Shfleto menyne

Adresimi i shqetësimeve të komunitetit

Adresimi i shqetësimeve të komunitetit: Zotimi i Komunës së Lipjanit për sfidat e zhvillimit dhe furnizimit me ujë

Lipjani, komunë në Kosovë, së fundi ka organizuar një takim ndërmjet përfaqësuesve të Zyrës së BE-së në Kosovë, Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe z. Imri Ahmetit, Kryetarit të Komunës së Lipjanit. Takimi u fokusua në diskutimin për Sistemin Komunal për Menaxhimin e Performancës dhe adresimin e shqetësimeve të ngritura nga komunitetet lokale. Takimi hodhi dritë si për mundësitë ashtu edhe për sfidat me të cilat përballet Komuna e Lipjanit në rrugëtimin e saj për zhvillim.

Partnerët zhvillimorë ishin të lumtur të dëgjojnë gjatë takimit se si Sistemi për Menaxhimin e Performancës ka rritur përdorimin e të dhënave në vendimmarrjen e Komunës. “Ne inkurajojmë vendimmarrje të bazuar në dëshmi dhe është shumë pozitiv zotimi i Komunës së Lipjanit për përdorimin e të dhënave që i mbledhin kur marrin vendime në lidhje me shfrytëzimin e fondeve publike tha përfaqësuesja e BE-së, Mikaela Gronqvist, udhëheqëse e ekipit që punon në Zyrën e BE-së në Kosovë.

Nasrin Pourghazian, Udhëheqës i Njësisë për Bashkëpunim në Agjencinë Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit, tha: “Suedia beson në fuqinë e partneriteteve. Duke punuar bashkë me autoritetet lokale, ne mund të gjejmë zgjidhje gjithëpërfshirëse për sfidat me të cilat përballet Komuna e Lipjanit dhe mund të kontribuojmë në krijimin e një komune më gjithëpërfshirëse dhe më të suksesshme në aspektin financiar.”

Saranda Cana, Zyrtare e Lartë e Programit në Ambasadën e Zvicrës shtoi:“Krahas stimulimit për performancë të përmirësuar komunale, Granti i Performancës Komunale (GPK) gjithashtu kontribuon për një kornizë më të favorshme të qeverisjes lokale në Kosovë. GPK është i rëndësishëm për diagnostikimin dhe adresimin e aspekteve të rëndësishme që lidhen me financimin e pushtetit lokal, menaxhimin e projekteve për investimeve kapitale komunale, ndjekjen e rekomandimeve të auditimit, etj.”  

Një nga pikat kryesore të diskutimit ishte projekti “Ndërtimi i rezervuarit të ujit dhe rehabilitimi i rrjetit të ujësjellësit në Janjevë”, i cili është planifikuar të financohet nga Granti i Performancës Komunale në kuadër të programit DEMOS III. Donatorët vizituan fshatin Janjevë dhe dëgjuan drejtpërdrejt nga përfaqësuesit e komunitetit problemet me të cilat përballen në furnizimin me ujë si rezultat i dëmtimit të sistemit të vjetër të ujësjellësit. Komuna e Lipjanit ndau një pjesë të grantit të saj për ndërtimin e rezervuarit të ri të ujit, i cili shërben si një hap vendimtar për adresimin e sfidës më të madhe të ofrimit të furnizimit të vazhdueshëm me ujë për komunitetin.

Kryetari Ahmeti pranoi se duhet të bëhen investime të mëtejshme për modernizimin dhe zgjerimin e rrjetit ekzistues të ujësjellësit për t’i përmbushur kërkesat e popullatës së Janjevës. “Jemi të përkushtuar të bashkëpunojmë ngushtë me ekipin e DEMOS-it, zyrtarët komunalë dhe komunitetin e prekur për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për problemet e tyre të furnizimit me ujë” pohoi ai.

Projekti për Decentralizimin dhe Përkrahje Komunave – DEMOS III, i financuar nga Bashkimi Evropian, Zvicra, Suedia dhe Norvegjia, dhe i zbatuar nga HELVETAS Swiss Intercooperation, qëndron si testament për zotimin e donatorëve ndërkombëtarë për nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe fuqizimin e komuniteteve lokale.

Derisa Komuna e Lipjanit vazhdon rrugëtimin e saj drejt progresit, përkushtimi për t’i adresuar shqetësimet e komunitetit dhe për të ofruar zgjidhje të qëndrueshme mbetet në thelb të strategjisë së saj për zhvillim.

What is DEMOS?

What is DEMOS?

Çka është DEMOS?

Çka është DEMOS?