Qëllimi kryesor i rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) është të gjendet dhe të propozohet rruga e duhur se si të rregullohen parregullsitë e identifikuara gjatë auditimeve. Me pak fjalë, ato rekomandime u tregojnë institucioneve publike të audituara që gjërat duhet të bëhen më mirë.
Adresimi dhe zbatimi i rekomandimeve të dhëna nga ZKA-ja nuk është vetëm detyrim i çdo institucioni publik, por gjithashtu edhe rruga e duhur që ta përmirësojnë performancën e tyre dhe të bëhen më transparente si dhe të arrijnë rezultate më të mira.
Në Kosovë, Zyra Kombëtare e Auditimit kryen çdo vit auditime të rregullsisë të të gjitha organizatave buxhetore që marrin buxhetin e tyre përmes ligjit për buxhetin vjetor. Kjo do të thotë që edhe komunat e Kosovës auditohen çdo vit dhe marrin rekomandime lidhur me atë se ku duhet të përmirësohen.
Në mesin e 30 treguesve të Grantit të Performancës Komunale që matin performancën komunale në fushën e qeverisjes demokratike, menaxhimit komunal dhe ofrimit të shërbimeve, ekziston një tregues i veçantë që duket të jetë më sfiduesi për shumicën e komunave në Kosovë. Niveli i zbatimit të rekomandimeve të auditimit është treguesi që duhet të jetë në krye të listës së prioriteteve të shumicës së komunave në Kosovë.
Pasqyra e performancës së vitit 2017 e të gjitha komunave në këtë tregues zbulon se vetëm 1 nga 38 komunat në Kosovë ka adresuar mbi 50% të rekomandimeve të auditimit. Kjo do të thotë që rreth 97% e komunave nuk kanë adresuar më shumë se 50% të rekomandimeve.
Rezultatet e performancës komunale gjatë vitit 2018 tregojnë se 3 komuna kanë adresuar mbi 50% të rekomandimeve. Kjo shënon një rritje të vogël të performancës në këtë tregues, përderisa vetëm 8% e të gjitha komunave në Kosovë ishin në gjendje të adresojnë më shumë se 50% të rekomandimeve.

“Performanca e ulët e vazhdueshme nga shumica e komunave ishte tregues i qartë për ne se kjo çështje duhet të adresohet përmes trajnimeve”, shpjegon Ilire Daija Buza nga projekti DEMOS.
Granti i Performancës Komunale mat performancën e komunave dhe shpërblen performancën e mirë. Përveç shpërblimit financiar për performancë të mirë, projekti DEMOS gjithashtu ofron kurse trajnimi për treguesit me performancë të ulët në fushën e Grantit të Performancës Komunale (GPK).
Për ta përmirësuar nivelin e zbatimit të rekomandimeve të auditimit dhe rrjedhimisht edhe performancën e përgjithshme të komunave, DEMOS-i ka organizuar një seri kursesh specifike trajnimi në këtë fushë, dedikuar për përfaqësuesit përkatës të komunave.
Sipas Dardan Maliqit nga ekipi i DEMOS-it, me qëllim të adresimit të nevojës reale për trajnime të zyrtarëve komunalë dhe në mënyrë që ata të jenë në gjendje të performojnë mirë në këtë tregues, çdo vit zhvillohet procesi i Vlerësimit të Nevojave të Trajnimit. “Nëpërmjet këtij procesi ne identifikojmë pengesat dhe sfidat me të cilat përballen komunat në përmirësimin e performancës së tyre, dhe vetëm atëherë dizajnojmë kursin e trajnimit që do t’u shërbente atyre më së miri për ta rritur performancën“.
Gjatë vitit të kaluar janë organizuar dhe ofruar 8 trajnime të ndryshme dhe rreth 600 ditë trajnimi për zyrtarët komunalë dhe anëtarët e kuvendeve komunale.
Kurset e trajnimit të ofruara për zyrtarët komunalë në lidhje me rekomandimet e auditimit ishin: si të adresohen dhe të monitorohen rekomandimet e auditimit; menaxhimi i aseteve si dhe planifikimi dhe ekzekutimi i buxhetit. Këto trajnime u janë ofruar rreth 300 zyrtarëve komunalë nga komuna të ndryshme në Kosovë. Sipas Ilire Buza, Menaxhere e Lartë e Intervenimeve në DEMOS, shumica e pjesëmarrësve i konsideruan kurset e trajnimit shumë të dobishme sepse kanë përmirësuar njohuritë dhe aftësitë e tyre në lidhje me zbatimin e rekomandimeve të auditimit. Shumica e pjesëmarrësve kanë identifikuar më shumë se një fushë të ndikuar nga trajnimi.
