Pjesëmarrja e grave në pozita politike në Kosovë, vazhdon të jetë një ndër pikat më pak të zhvilluara.
Sipas raportit të performancës së komunave, treguesi i cili ka pikën më të dobët është ai i emërtimit të grave në pozita politike, ku nga 420 pozita në kuadrin ekzekutiv komunal vetëm 119 prej tyre janë gra. E njëjta situatë ka qenë edhe në dy vitet e kaluara, 2017 dhe 2018, ku 29 komuna kanë raportuar se vetëm rreth 30 përqind e të emëruarve në pozita politike janë gra.
Kosova, në të gjitha ligjet e kodifikuara ka tipare demokratike dhe ndër më të avancuarat në regjion. Por, edhe pse ligjet kundër diskriminimit gjinor dhe ligjet që synojnë rritjen e përfaqësimit të grave në qeverisje lokale dhe qendrore, sikur Ligji për Barazi Gjinore janë te formuluara për të stimuluar përfaqësimin e grave në politikë, këto më shumë mbeten në letër. Kur ligjet shkruhen por nuk implementohen, ato nuk prodhojnë efektet shoqërore që kanë synuar dhe kjo shihet në numrat e vegjël të pjesëmarrjes së grave në skenën politike Kosovare por edhe më shumë në numrin e grave që mbajnë pozita ekzekutive në nivelit komunal.
Ndonëse me numër të vogël, gratë e emëruara në pozita politike po ashtu përballen me barriera kulturore e stereotipe gjinore të ndryshme.
Medina Brahaj, kryetare e kuvendit komunal në Shtime, tregon se paragjykimet që ka hasur në profesionin e saj kanë qenë më të rënda se përvoja e saj profesionale.
‘Unë jam kryesuese e Kuvendit Komunal në Shtime dhe sfidat, paragjykimet, stereotipet që kam hasur kanë qenë shumë më të rënda sesa vitet dhe përvojat e mia profesionale. Sidoqoftë, ia dola duke punuar shumë me veten, duke punuar në vazhdimësi dhe duke ia dëshmuar ” burrave” se unë e jam e denjë për ketë pozitë ekzekutive pavarësisht moshës se re dhe për më tepër pavarësisht gjinisë qe unë kam’, shpjegon ajo.
Ndërsa problem i dyfishtë për të përveç gjinisë ka qenë edhe mosha.
‘Kuptova që të qenit e re dhe grua përputhet me dy elemente paragjykimi, të cilat janë jashtëzakonisht të vështira për t’u përballuar nëse kombinohen së bashku’, tregon ajo.
Ajo që vërteton privimin e gruas në pozita të larta vendimmarrëse është fakti se nga 38 komuna të Kosovës asnjë nuk udhëhiqet nga një grua, dhe vetëm dy gra janë nënkryetare.
‘Problemi më i madh është që, edhe pse mund të jesh grua e suksesshme që arrin qëllimet dhe pritjet e tua, kurrë nuk mund të synosh me të vërtetë në majën e piramidës së suksesit. Është edhe më e vështirë të qëndrosh aty. Mund të jeni në të gjitha llojet e pozicioneve të tjera dytësore, por është jashtëzakonisht e vështirë të jesh drejtoreshë, kryetare, drejtuese e institucionit/kompanisë për të cilën synoni, për shkak të faktit se gjithmonë do të nënvlerësoheni nga burrat’, thotë kryesuesja e kuvendit të Shtimes.
Por kur analizojmë se cilat karakteristika kulturore dhe socialo-ekonomike kontribuojnë në këto dukuri më së shumti përballemi me faktin se politika në Kosovë mbetet pasqyrë e shoqërisë që na rrethon.
Për Fatbardha Eminin, zëvendës ministre në Ministrinë e Pushtetit Lokal, gratë e kanë më shumë problem të ecin krahas suksesit të burrave shkaku i një shoqërie të dominuar nga burrat.
‘Zhvillimi politik i grave kosovare është ballafaquar me pengesa të panumërta. Gratë të cilat janë pjesë e politikës e kanë të vështirë të ecin tutje krahas suksesit të burrave, pasi që ende jemi në një shoqëri ku kemi sfida dhe barriera gjinore dhe paragjykime, po ashtu sado që kuota ka nxjerr në pah shumë gra të suksesshme ende nuk është niveli i duhur i grave në politikë’, thotë ajo.
Me qëllim të rritjes së grave në pozita udhëheqëse, gjatë vitit 2017, projekti DEMOS ka përkrahur gratë në politikë me trajnime të ndryshme. Trajnimet kanë përfshirë temat për:
Trajnimet kanë për qëllim rritjen e vetëdijesimit duke arritur përfitime të ndryshme në shoqërinë e sotme dhe stimulimin e grave në këtë fushë.
