Shfleto menyne

Fuqizimi i grave ndërmarrëse në Viti

Shumë gra ballafaqohen me sfida të ndryshme, përfshirë qasje të kufizuar në informacion, pabarazi gjinore në trajtim dhe mungesë sistemi të mbështetjes në sektorin e biznesit. Si pjesë e përpjekjeve për të ndihmuar në zhvillimin e komunitetit, DEMOS-i ka mbështetur një anëtare të Kuvendit Komunal në Viti, Liridona Bislimi, në organizimin e një diskutimi me gratë dhe vajzat që janë lidere sipërmarrëse në këtë zonë. Në këtë mënyrë, DEMOS-i po ndihmon gratë për të adresuar pabarazitë gjinore, ndërtuar sisteme mbështetëse dhe duke nxitur angazhimin e komunitetit në nivel lokal. Gjithashtu, DEMOS po avokon për një angazhim më të madh të anëtarëve të kuvendeve komunale për t’iu shërbyer më mirë qytetarëve.

Gjatë diskutimit u theksua nevoja që institucionet të krijojnë mekanizma lehtësues për komunikimin ndërmjet bizneseve të udhëhequra nga gratë dhe organeve qeveritare.

“Në të vërtetë, institucionet duhet të krijojnë korniza që nxisin lidhjen ndërmjet bizneseve të udhëhequra nga gratë dhe subjekteve qeveritare”, tha znj. Bislimi.

“Gjithashtu zyra komunale e biznesit në Viti duhet të fuqizojë aktivitetet e komunikimit, duke siguruar që gratë ndërmarrëse janë të njoftuara drejtpërdrejt,” shtoi ajo.

Znj. Bislimi  theksoi rëndësinë e angazhimit proaktiv nga zyra për biznese në komunë. ” Ne duhet të sigurojmë që gratë ndërmarrëse të jenë të informuara për mundësitë dhe burimet përkatëse. Kjo përfshin jo vetëm shpërndarjen e informacionit përmes kanaleve zyrtare, por edhe kontaktit aktiv me to, ftesë për pjesëmarrjen e grave në programe dhe iniciativa të ndryshme”, nënvizoi anëtarja e Kuvendit Komunal të Vitisë, Liridona Bislimi.

Gratë pjesëmarrëse treguan përvojat e tyre për mundësitë e humbura dhe pengesat burokratike që kishin hasur si ndërmarrëse, duke theksuar nevojën urgjente për mekanizma mbështetës joburokratik.

“Prania dhe interesimi për nevojat tonë është një mbështetje e jashtëzakonshme. Sfidat tona janë të shumta, ku qasja në pajisje për përpunimin e të korrave është një shqetësim urgjent. Edhe pas aplikimit për ndihmë, është thelbësore të sigurohen grante për pajisjet kryesore. Ndërsa puna jonë zgjerohet, rriten edhe sfidat dhe kërkesat“, u shpreh Elizabeta Noci, pjesëmarrëse në tryezë.

Zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, z. Ali Tafarshiku, bëri një përmbledhje të iniciativave të ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës për fuqizimin e drejtpërdrejtë të sektorit privat. Ai gjithashtu theksoi programin vjetor të thirrjes për propozime, i cili ofron grante për bizneset në mbarë Kosovën dhe administrohet nga Ministria e Zhvillimit Rajonal.

Aty ku mbahen takime apo sesione informuese për aplikime për grante për biznese, numri i grave është shumë i ulët dhe për fat të keq edhe numri i aplikimeve është shumë i ulët. Ose nuk ka interesim ose mungesë totale informacioni tek bizneset që udhëhiqen nga gratë”, shtoi ai.

Tryeza ndihmoi për të identifikuar sfidat urgjente me të cilat përballen gratë në sektorin e biznesit. Gjithashtu demonstroi vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë e palëkundur të atyre që punojnë për të kapërcyer këto pengesa. Znj. Bislimi vuri në dukje kënaqshmërinë e të pranishmëve me rekomandimet, duke shprehur dëshirën për diskutimë të mëtutjeshme.

“Tryeza solli njohuri të vlefshme nga pjesëmarrësit dhe rekomandime për të cilat gratë ishin të kënaqura dhe të interesuara për të tilla diskutime edhe në të ardhmën”, theksoi ajo.

Deri më tani, Komuna e Vitisë ka mbështetur disa gra ndërmarrëse për zhvillimin e aktiviteteve afariste në fusha të ndryshme. Para disa vitesh, në bashkëpunim me Helvetas, Qendra Rinore në Viti ofroi trajnime dhe grante për disa gra. Sipas Donjeta Sadikut nga Qendra Rinore, shumica e grave që kanë marrë pjesë në këto trajnime kanë hapur biznese në rrobaqepësi, parukeri, pastiçeri etj. Po ashtu, Fadile Demelezi, zyrtare për zhvillim rural në Komunën e Vitisë, ka konfirmuar përkrahjen e ofruar nga komuna për gratë përmes bashkëfinancimit me donatorët dhe duke i pajisur me shtande në hapësira publike për të shitur produktet e tyre.

Përmes nismave si diskutime në tryeza, programe trajnimi dhe mbështetje financiare, po bëhen hapa të rëndësishëm për të adresuar sfidat që përballen gratë ndërmarrëse dhe për të krijuar një mjedis më stimulues për përpjekjet e tyre. Ndërsa këto përpjekje koordinohen dhe vazhdojnë, ka shpresë për një të ardhme ku bizneset e drejtuara nga gratë do të zhvillohen, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin socio-ekonomik të komunitetit dhe më gjerë.

What is DEMOS?

What is DEMOS?

Çka është DEMOS?

Çfarë është DEMOS?