Shfleto menyne

Investimet kapitale në komuna

Roli dhe sfidat e komunave në realizimin e investimeve kapitale

Dardan Maliqi & Violeta Hyseni Kelmendi

Në Kosovë, komunat kanë rol të madh në vendimmarrje dhe menaxhimin e financave lokale. Me autonominë e tyre të garantuar në Kushtetutën e Kosovës, të gjitha 38 komunat kanë përgjegjësi për të planifikuar dhe shpenzuar buxhetin për investime infrastrukturore.

Një planifikim i mirë i këtyre investimeve ndikon drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve, mundësi më të mëdha punësimi dhe rritje të të ardhurave në përgjithësi. Përveç kësaj, infrastruktura e mirë ndikon pozitivisht në çështje të tilla si furnizimi me ujë të pijshëm, kanalizimi, rrugët, ndriçimi publik, arsimi, shëndetësia e kultura.

Të hyrat komunale janë element i rëndësishëm në fuqizimin ekonomik të komunave në Kosovë. Megjithatë, ato janë ende relativisht të ulëta, prandaj mbështetja e qeverisë qendrore është e rëndësishme për të realizuar investime më të mëdha në infrastrukturë. Komunat marrin grante nga qeveria për financimin e shërbimeve dhe projekteve kapitale për të përmbushur nevojat dhe kërkesat e qytetarëve. Përveç kësaj çdo vit, komunat me performancën më të mirë sipas një sistemi indikatorësh, përfitojnë nga Granti i Performancës Komunale, përmes së cilit realizojnë projekte infrastrukturore.  Shpenzimit i buxhetit të tyre për investime kapitale – së paku 75% – është një nga kriteret kryesore për të përfituar nga ky grant. Granti i Performancës Komunale ndahet çdo vit nga MAPL dhe DEMOS përmes mbështetjes së donatorëve – Bashkimit Evropian, Zvicrës e Suedisë.

Sfidat në planifikim dhe shpenzim

Komunat vazhdojnë të përballen me sfida që pengojnë planifikimin dhe shpenzimin efektiv të investimeve kapitale. Ndër sfidat kryesore është mungesa e kapaciteteve njerëzore për të përgatitur projektet infrastrukturore, si dhe mungesa e buxhetit të mjaftueshëm për realizim të projekteve.

Drejtori për buxhet dhe financa në komunën e Kaçanikut, Bahri Selimi thekson se ndarjet buxhetore të cilat rrjedhin nga grantet qeveritare janë të pamjaftueshme karshi kërkesave ende tepër të larta nga të  gjitha vendbanimet. “Formula qeveritare për ndarjen e grantave si e tillë nuk posedon kritere për balancim socio-ekonomik mes komunave, andaj jo rastësisht kemi gjendjen aktuale ku në mungesë të realizimit të investimeve të mjaftueshme infrastrukturore në komunat më të vogla ka ngecje në aspektin e zhvillimit lokal, e fatkeqësisht ka ngecje edhe në aspektin e zhvillimit njerëzor”, shprehet z.Bislimi.

Kjo gjendje sipas tij po shkakton edhe largimin e popullatës nga komunat më të vogla në drejtim të atyre më të zhvilluara por edhe jashtë vendit.

Sfidë tjetër me të cilën po përballen komunat janë procedurat e prokurimit si dhe vonesat në trajtimin e lëndëve nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), siç e konfirmon edhe drejtoresha për Buxhet dhe Financa në komunën e Mitrovicës Jugore, Igballe Islami. Ajo thekson edhe vështirësitë që ka komuna me shpenzimin e mjeteve për investime infrastrukturore.

“Sfidë për shpenzimin e investimeve infrastrukturore është edhe plani i shpenzimit. Për t’u eliminuar këto probleme, kërkohet planifikimi sa më i saktë si dhe inicimi i procedurave të prokurimit me kohë”, thotë znj.Islami.

Hapat drejt përmirësimit

Për të përmirësuar planifikimin dhe shpenzimin e investimeve kapitale, projekti DEMOS po ndihmon komunat në disa drejtime. Një prej tyre është planifikimi i hershëm i buxhetit dhe përfshirja e qytetarëve në dhënien e ideve për projekt-propozime. Kjo për të siguruar që nevojat dhe kërkesat e qytetarëve, përfshirë atyre nga grupet e cenueshmë të shoqërisë, janë të përfaqësuara dhe të qarta për komunat. Kështu, ato mund të identifikojnë projektet prioritare dhe të përgatisin buxhetin në kohë.

Projekti DEMOS gjithashtu përqëndrohet në përmirësimin e sistemeve të kontrollit të brendshëm në komuna, duke punuar me asambletë komunale dhe komitetet e auditimit të brendshëm për të fuqizuar rolin e funksionin e tyre. Kjo bën që të rritet monitorimi dhe performanca komunale në ofrimin e shërbimeve dhe zbatimin e projekteve infrastrukturore. Për këtë qëllim, DEMOS përdor edhe auditimet sociale, që përfshin pjesëmarrjen e qytetarëve dhe shoqërisë civile në monitorimin dhe vlerësimin e efikasitetit të projekteve infrastrukturore në komunë, të financuara përmes Grantit të Performancës Komunale.

Poashtu për të mbështetur sa më shumë komuna t’i përmbushin kushtet minimale dhe të përfitojnë nga Granti i Performancës Komunale, DEMOS ofron përkrahje për të adresuar sfidat që ato hasin në ekzekutimin e buxhetit për investime kapitale. Në këtë mënyrë, synohet të rritet mundësia e kualifikimit të komunave për Grant të Performancës dhe të përmirësohet qeverisja në përgjithësi. Për këtë qëllim, DEMOS punon së bashku me zyrtarët komunal relevant për të identifikuar shkaqet e mosarritjet së shpenzimit të buxhetit për investime kapitale së paku 75% si dhe për të identifikuar fushat për përmirësim, përfshirë krijimin e mekanizmave më të mirë për monitorim të projekteve dhe shpenzimit sa më efikas të parasë publike.

Këtë vit për komunat përfituese të Grantit të Performancës Komunale mbështetje është ofruar edhe në përgatitjen e projekteve kapitale më të qëndrueshme dhe më miqësore ndaj mjedisit.

What is DEMOS?

What is DEMOS?

Çka është DEMOS?

Çfarë është DEMOS?