Pastaj, gjatë vitit 2019, janë mbajtur trajnime shtesë për gratë në pozita politike si dhe për rritjen e pjesëmarrjes së gruas në takime/debate publike. Këto trajnime janë mirëpritur nga pjesëmarrësit, ku Habibe Bytyqi, zyrtare për barazi gjinore në komunën e Suharekës ka thënë se:
‘Kursi i trajnimit i cili trajton rritjen e pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të grave ishte shumë i dobishëm dhe praktik. I njëjti mund të ndihmojë komunën tonë sa i përket rritjes së performancës lidhur me përfaqësimin e grave në pozitat e caktuara dhe pjesëmarrjen e grave në proceset e vendimmarrjes komunale’.
Kuota zgjedhore që specifikon se 30 përqind e pozitave politike duhen të jenë gra, është duke u respektuar por nuk është numër i mjaftueshëm për përfaqësim të barabartë gjinor, dhe nuk zgjedh të gjitha barrierat në këtë lëmi.
Ndër vite, pozita e grave si vendimmarrëse është përmirësuar nga 5.6 përqind në vitin 2015 në 11.9 përqind të grave në pozita vendimmarrëse në vitin 2018, por pavarësisht këtij numri të dyfishuar, përqindja mbetet tejet e vogël.
Sipas Vjollca Tërnava-Konjusha, Kryesuese e Kuvendit Komunal në Komunën e Fushë-Kosovës, gratë duhet të jenë më kërkuese për pozita të caktuara.
‘Pengesat ndonjëherë dalin edhe nga baza e gjerë familjare, por ne si gra kur jemi profesionalisht te ngritura duhet të jemi më kërkuese në familje dhe institucione për të marr pozita të caktuara. Praktika ka treguar se ne menaxhojmë me nder, besnikëri dhe vlerësojmë në mënyrë më të shumëfishtë interesat e qytetareve para vendimmarrjes ’, thotë ajo.
Numër i vogël i grave është edhe në pjesëmarrje në takime publike. Në takimet e mbajtura nga DEMOS me komunat, ndër tjerat kanë biseduar edhe për këtë problem, ku sipas komunave arsyeja e pjesëmarrjes së ulët të grave në seancat dëgjimore është kombinimi i faktorëve të ndryshëm, siç janë normat sociale, mungesa e interesit të përgjithshëm të qytetarëve për pjesëmarrje, por edhe besimi i ndërsjelltë i nevojshëm për vendimmarrje pjesëmarrëse.
Një moment historik për të gjitha gratë në politikë ka ndodhur në vitin 2011, ku për herë të parë në Kosovë pozita e presidentit, përfaqësuesit ekzekutiv të shtetit iu caktua një gruaje- Presidentes Atifete Jahjaga. Po ashtu, vitin e kaluar, për herë të parë si Kryetare e Kuvendit të Kosovës është zgjedhur Vjosa Osmani. Këto janë zhvillime mjaft esenciale në fushën e politikës duke e dalluar Kosovën si shembull edhe për shtetet e tjera në rajon.
Por pavarësisht këtyre zhvillimeve ende ka vend për përmirësime.
Sipas kryetares së kuvendit të Shtimes, Medina Brahaj, gratë duhet të punojnë më shumë se burrat për të arritur të njëjtat rezultate.
‘Gratë në përgjithësi duhet të punojnë më shumë se burrat për të arritur të njëjtat rezultate dhe për të fituar respekt dhe njohje. Gratë shpesh nënvlerësohen, nuk merren seriozisht ose injorohen. Prandaj, duhet të punojmë dy herë më shumë për të marrë të njëjtat rezultate sesa burrat’, thotë ajo.
Gratë shembull, duket se kane ndikuar pozitivisht në nxitjen e personave të tjerë për të arritur atë se çka dëshirojnë. Kështu edhe sipas Medina Brahaj, gratë në pozita të ndryshme vendimmarrse duhet të kenë përgjegjësi të jenë shembull për të tjerat.
‘Unë mendoj se gratë në pushtet e kanë këtë përgjegjësi të parë dhe të gjitha ne kemi këtë përgjegjësi të parë për të qenë një model roli për vajzat dhe gratë e reja , duke u thënë atyre se nëse një burrë mund ta bëjë këtë, mund ta bëjmë edhe ne’, thotë ajo.
Në bazë të përgjigjeve nga pjesëmarësit për rëndësinë e fuqizimit të gruas në politikë DEMOS merr përgjigje nga ta se duhet të përkrahet më tej gruaja në politikë dhe subjekte politike me qëllim të rritjes së numrit të grave që marrin pjesë aktivisht në jetën publike.
DEMOS, inkurajon fuqishëm përfaqësimin e barabartë gjinor, andaj edhe përdoret si indikator për performancën e komunave.