Nga: Jesper Elias Lauridsen & Drilon Shala – 10 maj 2023
Në Kosovë komunat me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale janë të obliguara që të informojnë dhe angazhojnë qytetarët dhe organizatat e interesuara për planet, projektet dhe aktivitetet me interes publik. Kjo ka për qëllim të nxisë pjesëmarrjen dhe ndikimin qytetar. Megjithatë, takimet publike dhe seancat dëgjimore janë dëshmuar joefektive në drejtim të ndërtimit të fuqisë së njerëzve për t’u përfshirë në proceset demokratike lokale. Ndërsa shumë aktivitete janë bërë për të informuar dhe konsultuar komunitetet për nevojat e tyre, më pak vëmendje i kushtohet llogaridhënies së autoriteteve lokale kur prioritetet dhe veprimet e dakorduara për përmirësimin e shërbimeve publike dhe zbatimin e projekteve zhvillimore nuk ndiqen.
Projekti për Decentralizimin dhe Përkrahjen e Komunave (DEMOS) mbështet të gjitha komunat e Kosovës që të sjellin ndryshime sistematike që promovojnë qeverisjen e mirë dhe ofrimin e shërbimeve më të mira që ndikojnë pozitivisht në jetën e përditshme të qytetarëve. Projekti është bërë veçanërisht i njohur për ofrimin e granteve të performancës për komunat. Sa më e mirë të jetë performanca e komunës, aq më i lartë është granti. Duke zhvilluar konkurrencë pozitive ndërmjet komunave, granti i performancës ka sjellë ndryshime pozitive në sjelljen e komunave drejt përmirësimit të menaxhimit financiar dhe të burimeve njerëzore dhe forcimit të proceseve gjithëpërfshirëse të vendimmarrjes ku qytetarët e zakonshëm kanë zë dhe mundësi për të ndikuar.
Që komunat të jenë më të llogaridhënëse ndaj premtimeve të bëra qytetarëve, DEMOS-i, në bashkëpunim me Platformën CiviKos, në komunat e Pejës, Kamenicës, Lipjanit dhe Rahovecit ka iniciuar “auditime sociale” me qëllim të monitorimit të zbatimit dhe ndikimit të projekteve të financuara përmes grantet e performancës komunale.
Pra, çfarë është saktësisht një “auditim social”? Është një qasje drejt arritjes së llogaridhënies sociale, përmes një procesi të angazhimit konstruktiv ndërmjet komuniteteve, shoqërisë civile, agjencive qeveritare dhe sektorit privat. Ai vlerëson performancën e komunave që janë përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve si qasja në ujë dhe objektet shëndetësore dhe për zbatimin e projekteve të zhvillimit të komunitetit si infrastruktura rrugore dhe rehabilitimi i hapësirave publike. Auditimet sociale bazohen në parimet e qeverisjes demokratike, që do të thotë se procesi është pjesëmarrës, gjithëpërfshirës, transparent dhe i orientuar drejt zgjidhjeve. Kur janë të suksesshme, auditimet sociale çojnë në planifikim dhe menaxhim të përmirësuar të ofrimit të burimeve publike të shërbimeve dhe projekteve publike nga të cilat përfitojnë njerëzit, veçanërisht grupet cenueshme në shoqëri si gratë, të rinjtë, personat me aftësi të kufizuara dhe pakicat etnike. Auditimet sociale nuk duhet të ngatërrohen me auditimet klasike financiare. Auditimet sociale janë megjithatë plotësuese pasi ato mund të ndihmojnë komunat dhe publikun për të vlerësuar cilësinë e projekteve dhe shërbimeve për të cilat ndahen financat.

