Shfleto menyne

Pabarazia gjinore në shërbimet komunale

Analizë nga Anketa e Kënaqshmërisë së Qytetarëve 2023

Violeta Hyseni Kelmendi & Vlera Zymeri

Të dhënat nga Anketa e Kënaqshmërisë së Qytetarëve e realizuar nga projekti DEMOS në fund të vitit 2023 tregojnë shpërputhje të ndjeshme gjinore lidhur me shërbimet që ofrojnë komunat për qytetarët. Në kontekstin e projektit DEMOS, Anketa e Kënaqshmërisë së Qytetarëve, është një komponent kryesor që ndihmon në vlerësimin e efektivitetit të qeverisjes lokale dhe në përmirësimin e shërbimeve komunale e që rezultat ka nivelin e kënaqshmërisë së qytetarëve me qeverisjen lokale dhe shërbimet që ofrohen nga komunat. Përmes intervistave ballë për ballë me 6,700 të anketuar nga të gjitha etnitë dhe në 38 komuna, anketa ofron të dhëna të rëndësishme për vendimmarrësit dhe institucionet lokale, duke u mundësuar atyre të adresojnë më mirë nevojat dhe pritjet e qytetarëve.

Duke analizuar nivelin e informimit të grave lidhur me vendimet komunale, vërehen dallime të konsiderueshme në  mes të burrave dhe grave. Një numër i konsiderueshëm i grave (1325 gra) kanë thënë se ndihen krejtësisht të painformuara, duke ngritur pikëpyetje për transparencën dhe kanalet e komunikimit brenda qeverisjes lokale. Ndërkohë, një numër më i vogël i grave (361 gra) kanë thënë se janë të informuara. Statistikat tregojnë nevojën për shpërndarje më të mirë të informacionit lidhur me vendimet komunale për të siguruar gjithëpërfshirje të qytetarëve. Në krahasim me gratë, 594 burra deklaruan se ndihen të informuar për vendimet e marra nga komuna e tyre.

Gjithashtu, sa i përket angazhimit aktiv gjatë takimeve publike, ekziston një hendek i dukshëm gjinor. Ndërsa burrat kanë më shumë gjasa të ngrenë çështje dhe të shprehin shqetësime, pjesëmarrja e grave mbetet prapa. Vetëm 59 gra kanë treguar se kanë ngritur çështje apo problematika specifike gjatë takimeve publike me komunën. Gratë gjithashtu kanë përceptime të ndryshme për përpjekjet e komunës që t’i përfshijë ato në takime publike dhe se zakonisht informohen për ngjarjet e kaluara. Vetëm 127 gra u përgjigjën se komuna ofron mundësi të ndryshme për përfshirjen e qytetarëve dhe kërkon komente ose opinione nga të pranishmet.

Bekim Dobra, kryesues i Kolegjiumit për Komunikim Publik thotë se shumë komuna me mbështetjen e DEMOS-it tashmë kanë krijuar bazën e të dhënave për të komunikuar me grupet e interesit për politikat publike lokale, sidomos gjatë konsultimeve publike apo dëgjimeve buxhetore. Sipas tij, komunat përdorin kanale të ndryshme të komunikimit për të siguruar shpërndarjen e informacionit tek të gjitha grupet e shoqërisë, përfshirë rrjetet sociale, uebfaqen e komunës, mediat lokale si dhe njoftimin me email tek grupet e interesit. Përkundër kësaj, ai thotë se ka sfida në angazhimin e tyre.

Ai e sheh si shumë të rëndësishme trajnimin e grave dhe fuqizimin e tyre për pjesëmarrje në jetën publike. “Trajnimet duhet të organizohen për t’i përgatitur ato edhe për parashtrim të kërkesave në takime publike dhe në projekte të cilat mund të realizohen nga komuna, bazuar në kërkesat që kanë ato”, shtoi kryesuesi i Kolegjiumit për Komunikim me Publikun, Bekim Dobra.

