Artikull Gazetaresk
14 Mars 2014

Se në Kosovë vërtet ka një varfëri të theksuar, përkundër një shtrese personash të pasur, kjo nuk diskutohet. Rreth 35 % e qytetarëve të Kosovës jetojnë me vetëm 1.6 € në ditë. Papunësia prej 45% është masa më reale për matjen e pakënaqësisë së qytetarëve të Kosovës. Sektori shoqëror (Komuna, Arsimi, Shëndetësia e ngjashëm) nuk arrin ta absorbojë gjithë atë numër të papunësuarish. Në sektorin privat ka një punësim që, sadopak, zbut papunësinë, por, të shumtën e herave, punëtorët janë të pakënaqur dhe për shkak të pagave të ulëta ose vonesat e tyre ata i braktisin vendet e punës. Ndërkaq bujqësia ka mbetur pothuajse anash, së pari për mungesë të subvencioneve të mjaftueshme nga Ministria e bujqësisë, por edhe të një averzioni të të rinjve ndaj këtij sektori.

Mirëpo, sidoqoftë, një përpjekje për zbutjen e papunësisë vjen edhe nga projekte të ndryshme të lancuara përmes organizatave ndërkombëtare në koordinim me organizma përkatës vendorë siç janë Agjencia për Zhvillim Rajonal (AZhR), Helvetas (Swiss Intercooperation),Enti për punësim i Komunës etj.

Siç dihet, Qeveria zvicerane, pas luftës, në vazhdimësi ka lancuar projekte për punësim në biznese të vogla e të mesme. Shi për këtë, që nga viti 2013 Programi Helvetas Intercooperatin i Zvicrës ka lancuar projektin “Aftësitë për Punësim Rural (APR)” që do të zvazhdojë deri më 2015. Ky projekt, pra, do të financohet nga HELVETAS Swiss Intercooperation përmes departamentit për mbledhjen e fondeve, si dhe nga fondacionet private Julius Baer (Zvicër) dhe Medicor (Lichtenstein).

Qëllimi i këtij projekti është zvogëlimi i vrfërisë në zonat rurale të Kosovës, përmes rritjes së mundësive për punësim. Në këtë pilotprojekt janë përfshirë dy zona të Kosovës: zona e maleve të Sharrit dhe zona e Komunës së Kamenicës dhe asaj të Novobërdës.  Të dyja këto zona janë kodrinore-malore dhe me mundësi punësimi në sektorin rural. Në projekt parashihet të përfitojnë rreth 5200 njerëz të papunësuar si dhe atyre me mundësi për vetëpunësim.

Duke pasur parasysh se gratë në Kosovë përbëjnë pjesën më të madhe të papunësisë, projekti APR do të promovojë pjesëmarrjen e grave të reja në zhvillimin ekonomik.

Projekti përdor tri strategji kryesore të ndërhyrjes:

  1. Ngritja e kapaciteteve të të rinjve të papunësuar (meshkuj e femra) përmes programeve të trajnimit dhe ngritjes së aftësive të lidhura me mundësitë e sektorit privat.
  2. Bashkëpunimi me bizneset ekzistuese për të rritur punësimin dhe të ardhurat nëpërmjet zhvillimit të aftësive dhe të biznesit.
  3. Ndërlidhja e furnizuesve të vetëpunësuar të lëndës së parë(bujqësore etj.) me blerësit vendorë dhe rajonalë.

Fillimisht nga ky projekt janë punësuar nga një punëtor në zonat e sipërpërmendura të cilët do të jenë edhe persona kontaktues për të interesuarit. Përfituesit e këtij projekti do të jenë kryesisht të rinjtë e të rejat prej moshës 16-30 vjeç. Ata fillimisht do të ndjekin një trajnim (pa pagesë) për biznesin për të cilin shprehin interesim.

Mundësia e zgjedhjes së bizneseve është nga këto fusha:

–          Produkte pyjore jodrusore (natyrale ose të kultivuara)

–          Bletari (produktet e bletës)

–          Blegtori dhe qumështari

–          Pemë frutore (manaferra, mjedëra, dredhëza, bronica, molla, kumbulla etj.)

–          Fermë pulash

–          Tekstil dhe zejtari

–          Teknologji e komunimit dhe internetit

–          Financa

–          Turizëm

–          Përgatitje të biznesplaneve dhe projektpropozimeve dhe

–          Trajnime të tjera me rëndësi për zonën.

Trajnimet për këta lëmenj mund të zgjasin prej një deri në 20 ditë.

“Vitin e kaluar kemi pasur 46 pjesëmarrës në trajnim prej të cilëve 13 persona janë vetëpunësuar, kurse sivjet deri tani kemi 13 grupe prej të cilëve janë ngritur 8 ide për biznese. Interesimi më i madh është për biznes në bletari dhe bimë dekorative, sepse prodhimet nga ky biznmes janë më të kërkuara në treg”, thotë punëtorja nga terreni i Kamenicës zonja Lirije Hajrizi.

Ajo bën të ditur se gjatë vitit 2013 janë ndarë tri grante në Komunën e Kamenicës, përkatësisht nga një në pulari, bletrari dhe bimë dekorative.

Autor: Xhevdet Kallaba