Duke e parë interesin e shfaqur nga gratë e rajonit të Shtërpcës për t’u marrë me një gamë të gjerë të aktiviteteve në bujqësi, në veçanti në përmirësimin e bizneseve të tyre në sektorin e bujqësisë, projekti APR ka angazhuar trajnues me përvojë për t’i trajnuar dy grupe joformale të grave që përbëhen nga 48 gra nga fshati Firaje dhe Brod. Trajnimet janë në formë të punëtorive, prezantimeve dhe demonstrimeve në terren, si dhe mbahen në shtëpitë e pjesëmarrësve sipas orarit të përcaktuar nga vetë ato. Në total, do të jenë 18 ditë trajnimi, ndërsa rezultatet e raportuara deri tani janë të shkëlqyeshme. Disa nga temat e trajnimit janë: Menaxhimi i duhur i fermës, Sëmundjet dhe metodat adekuate për mbrojtën e kafshëve, Higjiena, Përmirësimi i cilësisë së qumështit sipas standardeve të kërkuara, Përpunimi, ruajtja dhe paketimi i qumështit dhe produkteve të tij, Marketingu dhe Shkëmbimi i eksperiencave. Veç kësaj projekti APR do të vazhdojë t’i përkrahë gratë fermere duke i bashkërenduar aktivitetet për trajnime të mëtejshme dhe investime të mundshme të nevojshme.


