Me qëllim të rritjes së llogaridhënies dhe angazhimit me qytetarë, projekti DEMOS në bashkëpunim me Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) ka filluar monitorimin e performancës së këshilltarëve komunal në Prizren, Malishevë, Istog, Gjilan, Rahovec dhe Kllokot. Përzgjedhja e komunave është bërë duke pasur parasysh madhësinë territoriale për të siguruar përfshirjen e komunave të vogla, mesme dhe të mëdha, diversitetin politik për të siguruar përfshirjen e komunave që udhëhiqen nga subjekte të ndryshme politike dhe diversitetin etnik për të siguruar përfshirjen e komuniteteve joshumicë në Kosovë.
Gjatë 10 muajve sa do të zgjasë monitorimi, këshilltarët do të vlerësohen për rolin e tyre përfaqësues, ligjvënës dhe mbikqyrës. Në mënyrë fizike, por edhe përmes rrjeteve sociale, ata do vlerësohen për takimet që do të mbajnë me këshillat lokal dhe qytetarë, përfshirë grupet e margjinalizuara, për kërkesat që do t’i adresojnë në seancat e kuvendit komunal apo në ekzekutiv, për nismat ligjore që ngrisin gjatë seancave, për mbikëqyrjen e zbatimit të projekteve komunale etj.
Bazuar në vlerësimet e bëra, në fund do të ndahen tre çmime: një për këshilltarin/en më aktiv/e, tjetri për keshilltaren (grua) më aktive dhe çmimi i tretë për këshilltarin/en i/e ri/e më aktiv/e. Pjesë e vlerësimit nuk do të jenë kryesuesit e kuvendeve komunale dhe shefat e grupeve parlamentare. Metodologjia e vlerësimit tashmë është prezantuar në të gjitha gjashtë komunat gjatë takimeve të asambleve komunale.

Dëfrim Kafexhiu, kryesues i Kuvendit Komunal të Rahovecit e vlerëson këtë aktivitet të DEMOS-it si kreativ, efikas dhe produktiv për të zhvilluar rolin e anëtarve të Kuvendit Komunal. “Me anë të monitorimit dhe vlerësimit të punës së asambleistëve, veprimtarinë e tyre politike si brenda dhe jashtë Kuvendit, do të ndikoj në motivimin e tyre për zhvillimin e metodave të ndryshme në përfaqësimin e qytetarëve dhe në mbikqyrjen e proceseve komunale në përgjithësi”, shton ai.

Edhe Melinda Iska, këshilltare komunale në Rahovec, e ka mirëpritur vlerësimin e performancës së saj dhe kolegëve. “Ky monitorim do të më angazhojë që të jem më aktive në përcjelljen e projekteve në të mirë të qytetarëve, më shumë takime me grupe të ndryshme, me fokus të veçantë tek gratë dhe shëndetësia”, theksoi ajo.

Dafina Alishani, këshilltare komunale në Prizren thotë se që nga ditët e para të monitorimit të performancës së tyre, ka vërejtur aktivizimin e disa prej kolegëve të saj dhe rritjen e përgjegjësisë. “Sa më shumë që ka monitorim aq më shumë do të ketë shtytje e motivim për të vepruar në të mirën e qytetarëve”, vlerëson ajo.

Ndërsa Avdyl Aliu, këshilltar komunal në Gjilan është i bindur se monitorimi dhe vlerësimi i punës së asambelistëve do të ndikojë jo vetëm në një performancë më të mirë individuale për ta, por do të përmirësojë qeverisjen lokale në përgjithësi. “Duke u ngritur niveli i angazhimit jo vetëm në sasi, por edhe në cilësi, besoj se do të ndikojë edhe në ngritje të perfomancës së qeverisë komunale për kryerjen me përgjegjësi të punëve për përmbushjen e nevojave qytetare dhe institucionale”, theksoi ai.
Përgjatë viteve dhe përmes aktiviteteve të ndryshme, projekti DEMOS ka ndihmuar kuvendet komunale dhe ka punuar me anëtarët e këtyre kuvendeve, për të ngritur kapacitetet profesionale dhe për të përmirësuar performancën e tyre sa i përket mandatit, rolit dhe përgjegjësive që kanë.
Në vazhdimësi, me qëllim të rritjes së llogaridhënies dhe nxitjes së anëtarëve të kuvendeve komunale për të kryer funksionet e tyre, DEMOS do të monitorojë, vlerësojë dhe përzgjedhë këshilltarin/en më aktiv/e për angazhimin e tij/saj në përfaqësimin e qytetarëve, angazhimin në komunitet dhe rolin vendimmarrës e mbikëqyrës.
Angazhimi qytetar dhe qytetarët aktiv do të mundësojnë që anëtarët e kuvendeve të përfaqësojnë dhe delegojnë edhe më shumë kërkesat e tyre, të ngritet vetëdija dhe profesionalizmi, të rritet përgjegjshmëria dhe llogaridhënia. Kjo do të kontribuojë gjithashtu në përmirësimin e raportit mes pozitës dhe opozitës, si dhe bashkëveprimin mes komunave, anëtarëve të kuvendeve komunale dhe qytetarëve.
Projekti DEMOS bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian, Zvicra, Suedia dhe Norvegjia, ndërsa zbatohet nga Helvetas Swiss Intercooperation.