Sfidat për barazi gjinore në pozita udhëheqëse

Edhe pse një numër i grave e perceptojnë komunën e tyre si nxitëse të përfshirjes, shumica nga to besojnë se ka ende hapësirë për përmirësim. Kur u pyetën në lidhje me përpjekjet e komunës së tyre në nxitjen e përfshirjes dhe pranimit për të gjithë, pavarësisht nga gjinia, përkatësia etnike apo (pa)aftësitë, gratë dhanë përgjigje të ndryshme. Midis tyre, 549 ranë dakord se komuna e tyre me të vërtetë nxit një mjedis gjithëpërfshirës dhe pranues. Megjithatë, një pjesë më e madhe e të anketuarve, 1934 pranuan se ka hapësirë për përmirësim në krijimin e një atmosfere më gjithëpërfshirëse, përkundër përpjekjeve që kanë bërë komunat deri tani. Të kundërtën e pohuan 571 gra që u anketuan, duke treguar se e perceptojnë komunën e tyre si të dështuar për krijimin e një mjedisi vërtetë gjithëpërfshirës.

Anketa ka marrë edhe mendimet e respodentëve lidhur me ofrimin e mundësive të barabarta për grupet e margjinalizuara në pozita udhëheqëse (arsim, shëndetësi, institucione kulturore dhe pozita politike në komunë). Në këtë aspekt, 499 gra u përgjigjën negativisht, të bindura se mundësi të tilla nuk ofrohen fare, teksa 762 gra shprehën besimin se komuna e tyre ofron mundësi të barabarta në një masë të konsiderueshme.

Leonora Morina Bunjaku, nënkryetare e komunës së Gjilanit pohon nevojën e krijimit të më shumë mundësive për gratë që të marrin pozita udhëheqëse.

“Sigurisht që edhe unë për të arritur në pozitën ku jam tani, kam pasur sfida, por nuk jam dorëzuar asnjëherë, por përkundrazi jam fuqizuar. Sot jam në këtë pozitë jo për shkak të kuotës gjinore prej 30% që duhet të përmbushet, por për shkak të përkushtimit tim për t’a marrë vendin e merituar, bazuar në potencionalin profesional, politik e moral”, shtoi ajo.

Angazhimi i DEMOS për rritjen e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje lokale


Në DEMOS, ne jemi të përkushtuar për të adresuar pabarazitë gjinore të theksuara nga Anketa e Kënaqëshmërisë së Qytetarëve, e cila tregon se gratë kanë dukshëm më pak qasje në shërbimet dhe informacionet komunale dhe janë të nënpërfaqësuara në proceset vendimmarrëse. Për të kapërcyer këtë hendek, DEMOS punon në mënyrë aktive për të rritur pjesëmarrjen e grave në konsultimet publike dhe dëgjimet buxhetore. Aktivitetet fokusohen në krijimin e hapësirave gjithëpërfshirëse ku zëri i grave dëgjohet dhe vlerësohet, duke siguruar që ato të kenë një rol thelbësor në formësimin e politikave dhe vendimeve komunale.

“Këtë e bëjmë përmes ofrimit të mbështetjes për planifikimet buxhetore në nivel komunash ku synohet ngritja e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave me qëllim të adresimit të kërkesave të tyre për përfshirje në buxhete komunale, ngritjes së kapaciteteteve të zyrtarëve komunal për të ngritur vetëdijen dhe përgjegjësinë për buxhetin e përgjegjshëm gjinor, me theks të veçantë të mobilizimit për buxhetimin e politikave siç janë Planet Lokale të Veprimit për Barazi Gjinore, ku hartimi,  zbatimi dhe raportimi maten me tregues të veçantë në kuadër të raportit të performancës së komunave”, thotë Dhurata Prokshi, menaxhere e ndërhyrjes në projektin DEMOS.

Këtë vit, projekti ka filluar një seri të trajnimeve të zyrtarëve komunal në 15 komuna për  angazhimin e qytetarëve në procesin e planifikimit të buxhetit komunal, me fokus te grupet e nënpërfaqësuara. Duke fuqizuar gratë dhe duke promovuar barazinë gjinore, DEMOS synon të ndërtoj një qeverisje lokale më gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese që reflekton nevojat e të gjithë qytetarëve të saj.

What is DEMOS?

What is DEMOS?

Çka është DEMOS?

Çfarë është DEMOS?