31.12.2021

Kuvendi Komunal: Një lidhje e fortë ndërmjet qytetarëve dhe shtetit në nivel lokal

Kuvendi Komunal: Një lidhje e fortë ndërmjet qytetarëve dhe shtetit në nivel lokal

Puna e qeverisjes lokale është e një rëndësie thelbësore. Komunat janë njësia bazë qeverisëse në sistemin e qeverisjes lokale në Republikën e Kosovës. Ato janë ofruesi kryesor i shumë shërbimeve thelbësore, dhe puna e tyre afekton jetën e të gjithëve, çdo ditë, pavarësisht nëse e vërejmë apo jo.

Në shumë aspekte, qeverisja lokale, e ndërtuar ashtu siç është përmes përvojave tona të përditshme, ngërthen në vete marrëdhënien më të ngushtë ndërmjet qytetarëve dhe shtetit. Duke filluar nga ofrimi i lëvizjes së lehtë për personat me nevoja të veçanta e deri tek ofrimi i përgjithshëm i shërbimeve cilësore për qytetarë, komunat mirëmbajnë infrastrukturën lokale, mbështesin ekonominë lokale dhe pasurojnë hapësirat e gjelbra publike. Sigurimi i qeverisjes së mirë të përgjithshme dhe sjellja e vlerave për qytetarët ndodhin vetëm kur ka bashkëpunim dhe ekuilibër të suksesshëm ndërmjet dy akterëve kryesorë: organit ekzekutiv dhe kuvendit komunal.

Kuvendi komunal, si përfaqësues i drejtpërdrejtë i votuesve të tij, vendos për politikat e përgjithshme duke përfshirë miratimin e buxhetit, rregulloren e posaçme etj. Nga ana tjetër, kryetari i komunës së bashku me drejtorët e sektorëve janë përgjegjës për drejtimin e politikave të kuvendit përmes menaxhimit të përditshëm të funksioneve të komunës.

Përderisa komunitetet i kthejnë sytë nga përfaqësuesit e tyre të zgjedhur për udhëheqje dhe udhëzim, anëtarët e kuvendit komunal marrin rolin e kujdestarëve politikë të qeverisjes së mirë dhe avokojnë fuqishëm për nevojat e komuniteteve që përfaqësojnë, dhe këtë gjë e bëjnë duke shtyrë përpara opsione dhe duke paraqitur argumente dhe zgjidhje për probleme në mbledhjet e kuvendit.

Kryetari i komunës – duke qenë udhëheqës i qytetarëve – përfshihet në zhvillimin e një vizioni për komunitetin dhe në vendosjen e asaj se çfarë duhet bërë për ta arritur atë vizion, por gjithashtu i jep shtysë pozitive procesit të pjesëmarrjes së publikut në punët e komunës. Kështu, ekzekutivi e kryen punën në mënyrë më të përgjegjshme.

Kjo gjë qëndron në teori: kurse është shumë më komplekse në realitet!

Në demokracinë lokale të Kosovës, marrëdhënia ndërmjet ekzekutivit dhe kuvendit komunal ka pasur baticat dhe zbaticat e saj. Jo shumë kohë më parë, anëtarët e kuvendit komunal nuk shprehnin interes të bënin më shumë pyetje rreth punëve të ekzekutivit, sepse kryetarët e komunave dhe drejtorët nuk dëshironin të ishin në ‘’karrigen e nxehtë’’. Për anëtarët e kuvendit komunal, mbajtja e ekzekutivit të lumtur nënkuptonte mbajtjen e privilegjeve. Kjo ndodhte edhe për shkak që shumë prej tyre nuk e dinin rolin dhe përgjegjsine e vet.

“Në fillim, anëtarët e kuvendit komunal hezitonin t’i sfidonin kryetarët në procesin e vendimmarrjes, nga frika se mund t’i dëmtonin marrëdhëniet me zyrtarët e nivelit ekzekutiv, pasi që kjo gjë zakonisht përkthehet në humbje të privilegjeve’’ thotë Merita Barileva, menaxhere e ndërhyrjes në projektin DEMOS. “Në të njëjtën kohë, fronti tjetër (ekzekutivi) po rezistonte t’i jepte më shumë pushtet anëtarëve të kuvendit komunal, duke iu shmangur pyetjeve që do të sfidonin zonën e tyre të rehatisë’’ – shton Merita.

Dhe kjo është pika ku ka ndërhyrë projekti DEMOS.

Projekti ka punuar krah për krah me anëtarët e zgjedhur të kuvendit komunal, duke ofruar trajnime për të përmirësuar performancën e tyre dhe për t’i ndihmuar ata të kuptojnë më mirë rolet dhe përgjegjësitë e tyre, p.sh. përmes Doracakut për Anëtarët e Kuvendit të Komunës.Doracaku, përveq kontributeve të tjera, shpjegon edhe funksionimin e kuvendit komunal dhe komisioneve të kuvendit komunal, bashkëpunimin e kuvendit komunal me këshillat e fshatrave, komunikimin e kuvendit komunal me publikun, si dhe adresimin e elementeve të demokracisë së drejtpërdrejtë në komuna.

“Doracaku ishte shumë efikas në ofrimin e informacionit të nevojshëm lidhur me rolet dhe përgjegjësitë e anëtarëve të kuvendit komunal. Para kësaj, kishte mungesë të madhe të shkëmbimit të informacionit me anëtarët e kuvendit komunal lidhur me detyrat e tyre dhe procedurat e përgjithshme në kuvendin komunal.’’ – Hyra Bytyqi, ish anëtare e kuvendit komunal.Doracaku i ri për anëtarët e kuvendeve komunale inkurajoi një ndryshim në sjellje: Kryetarët dhe drejtorët filluan të praktikojnë raportimin e rregullt lidhur me të arriturat e tyre dhe kjo gjë i ndihmoi ata të përmirësojnë reputacionin e tyre brenda kuvendit dhe të ndërtojnë integritetin e tyre.

Vetëm pas një sërë seancash produktive të kuvendit, niveli ekzekutiv filloi të kuptojë se fuqizimi i anëtarëve të kuvendit komunal së bashku me kompetencën e tyre të shtuar do të rezultojë në punë më të mirë të ekzekutivit komunal, në përgjithësi. Kryetarët e komunave dhe drejtorët e ekzekutivit nisën të përgatiteshin para takimeve, me frikën se autoriteti i tyre do të vihej në pikëpyetje dhe minimizohej. Për shkak të mbështetjes së tyre në vota lokale për sa i përket rizgjedhjes, ata ishin shumë të motivuar për të performuar në nivel të mirë. Me rritjen e transparencës së komunave të tyre me kalimin e kohës, niveli ekzekutiv filloi të merrte më shumë reagime pozitive nga donatorët ndërkombëtarë dhe organizatat e shoqërisë civile.