DEMOS në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) kanë nisur raundin e ri të Auditimeve Sociale në 12 komuna: Pejë, Drenas, Gjakovë, Malishevë, Klinë, Lipjan, Obiliq, Viti, Skenderaj, Shtime, Ranillug, Kaçanik. Përmes Auditimit Social, pjesëtarë të shoqërisë civile, qytetarë aktiv e profesionistë të fushave përkatëse angazhohen për të kontribuar në zbatimin më të mirë të projekteve kapitale të financuara nga Granti i Performancës, me qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike.

Drejtori i Departamentit për Performancë Komunale në MAPL, Drin Haraçia thotë se Auditimi Social si mjet i llogaridhënies sociale është shumë i rëndësishëm për Ministrinë. “Kjo iniciativë do të ndikojë në përmbushjen e një prej objektivave kryesore të Strategjisë për Vetqeverisje Lokale që është: Forcimi i partneriteteve ndërmjet pushtetit vendor dhe shoqërisë civile për të krijuar një qytetari aktive gjithëpërfshirëse dhe kohezive”, u shpreh ai gjatë një diskutimi në panel të mbajtur me rastin e fillimit të raundit të ri të Auditimit Social.
Auditimi Social deri tani është realizuar në 18 komuna, prej të cilave në 9 me mbështetjen e MAPL-së, ndërsa 9 tjera me mbështetjen e DEMOS-it. Komunat e kanë mirëpritur këtë nismë dhe kanë treguar interesim për të vazhduar bashkëpunimin. Disa nga rekomandimet e ofruara nga grupet e Auditimit Social poashtu janë marrë parasysh përmes investimeve konkrete në komuna.
Këtë vit projektet që janë përzgjedhur për t’iu nënshtruar Auditimit Social janë kryesisht nga fusha e edukimit, shëndetësisë e mjedisit.
Përfaqësuesi i projektit DEMOS i cili është përgjegjës për mbikëqyrjen e Auditimit Social, Drilon Shala thotë se në gjithë procesin e auditimeve sociale, vëmendje e veçantë i kushtohet përfshirjes dhe dhënies zë të grupeve të margjinalizuara në mesin e të cilëve grave, të rinjëve, minoriteteve e personave me aftësi të kufizuara.
“Përmes Auditimit Social rritet angazhimi qytetar, rritet transparenca dhe llogaridhënia në nivel lokal dhe promovohet një platformë e dialogut publik – me fokus në trekëndëshin qytetarë-shoqëri civile-komunë”, thekson ai.
Këtë vit dy organizata joqeveritare, përkatësisht Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) dhe BIRN Kosova janë përzgjedhur përmes një procesi konkurrues që të lehtësojnë zbatimin e Auditimit Social në komunat përkatëse. Gjetjet dhe rekomandimet e grupeve të Auditimit Social do të bëhen publike në fund të vitit.
Raportet paraprake të grupeve të Auditimit Social mund t’i gjeni këtu