Shfleto menyne

Ndahen çmimet për anëtarët më aktiv të kuvendeve komunale 

Gentrit Murseli, Gresa Avdiu dhe Besnik Shala kanë rezultuar të jenë anëtarët më aktiv të kuvendeve komunale në gjashtë komuna: Prizren, Gjilan, Rahovec, Malishevë, Istog dhe Kllokot, ku DEMOS bashkë me KDI-në kanë monitoruar punën e anëtarëve të Kuvendeve Komunale gjatë periudhës maj 2023-shkurt 2024. Vlerësimi i tyre është bërë sipas nëntë treguesve që kanë matur performancën bazuar në rolin përfaqësues, legjislativ dhe monitorues, ku përfshihen takimet me qytetarë, me grupe të margjinalizuara, numri i çështjeve në ngritura në seanca të Kuvendit Komunal, numri i nismave ligjore, numri i propozimeve gjatë dëgjimeve buxhetore, numri i projekteve të mbikëqyrura etj.

Çmimet janë ndarë në tri kategori: anëtari më aktiv i Kuvendit Komunal – Gentrit Murseli (79 pikë), anëtarja më aktive e Kuvendit Komunal – Gresa Avdiu (57 pikë) dhe anëtari më aktiv me mandat të parë në Kuvendin Komunal – Besnik Shala (65 pikë).

Gjithashtu për të tri kategoritë u ndanë mirënjohje edhe në nivel të komunës për anëtarët më aktiv.

  • Prizren anëtari më aktiv rezuloi Petrit Hoxhaj (65 pikë), anëtarja më aktive Dafina Alishani (50 pikë), ndërsa anëtarja më aktive me mandat të parë Egzona Hoxhaj (40 pikë). 
  • Gjilan anëtari më aktiv u shpall Gentrit Murseli (79 pikë), anëtarja më aktive Gresa Avdiu (57 pikë), ndërsa anëtari më aktiv me mandat të parë Besnik Shala (65 pikë). 
  • Rahovec, Ilir Pallqa u shpërblye me mirënjohje të dyfishtë, edhe si anëtari më aktiv edhe si anëtari me mandat të parë më aktiv (59 pikë), ndërsa si anëtarja më aktive për këtë komunë u shpall Dafina Gashi (37 pikë).  
  • Malishevë, Amrush Helshani mori gjithashu dy mirënjohje, si anëtari më aktiv i Kuvendit Komunal dhe si anëtari më aktiv me mandat të parë (52 pikë), ndërsa anëtarja më aktive rezultoi Agnesa Kastrati (15 pikë). 
  • Istog poashtu kishim një fitues për dy kategori, Niman Beqiraj si anëtari më aktiv i Kuvendit Komunal dhe anëtari më aktiv me mandat të parë (40 pikë), ndërsa Arta Balaj u nderua si anëtarja më aktive e Kuvendit Komunal të Istogut (26 pikë).

Kllokot, Admirim Etemi u shpall si anëtari më aktiv i Kuvendit Komunal si dhe anëtari më aktiv me mandat të pare (28 pikë), ndërsa Dragana Jerinić u vlerësua si anëtarja më aktive (7 pikë).


Ndarja e çmimeve u bë një ceremoni, në të cilën morën pjesë zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Z. Avdulah Djesevic dhe ambasadorët e Bashkimit Evropian në Kosovë, Zvicrës e Suedisë si donatorë të projektit DEMOS.

Zv.ministri Djesevic përgëzoi anëtarët e Kuvendeve Komunale që kanë treguar rezultate pozitive gjatë monitorimit duke vlerësuar lart punën që bëjnë ata. “Kuvendet komunale kanë rol të rëndësishëm në udhëheqjen e sukseshme të komunës si organi kryesor vendimmarrës”, shtoi ai.

Shefi i Zyrës së BE-së, Tomáš Szunyog tha se anëtarët e Kuvendeve Komunale janë zgjedhur nga qytetarët dhe janë të thirrur të marrin vendime në emër të tyre. “Ju përgëzoj për demonstrimin e këtij angazhimi, duke qenë të hapur ndaj kontributeve të qytetarëve, duke ngritur në mënyrë aktive shqetësimet e tyre dhe duke garantuar transparencë e llogaridhënie në proceset vendimmarrëse”, theksoi ambasadori Szunyog.

Duke folur për mbështetjen shumëvjeçare të Zvicrës në Kosovë në fushën e qeverisjes lokale,  ambasadori zvicran, Jürg Sprecher në fjalimin e tij drejtuar anëtarëve të Kuvendeve Komunale tha: “Ju jeni afër qytetarëve, mund të identifikoni shqetësimet dhe interesat e tyre, dhe t’i ktheni disa prej tyre në procese politike. Duke e bërë këtë, ju siguroheni që nevojat e komunitetit të dëgjohen dhe të integrohen në vendimmarrje. Kjo jo vetëm që çon në vendime më të mira, por i fuqizon anëtarët e komunitetit që ta ndiejnë se kanë rol në formimin e së ardhmës në komunën e tyre”.

Ambasador i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, shprehu kënaqësinë me performancën e  anëtarëve të Kuvendeve Komunale në komunat e monitoruara, duke nënvizuar rolin e tyre mbikëqyrës. “Vlerësimi i rregullt i progresit të projekteve është thelbësor për qeverisje efektive. Anëtarët e Kuvendeve Komunale luajnë një rol vendimtar në këtë drejtim, duke vlerësuar se si po zhvillohen projektet, duke identifikuar sfidat apo vonesat dhe duke ndërmarrë masa për të siguruar zbatimin e projekteve në kohë dhe  brenda fushëveprimit”, tha ambasodori Westerlund.

Kjo ishte hera e parë që projekti DEMOS ka bërë monitorimin e punës së anëtarëve të Kuvendeve Komunale, duke u fokusuar në gjashtë komuna, që kanë shprehur interesim për të qenë pjesë e këtij procesi. Përzgjedhja e komunave është bërë duke pasur parasysh madhësinë territoriale, duke siguruar përfshirjen e komunave të mëdha, të mesme e të vogla, si dhe diversitetin politik e etnik në udhëheqjen e këtyre komunave. Rezultatet e plota nga raporti i monitorimit mund t’i gjeni këtu

What is DEMOS?

What is DEMOS?

Çka është DEMOS?

Çfarë është DEMOS?