Shfleto menyne

Angazhimi qytetar në Pejë

Auditimi Social si mjet për transparencë dhe llogaridhënie publike

Violeta Hyseni Kelmendi & Vlera Zymeri

Si gazetar i një mediumi lokal në Pejë, Valdrin Daci ka raportuar shumë herë për ngjarjet që kanë ndodhur në vendlindjen e tij. Por për herë të parë ai u përkushtua me shumë zell për të monitoruar së afërmi zbatimin e projektit “Rregullimi i Parkut Karagaq në Pejë”. Projekti në vlerë prej afër 70 mijë euro ishte financuar nga Granti i Performancës Komunale dhe parashikonte rregullimin e shtegut përreth liqenit artificial, vendosjen e ulëseve e përmirësimin e ndriçimit të parkut.

Me nismën e projektit DEMOS, u formua Grupi i Auditimit Social i përbërë nga qytetarë aktiv dhe anëtarë të organizatave të ndryshme nga rajoni i Pejës. Grupi kishte për detyrë të analizonte punën e bërë në terren nga komuna, si dhe të zhvillonte takime me kryetarin dhe përfaqësues tjerë të Komunës së Pejës, për të dhënë më pas rekomandime lidhur me gjetjet në terren.  

”Përvoja ime me grupin e Auditimit Social ka qenë shumë e mirë. Kemi punuar për të ofruar kontributin tonë dhe besoj se ia kemi dalur.  Aktivizmi jonë ka bërë që komuna të reflektoj më ndryshe, dikush na ka parë që po interesohemi për projektet e zhvilluara në qytet”, shprehet Valdrin Daci.

Grupi që përbëhej nga gjithsej 21 anëtarë, i kishte rekomanduar komunës që ulëset metalike të vendosura në park të kombinohen me dru apo materiale më të përshtatshme për të gjitha stinët, të funksionalizohet ndriçimi pas orës 23:00, si dhe të përmirësohet qasja për personat me aftësi të kufizuara apo prindër me fëmijë të vegjël në karroca.

Riza Blaka, profesor i biologjisë në pension, ka qenë poashtu pjesë e grupit të Auditimit Social. Ai flet me shumë pasion për parkun e Karagaçit në Pejë, të cilin e konsideron si pjesën më të bukur të qytetit.

“Ne si grup jemi përpjekur dhe do të përpiqemi që parku të ngritet sa më shumë. Kemi kërkuar edhe prapë po kërkojmë që të vendosen kamera të vëzhgimit për të parandaluar dëmet që i shkaktohen parkut nga persona të papërgjegjshëm”, thotë profesor Blaka.

Sipas tij, komuna po e dëgjon zërin e qytetarëve dhe po punon në adresimin e rekomandimeve, por ka nevojë për bashkëpunimin e qytetarëve. “Qytetarët po hyjnë me vetura në park, po i dëmtojmë bimët, po hedhin mbeturina. Pa u angazhuar dhe pa u kujdesur edhe vet qytetarët, është vështirë ta kemi gjendjen që duam”, shton Riza Blaka, i cili në Auditimin Social përfaqësonte bashkësinë lokale “Karagaçi” me rreth 2500 banorë.

Auditimi Social është një qasje inovative që synon rritjen e angazhimit qytetar për të vlerësuar performancën e komunave në ofrimin e shërbimeve dhe për të kontribuar në përmirësimin e cilësisë së këtyre shërbimeve. Për ata që kanë qenë pjesë e këtij procesi deri tani, siç është Valdrin Daci, një aktivizëm i tillë qytetar është i domosdoshëm.

“Ndikimi i grupeve të Auditimit Social është shumë i rëndësishëm dhe unë vazhdimisht kam thënë që këto grupe duhen zhvilluar tutje.  Shoqëria civile sot bazohet në punën dhe kontributin e këtyre grupeve. Ato e dijnë më së miri çka ndodhë në komunë dhe nuk lejojnë që një projekt të çalojë”, theksoi Valdrini.  

Projekti DEMOS në dy vitet e fundit ka realizuar Auditimin Social në nëntë komuna, duke u fokusuar në realizimin e projekteve të financuara përmes Grantit të Performancës Komunale. Ky proces u ka mundësuar grupeve të qytetarëve, përfshirë atyre nga grupet e margjinalizuara, që të jenë më aktiv dhe të ngrisin çështjet që ndikojnë në mirëqenien e tyre, të jenë më të informuar rreth të drejtave të tyre dhe punës që bën komuna, si dhe të diskutojnë me drejtuesit komunal gjetjet e rekomandimet, duke i mbajtur ata llogaridhënës për punën e tyre.  Krahas DEMOS-it, edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka realizuar Auditimin Social në nëntë komuna.

What is DEMOS?

What is DEMOS?

Çka është DEMOS?

Çfarë është DEMOS?