Shfleto menyne

Angazhimi i DEMOS-it për fuqizimin e këshillave lokal

Dhjetëra përfaqësues të Këshillave lokale janë mbledhur në një tryezë diskutimi organizuar nga projekti DEMOS, për të diskutuar funksionimin e Këshillave Lokal, sfidat me të cilat përballen dhe mundësitë për adresimin e tyre.

Diskutimit i parapriu prezantimi i analizës së bërë nga DEMOS për këtë çështje, realizuar në fund të vitit të kaluar në 14 komuna të Kosovës. Analiza ka gjetur disa sfida që pengojnë funksionalitetin e plotë dhe gjithëpërfshirjen e këshillave lokalë. Së pari, vetëm 50% e komunave i kanë konsoliduar këshillat lokal. Mungesa e kompensimit financiar për anëtarët e këshillave është identifikuar si një sfidë kryesore, pasi kjo ndikon negativisht në ushtrimin e rolit të tyre. Një nga gjetjet më të rëndësishme të raportit ishte nën-përfaqësimi i grave në këshillat lokalë, me vetëm 1% të anëtarëve të këshillave që janë gra.

Kryetarja e fshatit Shalë të Lipjanit, Xhylë Korpuzi, e cila është nga gratë e pakta që udhëheqin me këshilla lokal, vlerësoi se gratë janë të nënpërfaqësuara për shkak të aspekteve tradicionale e patriarkale si dhe mungesës së mbështetjes nga familja. Ajo theksoi rëndësinë e ngritjes së vetëdijes së burrave për të mbështetur gratë që të jenë pjesë e vendimmarrjes.

Paqartësitë lidhur me kompenzimet financiare për këshillat lokal dominuan diskutimin, pasi që komunat përdorin forma jo-uniform të pagesave. Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Lipjanit, Daut Azemi tha se duhet të gjinden forma të reja dhe që kompenzimi duhet të bëhet për të gjithë anëtarët e këshillave lokal e jo vetëm për kryetarët.

Gjatë diskutimit me anëtarë të tjerë të këshillave lokalë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, u theksua se qasjet e ndryshme në lidhje me kompensimin financiar ndikojnë negativisht edhe në raportet vjetore të auditimit të komunave. Drejtoresha e Administratës nga komuna e Kaçanikut Dardana Dauti shpjegoi se pas marrjes së sqarimeve nga Ministria e Financave, përkatësisht nga Thesari dhe Zyra Kombëtare e Auditimit, ata gjetën një zgjidhje për kompensimin financiar të këshillave lokal.  

Përfaqësuesja e platformës Civikos, Gresa Berisha theksoi se një analizë e tyre ligjore ka treguar se nuk ka pengesa ligjore për kompensimin financiar të këshillave lokal, por komunat kanë nevojë për udhëzime se ku të alokojnë fondet për këtë qëllim. Pjesëmarrësit adresuan gjithashtu kërkesën për rishikimin e kornizës ligjore që rregullon funksionimin e këshillave lokale.

Zëvendësmenaxheri i projektit DEMOS, Shpend Emini shprehu gatishmërinë e projektit që në bashkëpunim me organizatat tjera joqeveritare që punojnë në këtë fushë, të përcjellin shqetësimet dhe rekomandimet e përfaqësuesve të këshillave lokal tek institucionet përkatëse për shqyrtim dhe veprim të mëtejme.

Projekti DEMOS – bashkëfinancuar nga BE, Zvicra dhe Suedia, zbatuar nga Helvetas Swiss Intercooperation – ndër vite angazhohet për përfshirjen më të madhe të qytetarëve në qeverisje lokale dhe bashkëpunim më të mirë të komunave me komunitetin. Këshillat lokal janë mekanizma institucional për të arritur këtë qëllim, andaj funksionimi i mirë i tyre dhe gjithëpërfshirja është shumë i rëndësishëm për ndërtimin e një qeverisjeje lokale më të përgjegjshme, transparente dhe të orientuar drejt nevojave të komunitetit.

Për një pasqyrë të plotë mbi funksionimin e këshillave lokal, lexoni analizën e përgatitur nga DEMOS këtu. Për të parë videon që shpjegon rolin dhe sukseset e këshillave lokal, klikoni këtu

What is DEMOS?

What is DEMOS?

Çka është DEMOS?

Çfarë është DEMOS?