Në të katër komunat, ekipet e auditimit social të përbërë nga 16-20 anëtarë u krijuan me kujdes për të siguruar diversitetin dhe përfaqësimin e grupeve të cenueshme. Duke pasuar qasjen e zhvilluar nga DEMOS, këto ekipe të auditimit social, në bashkëpunim me katër komunat dhe me lehtësimin e CiviKos, audituan projektet e mëposhtme:
Auditimet sociale zakonisht dolën në përfundimin se banorët nuk konsultohen gjithmonë gjatë procesit të planifikimit të projekteve. Gjithashtu, atyre shpesh u mungon informacioni për investimet e alokuara. Si shembuj konkretë, auditimi social i parkut të Karagaqit në Pejë zbuloi se ulëset metalike nuk ofrojnë rehati për njerëzit, veçanërisht të moshuarit, për t’u ulur dhe për t’u çlodhur. Parku nuk ofron infrastrukturë të përshtatshme si p.sh. rampa për përdoruesit e karrocave të invalidëve dhe në park nuk ka ndriçim pas orës 23:00, kështu që njerëzit nuk ndihen të sigurt. Vandalizmi është i shpeshtë pasi nuk ka roje për të mbrojtur hapësirën publike gjatë natës. Në Rahovec ekipi i auditimit social ka konstatuar se ka shumë pak rampa në hapësirat publike dhe rampat që ndodhen në qendër të qytetit janë më të ngushta se standardet e lejuara për përdoruesit e karrocave të invalidëve. Gjithashtu, nuk kishte sinjalistikë për të sinjalizuar shtigjet për personat me nevoja të veçanta dhe sinjalizimet me zë në semaforë ose nuk funksiononin ose kishin volum shumë të ulët për këmbësorët. Në komunën e Lipjanit auditimi social ka konstatuar se rrjeti i ujësjellësit në fshatin Janjevë është i vjetëruar dhe ka rrjedhje të pakontrolluara nëpër shtëpi të pabanuara. Kjo ka shkaktuar mungesë të ujit të pijshëm, veçanërisht në lagjen rome. Në komunën e Kamenicës është rekomanduar që në të ardhmen të bëhen analiza të cilësisë së burimeve të ujit dhe të ndahen rezultatet me komunitetet dhe të riparohen gropat dhe dëmtimet e shkaktuara nga operatori që ka ndërtuar rezervuarin e ujit në fshatin Hogosht.

Ekipet e auditimit social dokumentuan me zell gjetjet e tyre dhe i prezantuan me rekomandimet e propozuara për kryetarët e komunave dhe u angazhuan në dialog konstruktiv për të adresuar në mënyrë kolektive mangësitë. Ndërsa ky ishte kulmi i auditimeve sociale, i gjithë procesi kërkon hapa dhe veprime të caktuara për të qenë kuptimplotë dhe efektiv:
Planifikimi:
Mbledhja dhe analiza e të dhënave:
Paraqitja publike dhe dialogu i bazuar në prova
Takimet përcjellëse:
Përvojat nga katër komunat tregojnë se auditimet sociale vijnë me mundësi por edhe sfida. Është një qasje efektive drejt rritjes së ndërgjegjësimit publik dhe forcimit të zërave të komunitetit për t’u angazhuar në mënyrë të besueshme me autoritetet lokale dhe për t’i mbajtur ato përgjegjëse. Në të njëjtën kohë, ai ofron një platformë për udhëheqjen e zgjedhur për të shpjeguar pse dhe si projektet zhvillimore nuk shkojnë gjithmonë sipas planit. Përpjekjet e përbashkëta për të gjetur zgjidhje për identifikimin e mangësive rrisin besimin e ndërsjellë ndërmjet shoqërisë civile dhe komunave. Megjithatë, auditimet sociale fillimisht kërkojnë mbështetje të konsiderueshme teknike për sa i përket mbledhjes dhe analizimit të të dhënave. Gjithashtu, mund të duhet kohë për të ndërtuar marrëdhënie dhe që stafi komunal dhe udhëheqja e zgjedhur të ofrojnë me dëshirë qasje në të dhënat publike dhe të angazhohen në dialog të hapur, i cili, nëse nuk bëhet në mënyrë të ndjeshme ndaj konfliktit, mund të ndezë emocione dhe dëme të mundshme.
Auditimet sociale, siç ilustrohet në këtë video, ishin pranuar pozitivisht. Deri më tani gjysma e tridhjetë e tetë komunave në Kosovë tani tregojnë interes për të përsëritur procesin e auditimit social. Po kështu, Ministria e Pushtetit Lokal dhe Administratë Publike ka vendosur të kontribuojë financiarisht në shkallëzimin e auditimeve sociale në më shumë lokalitete në të gjithë vendin.