shprehu mbështetjen e saj për këtë iniciativë dhe kërkoi nga anëtarët e Kuvendit Komunal që të ndërmarrin aktivitete të ngjashme dhe të angazhohen me qytetarët. “Ata nuk duhet të hezitojnë por të marrin iniciativa, ashtu si nisma e Mimozës për ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit. I bëj thirrje Kuvendit Komunal që të jetë sa më aktiv jo vetëm gjatë muajve të caktuar, por gjatë gjithë mandatit të tyre”, theksoi ajo.
Projekti DEMOS, në bashkëpunim me Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka filluar monitorimin e performancës së anëtarëve të Kuvendeve Komunale në fillim të këtij viti. Përmes monitorimit të kësaj performance, DEMOS-i shpreson që kjo jo vetëm që do t’i mbajë ata përgjegjës, por edhe do ta forcojë lidhjen jetike ndërmjet anëtarëve të Kuvendit Komunal dhe qytetarëve të cilëve u shërbejnë.
Znj. Fatime Rrahmani, Menaxhere e Ndërhyrjes në DEMOS, theksoi se një nga objektivat e projektit të DEMOS është rritja e përkushtimit të anëtarëve të Kuvendit Komunal në rritjen e përfshirjes së qytetarëve në takimet publike dhe përmbushjen e përgjegjësive të tyre.
Çdo iniciativë, çdo tubim publik dhe çdo zgjedhje e përgjegjshme e ndërmarrë nga anëtarët e Kuvendit Komunal i fuqizon njerëzit të shprehin mendimet e tyre dhe të marrin pjesë aktive në formësimin e një të ardhmeje më të ndritshme për komunën e tyre.
Projekti DEMOS bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian, Zvicra, Suedia dhe Norvegjia, ndërsa implementohet nga Helvetas Swiss Intercooperation.