Shfleto menyne

Diversifikimi i ofertës turistike përmes trashëgimisë kulturore dhe promovimit të traditave në Pejë

Trashëgimia, traditat dhe projektet komunale po pasurojnë identitetin turistik të Pejës

Gjatë ditëve me diell në Pejë, shumica e vizitorëve ende i drejtojnë sytë nga majat e Bjeshkëve të Rugovës, ku shtigjet përshkojnë kanione dramatike dhe alpinistët provojnë forcën e tyre mbi mure gëlqerore të thepisura.

Për vite me radhë, aty përfundonte historia turistike e qytetit.

Por së fundmi, vizitorët po ndalojnë edhe në vende si Mulliri i Vjetër “Haxhi Zeka”, Muzeu i Pejës, apo edhe në ferma të vogla familjare përgjatë shtigjeve të reja të çiklizmit, duke zbuluar diçka tjetër: histori tradite, ushqimi dhe trashëgimie që e bëjnë Pejën më shumë sesa thjesht një portë drejt maleve. E gjithë kjo falë projektit për diversifikimin e turizmit të Pejës përmes trashëgimisë kulturore, i zbatuar nga Komuna e Pejës, me mbështetjen e Grantit të Performancës Komunale, një mekanizëm i projektit DEMOS, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, Zvicra dhe Suedia, dhe i zbatuar nga Helvetas Swiss Intercooperation.

“Ky projekt ka tentuar të sjellë balancë,” shpjegon Vyrtyt Morina, Drejtor i Turizmit në Komunën e Pejës. “Aventura ka qenë gjithmonë pika jonë e fortë. Por, Peja ka edhe një trashëgimi të thellë kulturore, nga bujtinat deri tek zejet artizanale. Donim t’i shfaqnim të dyja,” shton ai.

Një nga institucionet më të vjetra të qytetit, Muzeu i Pejës, ka ruajtur prej kohësh historinë e Rrafshit të Dukagjinit, nga artefakte parahistorike deri tek veshjet e qëndisura të shekullit XIX. Megjithatë, për vite me radhë, pak njerëz e vizitonin.

“Përshtypja e parë nuk ishte e mirë,” pranon Besa Berisha, ushtruese e detyrës së Drejtoreshës së Muzeut. “Oborri ishte i errët, hyrja nuk të ftonte të hyje. Njerëzit kalonin pranë dhe nuk e vërenin.”

Me mbështetjen e Grantit të Performancës Komunale, muzeu përfitoi një derë të re prej druri, ndriçim dhe përmirësim të hapësirës së jashtme. Ndryshimi, sipas Berishës, kishte impakt të menjëhershëm.

“Numri i vizitorëve pothuajse u dyfishua brenda gjashtë muajve. Edhe natën, kur lëshohen dritat, njerëzit ndalen dhe thonë: Këtu qenka një muze!” Për të, ndryshimi shkon përtej numrave.

“Muzeu nuk duhet të jetë vetëm një vend objektesh, por i njerëzve,” shpjegon ajo. “Kur oborri gjallërohet me nxënës, me koncerte, me ngjarjen tonë ‘Nata në Muze’ – atëherë historia bëhet pjesë e jetës së përditshme.”

Jeta përgjatë shtigjeve

Diversifikimi i turizmit ka arritur edhe tek komunitetet rurale të Pejës. Projekti ka investuar në shtigje çiklizmi që përshkojnë fshatra dhe toka bujqësore, duke lidhur aventurën me jetën e përditshme.

Në hijen e Bjeshkëve të Nemuna, Peja ka qenë prej kohësh një udhë drejt peizazheve më mbresëlënëse të Kosovës. E njohur për shtigjet e ecjes, ujëvarat dhe trashëgiminë kulturore, qyteti po përqafon tani një mënyrë të re të lidhjes së natyrës, turizmit dhe komunitetit përmes çiklizmit.

Raif Gjikolli, Nënkryetar i Shoqatës Bjeshkatare “Gjeravica”, e cila i ka rrënjët që nga viti 1928 duke qenë një nga më të vjetrat në rajon, thotë se falë përpjekjeve të fundit, po arrijnë të angazhojnë komunitetin dhe të rinjtë, të ofrojnë trajnime dhe të kontribuojnë në Pejë përmes projekteve në arsim, sport dhe mbi të gjitha, turizëm.

Si shtigjet e çiklizmit, ashtu edhe ndërhyrjet në Mullirin “Haxhi Zeka”, e kanë ndihmuar këtë organizatë lokale të ofrojë shërbime të ndryshme për komunitetin dhe turistët në Pejë.

Një nga nxitjet më të mëdha për turizmin në Pejë ka qenë ndërtimi i shtigjeve të reja të çiklizmit me mbështetjen e organizatës Helvetas. Më parë, çiklistët kishin vetëm rrugë të kufizuara dhe të pashënuara. Tani, përmes projektit, rrugët janë të shënuara dhe Peja ka tre shtigje plotësisht të digjitalizuara dhe të shënuara, me gjatësi nga 29 deri në 39 kilometra.

“Të trija nisin nga sheshi kryesor i Pejës,” shpjegon Raifi. “Një shkon drejt perëndimit, një tjetër drejt jugut, në Lubeniq, Strellë dhe Logjë, ndërsa e treta drejt veriut. Gjatë rrugës ka tabela orientuese, harta dhe madje edhe tabela që theksojnë bujtinat lokale, vendet e ushqimit dhe pikat kulturore.”

