Për shtatë vite më radhë, projekti i DEMOS i ka ndihmuar procesit të forcimit të sistemit të qeverisjes demokratike dhe decentralizimit në Kosovë, ku komunat ofrojnë shërbime më të mira për qytetarët.
Nga 17 komuna ku ishte aktiv më herët, nga viti 2018 DEMOS i përkrah të gjitha komunat e Kosovës për një qeverisje më të mirë dhe ofrim të shërbimeve, që ndikojnë pozitivisht në jetën e përditshme të qytetarëve.
Që komunat e Kosovës të ofrojnë shërbime më të mira për qytetarët, projekti DEMOS përdor si stimul Grantin e Performancës Komunale (GPK), ku komunat konkurrojnë me njëra tjetrën për përformancën më të mirë. Kështu, sa më e lartë të jetë përformanca e komunës aq më i lartë është edhe granti për të. Në vitin 2009, Ministria e Pushtetit Lokal (MPL), për herë të parë në rajon zhvilloi skemën e performancës komunale si nxitje për përmirësimin e qeverisjes lokale dhe më pas është shoqëruar me grant të performancës.
Në vitin 2017, DEMOS në bashkëpunim me MPL ka zhvilluar GPK-në dhe tani ai bashkëmenaxhohet dhe bashkëfinacncohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) përmes projektit DEMOS. Nga viti 2019, Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA), dhe Qeveria Norvegjeze (NORAD) janë pjesë e bashkëfinancimit të Grantit të Performancës Komunale, grant i cili ofrohet në baza vjetore.
‘GPK është në drejtim të institucionalizimit, në kuptimin që me gjasë është përbrendësuar nga MPL dhe do të vazhdojë edhe pas përfundimit të projektit DEMOS’- tregon Ertan Munoglu, menaxher i projektit DEMOS.
Por çka kërkon Granti i Përformancës?
Ai kërkon që komunat të kenë përformancë të mire, e cila është atëherë kur komuna:
– Qeverisë në mënyrë demokratike,
– Ka menaxhim të mirë komunal,
– Ofron shërbime adekuate për qytetarët.
Në bazë të këtyre fushave komunat notohen, të cilat shërbejnë edhe si indikator për përfitimin e grantit.
Fletënotimet për komunat mund t’i gjeni këtu.
Për performancën e vitit 2019, përmes GPK do të ndahen rreth 5 milion euro.
DEMOS, në bashkëpunim me MPL harton raporte ku ofrohet pasqyrë e qartë e performancës së komunave të Kosvës dhe trendet e tyre ndër vite për fushat/treguesit ku performanca është e mirë dhe ku kërkohen përmirësime. Në ato fusha ku përformanca vlerësohet më e dobët, DEMOS ofron trajnime për komunat.
Sipas Merita Barileva nga projekti DEMOS, në këto trajnime është tejet e rëndësishme që të marrin pjesë zyrtarët komunal, që pastaj ata t’i përdorin njohuritë dhe aftësitë e fituara në komunën e tyre.
“Trajnimet tona, varësisht prej temës së trajnimit, targetojnë zyrtarët përkatës komunalë dhe anëtarët e kuvendeve komunale. Është tejet e rëndësishme që zyrtarët komunalë të marrin pjesë në këto trajnime në mënyrë që kur të kthehen në punën e tyre të mund t’i përdorin lehtësisht njohuritë dhe aftësitë e fituara aty”, shpjegon ajo.
Gjatë vitit 2019, rreth 1863 përfaqësues të komunave, prej të cilëve 788 gra dhe 219 nga komunitetet jo shumicë, kanë përfituar nga programi i trajnimit i DEMOS-it, në tema të tilla si: rritja e pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të grave në vendimmarrjen lokale, adresimi i rekomandimeve të auditimit të jashtëm, azhurnimi i regjistrit dhe vjelja e tatimit në pronë, menaxhimi i burimeve njerëzore, etj. Prej këtyre pjesëmarrësve 900 kanë qenë anëtarë të kuvendeve komunale, ndërsa 700 zyrtarë.
