27.07.2020

Mbështetja e komunave për të ngushtuar hendekun me qytetarët përmes takimeve online

Pushtetet lokale janë në pararojë të krizës COVID-19. Ato po bashkërendojnë shërbimet shëndetësore, po sigurojnë grumbullimin e mbeturinave, ofrojnë qasje në shërbimet publike online dhe po provojnë mënyra të reja për të përfshirë qytetarët e tyre në proceset e vendimmarrjes. Me rritjen e masave të sigurisë, pushtetet lokale duhet të rimendojnë dhe të gjejnë zgjidhje më të shpejta dhe më të mira për t’u angazhuar me qytetarët e tyre.

Në projektin DEMOS ne jemi të vetëdijshëm për përgjegjësitë tona personale dhe i gjithë ekipi u zhvendos për të punuar nga shtëpia. Për të kufizuar kontaktin social, të gjitha aktivitetet tona të zakonshme, siç janë në takimet me prani fizike dhe ngjarjet e planifikuara, mbahen në internet ose janë shtyrë.

Në këtë aranzhim të ri, të gjitha përpjekjet tona janë drejtuar për të ndihmuar pushtetet lokale në çfarëdo mënyre që mundemi. Ne besojmë se është thelbësore të sigurohet vazhdimësi demokratike ndërsa komunitetet të mësohen me këto rrethana të reja, dhe ne jemi këtu për të ndihmuar në këtë proces.

Kuptohet që gjatë pandemisë e cila po vazhdon, komunat po përballen me pengesa në kryerjen e punës së tyre. Si rezultat i bllokimit, distancimit dhe masave të karantinimit për shumicën e komunave ishte pothuajse e pamundur të organizohen takimet e tyre të rregullta me qytetarët. Duke qenë si një nga parimet më të rëndësishme të demokracisë, pjesëmarrja e qytetarëve ndikohet më së shumti nga situata e krijuar rishtazi.

Këto dy muaj të fundit, ekipi ynë mbajti takime virtuale me kryetarët e komunave, drejtorët dhe përfaqësuesit e tjerë të komunës për të folur rreth grantit të performancës komunale dhe performancës së tyre individuale në qeverisjen demokratike, menaxhimin komunal dhe ofrimin e shërbimeve. Gjatë takimeve tona të gjalla me komunat diskutuam për sfidat me të cilat përballen komunat dhe mundësitë për të përmirësuar performancën e tyre. Për më tepër, ne e shfrytëzuam këtë mundësi për të theksuar rëndësinë e llogaridhënies, transparencës, pjesëmarrjes si parimet kryesore të çdo demokracie lokale. Në këtë mënyrë, së bashku me komunat hulumtuam mundësitë dhe shqyrtuam mënyra të ndryshme të mbështetjes që ne mund të ofrojmë në mënyrë që të hedhim në lëvizje idenë e takimeve online me qytetarët.

Ideja prapa kësaj është mbështetja e pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e vendimmarrjes si dhe ndihma ndaj komunave për të përmbushur standardet minimale të konsultimit publik mbi temat e rëndësishme. Në këtë mënyrë, komunat do të sigurojnë transparencë më të lartë dhe llogaridhënie në drejtim të qytetarëve të tyre. Për më tepër, duke lehtësuar takimet online me qytetarët, komunat gjithashtu mund të përmirësojnë performancën e tyre në Grantin e Performancës Komunale.

Deri më tani, vetëm tetë nga tridhjetë e tetë komunat shprehën interesin e tyre për të pasur takime online me qytetarët dhe kërkuan mbështetjen tonë.

Komuna e parë që organizoi takim online ishte komuna e Rahovecit. Kryetari i komunës u takua me udhëheqësit e fshatrave dhe lagjeve dhe shfrytëzoi këtë mundësi për të diskutuar efektet dhe ndikimin e COVID-19 në komunë, zbatimin e projekteve të investimeve kapitale dhe raportin gjashtëmujor të kryetarit. Udhëheqësit e fshatrave dhe lagjeve ishin shumë aktiv duke i kërkuar komunës të ishte më efektive në zbatimin e planeve të saj për shërbime më të mira komunale.

Komuna e Gjilanit ishte komuna e dytë që mori mbështetjen tonë në organizimin e takimeve online me qytetarët. Gjatë takimit, Kryetari i Komunës së Gjilanit prezantoi sukseset, arritjet dhe sfidat gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2020 dhe diskutoi shqetësimet e qytetarëve. Ekziston një nivel i lartë i përdorimit dhe pranisë në media sociale dhe platforma të tjera online nga qytetarët e Kosovës. Megjithë masat e synuara për të mobilizuar interesin e qytetarëve për këto takime online me përfaqësuesit e tyre të komunës, pjesëmarrja në takimet online është mjaft e ulët. Fatkeqësisht, pjesëmarrja e grave është edhe më e ulët!

Për momentin, ne jemi duke punuar shumë ngushtë me gjashtë komuna të tjera, duke ofruar këshilla dhe qasje në platformën online për t’i bërë këto takime të mundshme. Mundësitë duhet të hulumtohen për të synuar komunitetet e organizuara dhe organizatat e shoqërisë civile për të gjeneruar interes më të madh për të marrë pjesë në çështjet publike dhe për të mbajtur llogaridhënës përfaqësuesit e tyre komunalë.

Situata e krijuar rishtazi, jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë globin, mund të shihet jo vetëm si krizë shëndetësore, por edhe si një mundësi për të ndryshuar dhe përvetësuar mënyra të ndryshme se si të shfrytëzohet më mirë teknologjia në dispozicion, të zhvillohen kanale dhe mekanizma të rinj të pjesëmarrjes në mënyrë që të ngushtohet hendeku midis vendimmarrësve dhe qytetarëve.