Shfleto menyne

Nisma për zbutjen e analfabetizmit për gratë nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian

Në kuadër të aktiviteteve me anëtarët e Kuvendeve Komunale, DEMOS ka mbështetur një anëtare të Kuvendit Komunal në Ferizaj, Mimoza Sojeva Pajaziti në fillimin e diskutimeve me gratë e komuniteteve Rom, Ashkali e Egjiptian për modalitetet e zbutjes së analfabetizmit. 

Në kohën e sotme, kur dija dhe aftësitë e leximit dhe shkrimit janë thelbësore për të përmirësuar jetën dhe për të kontribuar në shoqëri, analfabetizmi është një ndër sfidat më të mëdha me të cilën përballen këto gra.

Fatime Rrahmani, menaxhere e ndërhyrjes në DEMOS, theksoi se anëtarët e kuvendeve komunale janë më afër kërkesave të komunitetit, andaj projekti po i mbështetë ata në nismat që kanë për qëllim përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve që përfaqësojnë në kuvend dhe rritjen e angazhimit të tyre.

Gratë nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian që morën pjesë në takim shprehën interesimin për të filluar rrugën drejt mësimit të shkrim-leximit. Njëra nga pjesëmarrëset Antigona Hasani shpjegoi se si mungesa e njohurive në këtë aspekt, po ju ndikon edhe në punësim: 

“Jemi të interesuara shumë dhe kemi nevojë. Unë gjithmonë aplikoj për punë, por çdo herë më pyesin se sa di shkrim dhe lexim. Di deri diku, por jo shumë. Kjo edhe kushtëzon punësimin tim”, tha Hasani.

Nismëtarja e kësaj ideje, Mimoza Sojeva Pajaziti, anëtare e Kuvendit Komunal në Ferizaj, nënvizoi se qëllimet afatgjata të këtij projekti janë të fokusuara në zvogëlimin e nivelit të alfabetizmit në komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Ajo theksoi nevojën për ofrimin e programeve të përshtatshme për shkrim, lexim (përfshirë njohjen e numrave) dhe trajnime për mësim. Kjo nismë synon të ndihmojë në zbatimin e politikave arsimore të adaptuara për këto grupe dhe në sigurimin e një përputhshmërie më të madhe, duke i siguruar njohuritë bazë për të gjitha gratë që kanë nevojë.

“Projekti synon të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së jetës së grave në këto komunitete duke ofruar jo vetëm aftësi të reja shkrimi dhe leximi, por edhe duke integruar elemente të tjera të edukimit si shkolla për prindërimin, trajnime për punësim dhe përkrahje për zhvillimin e aftësive profesionale. Kjo do të ndihmojë gratë të jenë më të pavarura, të kenë mundësi të punojnë në fusha të ndryshme dhe të kontribuojnë në zhvillimin e tyre personal dhe komunitar,” tha ajo.

Në këtë kontekst, Drejtoria e Arsimit planifikon të ofrojë hapesirën shkollore dhe mjetet e nevojshme për mbështetjen e kësaj nisme.

“Ne si drejtori jemi të gatshëm të ofrojmë hapësirën shkollore dhe mjetet tjera të cilat janë të nevojshme për mbarëvajtjen e aktivitetit të paraparë sipas projektit” u shpreh Afrim Llabjani, Drejtor i Arsimit në Ferizaj.

Pakize Bujani, anëtare e Kuvendit Komunal nga radhët e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian u shpreh e bindur se me fillimin e orëve të shkrim-leximit do të krijohen mundësi për punësimin e këtyre grave. “Kjo do të thotë që në rast se hasin në ndonjë konkurs të hapur për punë, ato do të jenë në gjendje të aplikojnë vetë, pa kërkuar ndihmë ose asistencë”, tha ajo.

Në përfundim të takimit, të gjithë pjesëmarrësit u pajtuan të vazhdojnë së bashku me identifikimin e grave tjera që kanë nevojë për këto mësime. Pas kësaj, do të planifikohen organizime dhe ndërmjetësime të reja për mësimin dhe aftësimin e tyre. Anëtarja e Kuvendit Komunal të Ferizajt, znj.Mimoza Sojeva Pajaziti siguroi pjesëmarrëset në takim se do të angazhohet brenda komunës por edhe me organizatat joqeveritare që veprojnë në Ferizaj, për të filluar sa më parë orët e shkrim-leximit.

What is DEMOS?

What is DEMOS?

Çka është DEMOS?

Çfarë është DEMOS?