Aurora Ramadani, Drejtoreshë e Administratës në Komunën e Ferizajt, pjesëmarrëse në njërën nga trajnimet e organizuara nga DEMOS, ka thënë se njohuritë e fituara mund të zbatohen në komunën e saj.
‘Njohuritë dhe rekomandimet për menaxhim më të mirë të burimeve njerëzore të marra gjatë trajnimit mund të zbatohen lehtësisht në komunën tonë’, tha ajo
Sipas raportit të performancës, të vitit 2018 për grantin e performancës komunale, fusha që ka pasur performancën më të lartë ishte ajo e Ofrimit të Shërbimeve, ndërsa, ajo me performancën më të ulët ka qenë fusha e Menaxhimit Komunal. Treguesit ku komunat kanë treguar performancë më të dobët janë, i) gratë e emëruara në pozita politike në komunë dhe ii) shtrirja e territorit komunal të përfshirë në planet (e hollësishme) rregullative.
Sa i përket përkrahjes në nivelin qendror, projekti DEMOS, që nga viti 2014 ka ofruar asistencë teknike kryesisht për Ministrinë e Pushtetit Lokal (MPL), përkrahje kjo e cila është ofruar në baze të kërkesave dhe nevojave të MPL-së.
Nga viti 2018, kjo përkrahje është fokusuar në:
Gjatë viteve të fundit, projekti ka bashkëpunuar ngushtë edhe me Ministrinë e Financave.
Përkrahja e komunave dhe ministrive përkatëse MPL dhe MF, nga projekti i DEMOS-it nuk ka ndaluar as në kohë pandemie, ku ka vazhduar përkrahja me fokus në menaxhimin e Grantit të Përformancës Komunale (GPK), zhvillimin e mëtejshëm të Sistemit të Menaxhimit të Përformancës komunale (SMPK), përfshirë draftimin e Rregullores së re për SMPK dhe për GPK.
Po ashtu, janë organizuar edhe takime virtuale me kryetaret e komunave, drejtorët, kryesuesit e kuvendit dhe përfaqësues të tjerë të rëndësishëm të komunave për të diskutuar Grantin e Performancës Komunale (GPK) në përgjithësi, dhe performancën individuale të secilës komunë. Këto takime kanë shërbyer si mundësi për të diskutuar lidhur me sfidat dhe mundësitë për përmirësimin e performancës në treguesit e GPK.
Gjatë periudhës së pandemisë, DEMOS poashtu ka vazhduar përkrahjen për MF-në dhe MPL-në, për përmirësimin e legjislacionit për financat e komunave dhe krijimin e mekanizmave shtesë potencial për financimin e komunave.
‘Një tjetër iniciative që ka vazhduar gjatë periudhës së pandemisë është përkrahja e MF dhe MPL për të përmirësuar legjislacionin lidhur me financat e pushtetit local, përfshirë edhe mundësinë e krijimit të mekanizmave më të përshtatshëm për financim të komunave nga ministritë e linjës, Qeveria e Kosovës ose donatorët’, shpjegon Shpend Emini, zëvendës menaxher i projektit.
Qeverisja e mirë dhe demokratike rezulton me transparencë, llogaridhënie, barazi dhe gjithëpërfshirje të të gjithë qytetareve në vendimmarrje, andaj edhe vizioni i DEMOS është që komunat t’i arrijnë këto dhe të ofrojnë shërbime bazuar në nevojat e qytetarëve të tyre. Prandaj, në njërën anë DEMOS i stimulon komunat për të përmirësuar qeverisjen përmes grantit, ndërsa në anën tjetër i ndihmon ato përmes asistencës teknike për t’a përmirësuar performancën aty ku komunat kanë nevojë.
Projekti për Decentralizim dhe përkrahje të komunave (DEMOS) është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), bashkëfinancuar nga Suedia dhe Norvegjia, implementuar nga HELVETAS Swiss Intercooperation-Kosovo.