Shfleto menyne

Shkëmbimi i përvojave mes grupeve të Auditimit Social

Shkëmbimi i përvojave dhe bashkëpunimi midis ekipeve të auditimit social

Drilon Shala & Vlera Zymeri

Auditimet Sociale janë mjete efektive, që sigurojnë transparencë dhe pjesëmarrje aktive në mbikëqyrjen e investimeve publike të financuara nga Granti i Performancës Komunale (GPK). Së fundmi, DEMOS organizoi aktivitetin “Peer-to-Peer”, duke lidhur ish-ekipet e Auditimit Social nga viti 2022 me ekipet e sapokrijuara të Auditimit Social në 2023.

Auditimi Social është një qasje drejt arritjes së llogaridhënies sociale, përmes një procesi të angazhimit konstruktiv ndërmjet komuniteteve, shoqërisë civile, agjencive qeveritare dhe sektorit privat. Është aktivitet i projektit për Decentralizim dhe Mbështetje të Komunave (DEMOS) i cili bashkë-financohet nga Bashkimi Evropian, Zvicra, Suedia dhe Norvegjia, ndërsa zbatohet nga Helvetas Swiss Intercooperation Kosovo.

Për të promovuar llogaridhënie dhe transparencë më të madhe në përmbushjen e zotimeve ndaj qytetarëve, DEMOS në vitin 2022 ka bashkëpunuar me Platformën CiviKos për të monitoruar zbatimin e projekteve të financuara nga GPK në Pejë, Lipjan, Kamenicë dhe Rahovec. Këtë vit, në partneritet me BIRN Kosova, ekipet e Auditimit Social zgjeruan monitorimin e tyre në projektet kapitale që po zbatohen në Drenas, Viti, Kaçanik, Suharekë dhe Elez Han, duke përforcuar më tej shtytjen për llogaridhënie dhe transparencë në qeverisjen lokale dhe përfshirjen e komuniteteve në vendimmarrje.

Ky angazhim unik nxiti diskutime bindëse; Peja si komunë nikoqire mirëpriti përfaqësues nga Suhareka dhe Hani i Elezit. Njëkohësisht, Kamenica u bë qendër e dialogut duke bashkuar përfaqësues nga komunat e Drenasit, Vitisë dhe Kaçanikut.

Iniciativa përmbante një seri aktivitetesh të planifikuara dhe të realizuara me kujdes, me qëllim që grupet të mësojnë nga njëra-tjetra si dhe të shkëmbejnë përvojat. Në qendër të këtij shkëmbimi ishin punëtoritë dinamike dhe udhëtimet e përbashkëta në terren, që lehtësuan interaktivitetin mes grupeve.

Ndër aktivitetet e fokusuara ishte edhe takimi i ekipit të Auditimit Social në Pejë, i ngarkuar me monitorimin e restaurimit të parkut më të madh në këtë komunë. Ata bashkëpunuan me ekipin e Hanit të Elezit, përgjegjës për mbikëqyrjen e ndërtimit të parkut në Han të Elezit dhe ekipin e Suharekës, i përkushtuar për monitorimin e zhvillimit të shtigjeve për ecje në zonat rurale në Suharekë.

Duke theksuar rëndësinë e ekipeve të Auditimit Social në mbikëqyrjen e investimeve komunale, kryetari i Komunës së Pejës foli për qasjen inovative të një nisme të tillë.

Auditimi social është një përvojë e re për komunën, por edhe për projektet kapitale që monitorohen drejtpërdrejt nga qytetarët. Si i tillë, është një dimension dhe përvojë e re që ne po krijojmë kolektivisht me partnerin tonë afatgjatë DEMOS, me të cilin kemi bashkëpunuar në 8 vitet e fundit”, shtoi ai.

Eroll Grapci, banor i Pejës, theksoi rëndësinë e të qenit pjesë e Ekipit të Auditimit Social. “Të jesh pjesë e Ekipit të Auditimit Social do të thotë të përqafosh përgjegjësinë më të madhe, duke e ditur se përfshirja jonë ndikon drejtpërdrejt në atë që është e mirë për ne, familjet tona dhe qytetarët e Pejës në këtë rast. Ne kemi bërë gjetje thelbësore si grup, megjithëse unë ende besoj se ka vend që ne të punojmë edhe më mirë.”

Ai pranoi rëndësinë e sesioneve Peer-to-Peer, duke thënë më tej: “Duke marrë pjesë në sesionet e mia të para të shkëmbimit Peer-to-Peer, shoh kontributet tona në ndarjen e njohurive që përfitojnë dy komuna e tjera të përfshira. Është gjithashtu një mundesi për ne si ekipi pionier i Auditimit Social për të mbledhur ide nga komunitetet e tjera – një mundësi që nuk e kishim përjetuar më parë”

Nënkryetari i Komunës së Kamenicës, Faton Jakupi, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me DEMOS-in, shoqërinë civile dhe me qytetarë.  “Bashkëpunimi me DEMOS-in, organizatat e tjera të shoqërisë civile dhe qytetarët duke i përfshirë në auditimet sociale është pjesë e transparencës komunale, për të cilën kemi marrë edhe grante. Komuna jonë ka qenë pjesë e Auditimit Social për projektin ‘Shpërndarja e ujit për fshatrat Hogosht dhe Lisockë’. Prandaj, ne mirëpresim gjetjet e bëra nga ekipi i Auditimit Social për këtë projekt dhe mbetemi të hapur për bashkëpunime të mëtejshme”.

DEMOS  vlerëson këto nisma si hapa jetik për të theksuar se si veprimet e komunave ndikojnë drejtpërdrejt te qytetarët. Aktivitetet tona të shkëmbimit të përvojave mes grupeve të Auditimeve Sociale na kanë dhënë njohuri të vlefshme, duke përmirësuar mënyrën se si punojmë me komunat.

Gjatë procesit janë nxjerrë mësime kyçe që theksojnë rëndësinë e komunikimit proaktiv dhe gjithëpërfshirjes gjatë punës me komunat. Shkëmbimi i informacioneve përpara Auditimeve Sociale nxit punën ekipore dhe gatishmërinë më të mirë midis komunave dhe projekteve, duke krijuar terren të përshtatshëm për bashkëpunime të suksesshme.

DEMOS e kupton se përfshirja e njerëzve në mënyra të ndryshme jo vetëm që i bën Auditimet Sociale më të plota, por edhe forcon lidhjen mes qytetarëve dhe komunave. Këto mësime na udhëheqin drejt një të ardhmeje ku aktivitete të tilla janë më ndikuese, gjithëpërfshirëse dhe efektive. Për më tepër, bashkëpunimi qytetar-komunë në Auditimet Sociale është dëshmuar vendimtar në aspekte të ndryshme: qasja në dokumente, realizimi i takimeve, vizitat në terren,  nxitja e përkushtimit  për angazhimin e qytetarëve dhe udhëheqjen e tyre pa probleme gjatë procesit.

Pasi DEMOS dëshiron të arrijë një ndryshim të përgjithshëm, një gjë e tillë kërkon nxitjen e  qytetarëve për të hyrë në dialog social, për të shprehur kërkesat e tyre dhe për të kërkuar llogari nga zyrtarët publikë dhe liderët e zgjedhur. Ky përfshirje është thelbësore në nxitjen e një sistemi qeverisjeje më të hapur dhe të përgjegjshme, duke nxitur përfundimisht një transformim kuptimplotë brenda shoqërisë sonë.

What is DEMOS?

What is DEMOS?

Çka është DEMOS?

Çfarë është DEMOS?