
Gentrit Murseli, Gresa Avdiu dhe Besnik Shala kanë rezultuar të jenë anëtarët më aktiv të kuvendeve komunale në gjashtë komuna: Prizren, Gjilan, Rahovec, Malishevë, Istog dhe Kllokot, ku DEMOS bashkë me KDI-në kanë monitoruar punën e anëtarëve të Kuvendeve Komunale gjatë periudhës maj 2023-shkurt 2024. Vlerësimi i tyre është bërë sipas nëntë treguesve që kanë matur performancën bazuar në rolin përfaqësues, legjislativ dhe monitorues, ku përfshihen takimet me qytetarë, me grupe të margjinalizuara, numri i çështjeve në ngritura në seanca të Kuvendit Komunal, numri i nismave ligjore, numri i propozimeve gjatë dëgjimeve buxhetore, numri i projekteve të mbikëqyrura etj.
Çmimet janë ndarë në tri kategori: anëtari më aktiv i Kuvendit Komunal – Gentrit Murseli (79 pikë), anëtarja më aktive e Kuvendit Komunal – Gresa Avdiu (57 pikë) dhe anëtari më aktiv me mandat të parë në Kuvendin Komunal – Besnik Shala (65 pikë).
Gjithashtu për të tri kategoritë u ndanë mirënjohje edhe në nivel të komunës për anëtarët më aktiv.
- Në Prizren anëtari më aktiv rezuloi Petrit Hoxhaj (65 pikë), anëtarja më aktive Dafina Alishani (50 pikë), ndërsa anëtarja më aktive me mandat të parë Egzona Hoxhaj (40 pikë).
- Në Gjilan anëtari më aktiv u shpall Gentrit Murseli (79 pikë), anëtarja më aktive Gresa Avdiu (57 pikë), ndërsa anëtari më aktiv me mandat të parë Besnik Shala (65 pikë).
- Në Rahovec, Ilir Pallqa u shpërblye me mirënjohje të dyfishtë, edhe si anëtari më aktiv edhe si anëtari me mandat të parë më aktiv (59 pikë), ndërsa si anëtarja më aktive për këtë komunë u shpall Dafina Gashi (37 pikë).
- Në Malishevë, Amrush Helshani mori gjithashu dy mirënjohje, si anëtari më aktiv i Kuvendit Komunal dhe si anëtari më aktiv me mandat të parë (52 pikë), ndërsa anëtarja më aktive rezultoi Agnesa Kastrati (15 pikë).
- Në Istog poashtu kishim një fitues për dy kategori, Niman Beqiraj si anëtari më aktiv i Kuvendit Komunal dhe anëtari më aktiv me mandat të parë (40 pikë), ndërsa Arta Balaj u nderua si anëtarja më aktive e Kuvendit Komunal të Istogut (26 pikë).
Në Kllokot, Admirim Etemi u shpall si anëtari më aktiv i Kuvendit Komunal si dhe anëtari më aktiv me mandat të pare (28 pikë), ndërsa Dragana Jerinić u vlerësua si anëtarja më aktive (7 pikë).

Ndarja e çmimeve u bë një ceremoni, në të cilën morën pjesë zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Z. Avdulah Djesevic dhe ambasadorët e Bashkimit Evropian në Kosovë, Zvicrës e Suedisë si donatorë të projektit DEMOS.
Zv.ministri Djesevic përgëzoi anëtarët e Kuvendeve Komunale që kanë treguar rezultate pozitive gjatë monitorimit duke vlerësuar lart punën që bëjnë ata. “Kuvendet komunale kanë rol të rëndësishëm në udhëheqjen e sukseshme të komunës si organi kryesor vendimmarrës”, shtoi ai.

Shefi i Zyrës së BE-së, Tomáš Szunyog tha se anëtarët e Kuvendeve Komunale janë zgjedhur nga qytetarët dhe janë të thirrur të marrin vendime në emër të tyre. “Ju përgëzoj për demonstrimin e këtij angazhimi, duke qenë të hapur ndaj kontributeve të qytetarëve, duke ngritur në mënyrë aktive shqetësimet e tyre dhe duke garantuar transparencë e llogaridhënie në proceset vendimmarrëse”, theksoi ambasadori Szunyog.

Duke folur për mbështetjen shumëvjeçare të Zvicrës në Kosovë në fushën e qeverisjes lokale, ambasadori zvicran, Jürg Sprecher në fjalimin e tij drejtuar anëtarëve të Kuvendeve Komunale tha: “Ju jeni afër qytetarëve, mund të identifikoni shqetësimet dhe interesat e tyre, dhe t’i ktheni disa prej tyre në procese politike. Duke e bërë këtë, ju siguroheni që nevojat e komunitetit të dëgjohen dhe të integrohen në vendimmarrje. Kjo jo vetëm që çon në vendime më të mira, por i fuqizon anëtarët e komunitetit që ta ndiejnë se kanë rol në formimin e së ardhmës në komunën e tyre”.

Ambasador i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, shprehu kënaqësinë me performancën e anëtarëve të Kuvendeve Komunale në komunat e monitoruara, duke nënvizuar rolin e tyre mbikëqyrës. “Vlerësimi i rregullt i progresit të projekteve është thelbësor për qeverisje efektive. Anëtarët e Kuvendeve Komunale luajnë një rol vendimtar në këtë drejtim, duke vlerësuar se si po zhvillohen projektet, duke identifikuar sfidat apo vonesat dhe duke ndërmarrë masa për të siguruar zbatimin e projekteve në kohë dhe brenda fushëveprimit”, tha ambasodori Westerlund.
Kjo ishte hera e parë që projekti DEMOS ka bërë monitorimin e punës së anëtarëve të Kuvendeve Komunale, duke u fokusuar në gjashtë komuna, që kanë shprehur interesim për të qenë pjesë e këtij procesi. Përzgjedhja e komunave është bërë duke pasur parasysh madhësinë territoriale, duke siguruar përfshirjen e komunave të mëdha, të mesme e të vogla, si dhe diversitetin politik e etnik në udhëheqjen e këtyre komunave. Rezultatet e plota nga raporti i monitorimit mund t’i gjeni këtu
