Shfleto menyne

Konferenca e Grantit të Performancës Komunale

Helvetas, në kuadër të projektit DEMOS, në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), sot realizoi konferencën e Grantit të Performancës Komunale, ku u diskutua performanca e komunave për vitin 2023, si dhe u vlerësuan përpjekjet për qeverisje të mirë në nivel lokal. Në këtë konferencë morrën pjesë përfaqësues të nivelit të lartë institucional dhe ndërkombëtar, si dhe disa nga kryetarët e komunave të Kosovës.
Me këtë rast, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Aivo Orav, ka përgëzuar komunat përfituese të Grantit të Performancës Komunale duke theksuar mbështetjen e Bashkimit Evropian për qeverisjen lokale.

Ambasadori Orav ndër tjerash theksoi se janë krenarë që mbështesin Grantin e Përfromancës Komunale në Kosovë, si iniciativë të vlefshme, e të zhvilluar në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Ai tha se Granti për Performancën Komunale nuk shërben vetëm si një instrument financiar, por mbi të gjitha, funksionon si një katalizator strategjik që inkurajon komunat të përmirësojnë performancën institucionale dhe të ofrojnë shërbime publike me më shumë efikasitet dhe ndjeshmëri ndaj nevojave të qytetarëve. “Këtë vit, gjithsej 7.7 milionë euro do t’u ndahen dymbëdhjetë komunave që kanë treguar përkushtim të jashtëzakonshëm dhe kanë investuar shumë energji e përpjekje: Dragash, Drenas, Istog, Junik, Kaçanik, Klinë, Lipjan, Mamushë, Mitrovicë e Jugut, Partesh, Prizren dhe Suharekë. I urojmë përzemërsisht secilës prej tyre”, tha ambasadori i BE-së në Kosovë, z. Aivo Orav

Drejtori për Evropën Lindore në Helvetas, z. Matthias Herr ka theksuar faktin se demokracia në mbarë botën po përballet me sfida gjithnjë e më të mëdha. Ai gjatë fjalimit të tij tha se hapësira qytetare po ngushtohet, besimi në institucione po vihet në provë, dhe qeverisja lokale duhet të përshtatet me presionet që sjellin urbanizimi, migrimi dhe ndryshimet klimatike. Në ndërkohë që nevojat po rriten, financimi nga donatorët – përfshirë atë për qeverisjen dhe decentralizimin – është gjithashtu nën presion.
Megjithatë ai theksoi se Helvetas mbetet e vendosur të vazhdoj të kontribuojë për të shtyrë para procesin e përmirësimeve sistematike dhe ndërtimit të komunave të qëndrueshme, për sigurimin e një të ardhme më të mirë për Kosovën. “Forcimi i qeverisjes lokale nuk është vetëm një prioritet i brendshëm, është thelbësor për të ardhmen evropiane të Kosovës. Komuna të forta, transparente dhe me llogaridhënie janë kyçe për përmbushjen e shumë prej kërkesave të procesit të anëtarësimit
në BE. Progresi në nivel lokal është njëkohësisht progres për Kosovën në tërësi në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE”, tha z. Herr.
Në kuadër të konferencës u zhvilluan edhe dy panele diskutimi, ku u trajtua roli i kryetarëve në menaxhimin e performancës dhe zbatimin e grantit. Përmes këtyre diskutimeve u ndanë përvojat kontrete nga komunat dhe u theksua rëndësia e përdorimit të të dhënave për vendimmarrje të informuar.

Granti i Performancës Komunale financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me projektin DEMOS, i cili bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian, Zvicra dhe Suedia dhe zbatohet nga Helvetas Swiss Intercooperation. Bazuar në rezultatet për vitin 2023, 12 komuna u shpërblyen me një shumë totale prej 7,7 milion Euro. Komunat përfituese janë Dragashi, Drenasi, Istogu, Juniku, Kaçaniku, Klina, Lipjani, Mamusha, Mitrovica e Jugut, Parteshi, Prizreni, and Suhareka.
Për të përfituar nga ky grant, komunat duhet të plotësojnë së paku katër kritere thelbësore: raportimin e të dhënave të tyre në sistemin për menaxhimin e performancës komunale, rishikimin e akteve komunale, shpenzimin me sukses të buxhetit të tyre investues, dhe zbatimin e sistemeve për menaxhimin dhe kontrollin e financave. Shuma e grantit përcaktohet bazuar në 30 tregues të ndryshëm të performancës në fushën e demokracisë lokale, menaxhimit të brendshëm komunal dhe ofrimit të shërbimeve për qytetarë.

Përmes këtij granti, komunat do të investojnë në projekte kapitale që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Nga ndërtimi i rrugëve deri tek përmirësimi i shërbimeve, granti përfaqëson një mekanizëm të rëndësishëm për promovimin e llogaridhënies dhe rritjen e cilësisë së qeverisjes lokale.

What is DEMOS?

What is DEMOS?

Çka është DEMOS?

Çfarë është DEMOS?