Doruntina Golaj & Shpend Emini

Financat lokale përbëjnë një shtyllë të rëndësishme të qeverisjes efektive në nivel lokal. Autonomia fiskale u mundëson komunave të planifikojnë dhe menaxhojnë burimet në përputhje me prioritetet dhe nevojat e komunitetit të tyre, duke kontribuar drejtpërdrejt në ofrimin e shërbimeve publike.
Në Suedi, komunat kanë një nivel të lartë të autonomisë fiskale dhe kompetenca të qarta në menaxhimin e financave publike lokale. Si në Kosovë ashtu edhe në Suedi të gjitha komunat kanë përgjegjësi të ofrimit të shërbimeve cilësore për qytetarët. Por, komunat suedeze kanë nivel shumë më të lartë të autonomisë fiskale. Për dallim nga Kosova, komunat suedeze e kanë buxhetin e vet të siguruar në bashëpunim me Skatteverket (Agjencinë Tatimore të Suedisë) fare pa përfshirje të Qeverisë. Buxhetet komunale përfshijnë të ardhurat vetanake si tatimin në të ardhura, tatimin mbi pronë, etj. dhe marrin pjesë aktive në planifikimin dhe zbatimin e politikave zhvillimore lokale. Ky sistem është i lidhur ngushtë me mekanizma të mirëstrukturuar të barazimit fiskal, mbikëqyrjes dhe vlerësimit të nevojave dhe të performancës. Rrjedhimisht, niveli qendror financon komunat përmes mekanizmave si Granti i Përgjithshëm Shtetëror dhe Granti i Barazisë. Përmes instrumenteve si Stadsutvecklingsbidrag (Grantet për Zhvillim Urban) dhe Miljöbidrag (Grantet për Mjedis), shteti suedez orienton komunat që të investojnë në fusha me prioritet, si ndërtimi i qëndrueshëm, transporti i pastër dhe menaxhimi i mbetjeve duke ruajtur bilancin mes objektivave kombëtare dhe nevojave lokale. Në anën tjetër, granti i barazimit shpërndan burimet financiare mes komunave për të siguruar një nivel më uniform të shërbimeve publike në të gjithë vendin, pavarësisht dallimeve në territor, popullatë, bazën tatimore ose koston e ofrimit të shërbimeve.
Për të mësuar nga kjo qasje dhe për të parë nga afër se si funksionojnë këto mekanizma në praktikë, një delegacion nga Kosova udhëtoi drejt Stokholmit në muajin qershor. Delegacioni përfshinte përfaqësues të lartë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Asociacionit të Komunave të Kosovës, donatorë dhe kryetarë e zyrtarë komunalë.
Qëllimi i vizitës nuk ishte të kopjohet një model. Siç u theksua shpesh gjatë takimeve me përfaqësues suedez, modeli duhet kuptuar dhe më pas përshtatur sipas nevojave të komunitetit. E megjithatë, disa parime mbeten të replikueshme: autonomia lokale, transparenca, llogaridhënia, bashkëpunimi i ngushtë mes qeverisë dhe komunave përmes SALAR (Asociacionit të komunave të Suedisë) dhe planifikimi strategjik si çelës i një decentralizimit të suksesshëm.
Nga perspektiva e donatorëve, Saranda Cana nga Ambasada Zvicerane në Kosovë ka ndarë përvojat e saj:

“Vizita studimore në Suedi ishte shumë frymëzuese, duke nënvizuar se financimi i qëndrueshëm për komunat dhe autonomia në menaxhimin financiar lokal janë thelbësore për qeverisjen lokale efektive. Për më tepër, përvoja e jashtëzakonshme e Suedisë në shfrytëzimin e sistemeve gjithëpërfshirëse të të dhënave lokale për planifikim strategjik, operacional dhe financiar — duke siguruar transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve dhe duke udhëhequr grantet dhe transferet ndërqeveritare — ishte veçanërisht mbresëlënëse,” tha ajo.
Kreshnik Basha nga Agjencia Zhvillimore Suedeze – Sida theksoi:

“Gjatë vizitës studimore në Suedi, përfaqësues nga komunat e Kosovës dhe nga ministritë përkatëse patën mundësinë të njihen me një model funksional të vetëqeverisjes lokale. Komunat suedeze gëzojnë autonomi të lartë fiskale dhe luajnë rol kyç në zhvillimin e komuniteteve. Ndryshe nga Kosova, ato menaxhojnë buxhetet në mënyrë të pavarur, në bashkëpunim me administratën tatimore, pa ndërhyrje nga niveli qendror. Ky sistem u mundëson të zbatojnë politika që pasqyrojnë nevojat lokale, duke ruajtur balancën me objektivat kombëtare përmes mekanizmave të barazimit fiskal. Kjo përvojë ofron mësime të vlefshme për forcimin e komunave tona.”
Për komunat pjesëmarrëse, përvoja suedeze nuk ishte thjesht teori. Ajo dha ide të reja për matjen e ndikimit të politikave vendore dhe për krijimin e mjediseve më të favorshme për qytetarët.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, deklaroi:

“Ishte kënaqësi e veçantë të jem pjesë e vizitës studimore në Suedi. Vizitë gjithëpërfshirëse, njoftuese dhe informuese mbi mënyrën e funksionimit të pushtetit lokal dhe format e bashkëpunimit me pushtetin qendror në Suedi. Organizimi ishte i shkëlqyer, mikpritja mbresëlënëse. Pjesëmarrësit ndanë dije, përvoja dhe mbështetje mes vete. Ju përgëzoj!”
Ndërsa, Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, shtoi:

“Vizita në Suedi përfaqëson një mundësi unike për të mësuar rreth praktikave të avancuara në autonominë fiskale dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në nivel lokal. Përvojat gjatë kësaj vizite do të shërbejnë si një bazë e rëndësishme për avancimin e qeverisjes lokale në Kosovë dhe do të kontribuojnë në zhvillimin e modeleve të qëndrueshme dhe efikase, për të përmbushur nevojat dhe prioritetet strategjike të komuniteteve tona.”
Që nga viti 2009, Kosova ishte vendi i parë në rajon që miratoi një skemë për matjen e performancës komunale. Në vitin 2017, MAPL dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) e shndërruan këtë në një skemë stimuluese financiare për komunat apo ndryshe të njohur si Granti i Performancës Komunale, të bazuar në performancë, që tashmë ka mbështetjen edhe të Suedisë, dhe Bashkimit Evropian. Ky mekanizëm mbështet avancimin e demokracisë lokale, qeverisjen më të mirë dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët.
Për më tepër, projekti DEMOS ka mbështetur Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve në zhvillimin e Ligjit të ri për Financat Lokale, një hap kyç drejt reformimit të sistemit të financave lokale dhe adresimit të sfidave me të cilat përballen komunat e Kosovës.
Përvoja të tilla si vizita studimore në Suedi ndihmojnë në forcimin e përpjekjeve për zhvillimin e sistemeve të financave lokale dhe për fuqizimin e përgjithshëm të qeverisjes lokale.
Projekti DEMOS bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian, Zvicra dhe Suedia.