Në ditët e para të korrikut, në mes të verës, njerëz të të gjitha moshave u mblodhën në parkun e ri në Suharekë. Nga fëmijët që vraponin nëpër shtigje deri tek banorët më të moshuar që shijonin hapësirat e gjelbra, parku është shndërruar në një vend ku i gjithë komuniteti mblidhet dhe kalon kohë në natyrë. Kjo u bë e mundur falë Grantit të Performancës Komunale, një iniciativë e nisur nga organizata Helvetas, përmes projektit DEMOS, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, Zvicra dhe Suedia.
“Për vite me radhë, Komuna e Suharekës është renditur vazhdimisht ndër komunat me performancën më të lartë në Kosovë dhe vlen të theksohet se në vitin e fundit raportues, 2023, u rendit e treta,” shpjegon Rinor Zyrapi, Koordinator i Performancës në Suharekë.

“Granti i Performancës është një plus i madh për ne,” shton ai. “Buxheti ynë komunal për investime kapitale është rreth 13 milionë euro në vit, por granti na dha mjete shtesë për të investuar në projekte që qytetarët i konsiderojnë thelbësore, si parqet dhe hapësirat ekologjike e rekreative.”
Vendimi për t’u fokusuar në parqe rekreative dhe kënde lojërash ishte i qëllimshëm. “Duhej të investonim në projekte ekologjike, efikase dhe të orientuara drejt qytetarëve, që arrijnë drejtpërdrejt tek ta,” shpjegon Zyrapi. “Në të njëjtën kohë, qytetarët e Suharekës kishin nevojë për hapësira të sigurta dhe moderne ku familjet, fëmijët dhe të rinjtë të mund të mblidheshin. E pamë këtë si një mundësi për t’iu përgjigjur të dyjave.”
Komuna investoi mjetet e grantit në ndërtimin e një qendre të re sportive dhe rekreative me fusha moderne në lagjen “Fidanishte”, duke krijuar një hapësirë dinamike ku komuniteti mund të qëndrojë aktiv.

Për komunitetin, ky investim krijoi një hapësirë ku qytetarët mund të shijojnë kohën e lirë në natyrë me familjet e tyre.
“Ky projekt synon krijimin e hapësirave të sigurta dhe moderne për lojë, rekreacion dhe zhvillim të shëndetshëm të fëmijëve.
Këndi i lojërave shërben si vend takimi për familjet dhe komunitetin, duke promovuar aktivitetin fizik, socializimin dhe jetën aktive në natyrë. Njëkohësisht, ky investim kontribuon në përmirësimin e mjedisit urban dhe rritjen e cilësisë së jetës për qytetarët e Suharekës.” – thotë Lirim Qatani, një banor i afërt, mirënjohës për projektin.

Ndikimi i hapësirave publike në komunitet
Parqet janë më shumë sesa thjesht kënde lojërash. Prindërit e shfrytëzojnë si një vend i sigurtë ku fëmijët e tyre mund të luajnë. Adoleshentët i shfrytëzojnë hapësirat e hapura për çiklizëm dhe sporte. Bizneset e vogla, nga kioskat deri te qiratë e biçikletave, kanë filluar të përfitojnë nga rritja e aktivitetit rreth parqeve.
“Më parë kishte pak hapësira të sigurta për të rinjtë jashtë kafeneve,” thekson Zyrapi. “Tani kemi më shumë dhe më të mira mundësi ku njerëz të të gjitha moshave mblidhen së bashku. Ato tashmë e kanë ndryshuar ritmin e jetës në komunitet,” thotë ai.
Si çdo projekt infrastrukturor, edhe parqet u shoqëruan me sfida, nga procedurat burokratike deri tek vështirësitë e zbatimit. Por, Zyrapi thekson se udhëheqja e fortë komunale dhe bashkëpunimi me donatorët bënë dallimin. “Mbështetja e vazhdueshme e Kryetarit Bali Muharremaj siguroi që çdo projekt, veçanërisht ato të lidhura me ambasada dhe organizata donatore, të merrte përkrahjen maksimale,” thotë ai.

Përvoja e Suharekës tregon se si financimi i bazuar në performancë mund t’i shtyjë komunat të realizojnë projekte të dukshme dhe domethënëse. Duke lidhur cilësinë e qeverisjes me mbështetjen financiare, Granti i Performancës Komunale i nxit udhëheqësit lokalë të planifikojnë me kujdes, të raportojnë në mënyrë transparente dhe të prioritizojnë nevojat e qytetarëve.
Ndërsa fëmijët vrapojnë në parqet e reja të Suharekës, është e qartë se granti ka ndërtuar më shumë sesa kënde lojërash. Ai ka krijuar një ndjenjë të hapësirës së përbashkët komunitare, u ka dhënë familjeve mundësi të reja për rekreacion dhe u ka kujtuar qytetarëve se qeverisja e mirë mund të çojë drejtpërdrejt në një jetë të përditshme më të mirë.