Ky dizajn ishte i qëllimshëm – për ta bërë çiklizmin jo vetëm sport, por edhe një mënyrë për të nxitur turizmin rural.

“Ideja ishte gjithmonë të lidheshin shtigjet me fshatrat, në mënyrë që vizitorët të ndalen për ushqim apo edhe të qëndrojnë gjatë natës. Është më e sigurt se rrugët kryesore dhe krijon të ardhura për banorët lokalë.”

Për Mujo Kalaçin, një fermer nga komuniteti boshnjak, shtegu e transformoi fermën e tij të dhive. “Më parë ishte vetëm një pikë shitjeje,” thotë ai. “Tani, vizitorët ndalen, qëndrojnë, shijojnë ushqimin tonë dhe mësojnë për traditat tona.”

Aty pranë, Metë (Rustem) Isufi, nga komuniteti egjiptian, ka përjetuar të njëjtin ndryshim. “Mendonim se ferma ishte vetëm për blegtori,” pranon ai. “Por shtegu na hapi horizonte të reja. Familjet tani vijnë për përvoja edukative dhe fëmijët mësojnë për jetën rurale. Na dha një perspektivë të re dhe një të ardhme të re për familjen tonë.”

Shtigjet e reja u bënë shpejt shtylla kryesore e Festivalit të Turizmit “Outdoor” të Pejës, i cili në vetëm dy edicione ka lënë gjurmë të mëdha. Ngjarja mbledh qindra vizitorë nga Kosova dhe më gjerë, për dy ditë të mbushura me ecje, paragliding, çiklizëm, peshkim dhe gati 40 aktivitete që bëhen në ambiente të jashtme.

“Në edicionin e fundit, më shumë se 200 çiklistë u bashkuan nga i gjithë rajoni,” kujton me krenari Raifi. “Është festivali i parë i këtij lloji në Kosovë dhe po e vendos Pejën në hartën e turizmit aventurier.”

Ringjallja e Mullirit të vjetër të qytetit

Mulliri i Haxhi Zekës është më shumë se një ndërtesë e vjetër në Pejë – ai është pjesë e trashëgimisë industriale dhe kulturore të qytetit. I ndërtuar në fund të shekullit XIX, mulliri dikur kishte një rol kyç në ekonominë lokale, duke furnizuar me miell komunitetet e gjithë rajonit të Rugovës. Por për dekada me radhë, katet e sipërme të ndërtesës mbetën të pashfrytëzuara, relikte të heshtura të një kohe më të gjallë.

Kjo filloi të ndryshojë me angazhimin e Raif Gjikollit, shoqatës “Gjeravica” dhe partnerëve lokalë si Vyrtyt Morina. “Zyrën time e kisha në katin e dytë gjatë një projekti dyvjeçar,” kujton Raifi. “Por kati i tretë [i Mullirit] pothuajse nuk përdorej fare. Pamë shumë potencial aty dhe së bashku me Federatën e Bjeshkatarisë së Kosovës, u angazhuam për ta ringjallur.”

Nisma nuk ishte vetëm simbolike – ajo e shndërroi mullirin në një hapësirë për trajnime, punëtori dhe shkëmbime ndërkombëtare. Një nga momentet më të spikatura ishte pritja e Federatës Sllovene të Bjeshkatarisë, nga një vend i njohur si “Meka e bjeshkatarisë evropiane”. Trajnimi dyditor në mulli i la ata të impresionuar si nga kushtet moderne, ashtu edhe nga karakteri i ruajtur trashëgimor i objektit.

“Njerëzit mahniten kur vijnë,” thotë Raifi. “Nuk ka të bëjë vetëm me arkitekturën – por me dhënien e një jete të re historisë, duke e bërë atë një qendër për të rinjtë e sotëm dhe idetë e së nesërmes.”

Për Gjikollin, projekte të tilla kanë rëndësi sepse lidhin të kaluarën me të tashmen. “Turistët kërkojnë përvoja,” shpjegon ai. “Kur hyjnë në mulli dhe dëgjojnë sërish zhurmën e ujit, ata nuk e shohin vetëm historinë – ata e ndjejnë atë.”

Një identitet i ri për Pejën

Në tërësi, investimi mbështeti 14 lokacione të ndryshme: monumente kulturore, punishte artizanale, ferma, shtigje dhe muzeun. Qëllimi i projektit, sipas Vyrtyt Morinës, është i qartë – ta prezantojë Pejën si diçka më shumë se “qyteti i maleve”.

“Tani, një vizitor mund të ecë në Rugovë në mëngjes dhe pasdite të vizitojë një muze, një mulli tradicional apo një fermë,” shpjegon ai. “Është një përvojë më e plotë. Nuk është vetëm adrenalinë – është kulturë, është ushqimi, dhe janë njerëzit që ju rrethojnë.”

Eksperimenti i Pejës tashmë ka frymëzuar edhe komuna të tjera të mendojnë ndryshe për turizmin.
Për Gjikollin, vazhdimësia është çelësi. “Restaurimi nuk mjafton,” paralajmëron ai. “Nëse nuk i përdorim këto hapësira, nëse nuk i mbajmë gjallë me kulturë, ato do të bien sërish në harresë.”

What is DEMOS?

What is DEMOS?

Çka është DEMOS?

Çfarë është DEMOS?