“Shqyrtuam fusha shumë specifike të auditimit dhe u përpoqëm të jemi sa më praktikë që të jetë e mundur në mënyrë që kur të kthehen në komunat e tyre të mund t’i zbatojnë pothuajse menjëherë njohuritë e fituara“, shpjegon Ilirja.
“Zyrtarët komunalë që morën pjesë në trajnimin tonë marrin me vete të gjitha njohuritë praktike të organizimit të procesit dhe masave të nevojshme për adresimin e rekomandimeve të auditimit, të kuptuarit e gjetjeve dhe rekomandimeve, krijimin e planeve të veprimit për zbatimin dhe monitorimin e rekomandimeve të auditimit dhe në fund të procesit se si të raportohet lidhur me zbatimin“, shton ajo.
Disa komuna e bënë pikërisht këtë. Ata pothuajse menjëherë pas trajnimit vunë në praktikë të gjitha njohuritë dhe praktikat më të mira të fituara gjatë këtyre kurseve të trajnimit. Komuna e Kaçanikut ndërmori një veprim të menjëhershëm. U krijua grupi punues i cili shikoi nga afër se çfarë duhet të bëhet për ta përmirësuar performancën në këtë fushë.
“Ky trajnim doli të jetë shumë i dobishëm dhe produktiv sepse ne ishim në gjendje që njohuritë e fituara t’i zbatonim menjëherë në praktikë. Krijuam grupin punues brenda komunës sonë dhe hartuam një plan veprimi i cili më pas u miratua nga kuvendi”, shpjegon Festim Neziraj, Drejtor i Administratës në komunën e Kaçanikut. “Tani kemi një proces të duhur se si t’i adresojmë rekomandimet e auditimit, dhe jemi të sigurt se do të arrijmë performancë më të mirë”, shton ai me krenari.
Praktika e ngjashme e vënies në zbatim të njohurive të fituara rishtazi dhe të praktikave më të mira ndodhi edhe në komunën e Suharekës.
Sipas Driton Maliqajt, Drejtor i Administratës, çështja kryesore për të qenë të suksesshëm në adresimin e rekomandimeve të ZKA-së është që i gjithë personeli përkatës të jetë i përfshirë gjatë procesit.
“Me vendim të kryetarit të komunës sonë kemi formuar komisionin e veçantë. Drejtorët janë në bordin e komisionit, ne takohemi sapo të marrim raportin për të parë se çfarë duhet të bëhet”, shpjegon ai procesin. “Me rekomandimet dhe gjetjet e komisionit, auditori ynë i brendshëm takohet me ato njësi për të cilat janë dhënë rekomandimet. I gjithë procesi përfundon me raportin“, shton ai.
Dritoni konsideron se kurset e trajnimit të organizuara nga DEMOS-i, veçanërisht ai për menaxhimin e aseteve, ishin shumë të dobishme për komunën e tyre. “Na ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë pasi njohuritë e aplikuara dhe rekomandimet nga ky trajnim na mundësojnë t’i adresojmë më shumë se 90% të rekomandimeve“.
Raportet e auditimit që u jepen komunave çdo vit i mbajnë ato përgjegjëse për menaxhimin e fondeve publike dhe rekomandojnë se çka duhet të bëhet më mirë. Rekomandimet e tyre janë mundësi e shkëlqyer për komunat që ta përmirësojnë menaxhimin financiar dhe kontrollin, duke rritur kështu efikasitetin dhe përfundimisht duke përmirësuar performancën e sektorit publik. Si të tilla, ato luajnë rol kyç në procesin e bërjes së sistemeve dhe proceseve transparente dhe të përgjegjshme.
“Kemi parë që komunat gjithnjë e më shumë janë të përkushtuara të bëjnë përmirësime në menaxhimin e proceseve. Shumë punë është bërë deri tani, por ende duhet të bëhet më shumë në këtë drejtim. Rekomandimet e dhëna nga trajnimet duhet të merren seriozisht pasi që të gjithë jemi duke punuar për të njëjtin qëllim, të arrijmë standarde më të larta në proceset e menaxhimit komunal në interesin më të mirë të qytetarëve“, përfundon Ilirja.
Programi i trajnimit i DEMOS-it synon t’i rrisë kompetencat që lidhen me punën e zyrtarëve komunalë dhe të anëtarëve të kuvendit në qeverisjen demokratike, menaxhimin komunal si dhe në transparencën dhe ofrimin e shërbimeve, me objektivin e përgjithshëm për t’i mbështetur komunat në përmirësimin e performancës në treguesit më numër më të vogël të pikëve në kuadër të Grantit të Performancës Komunale.
DEMOS është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i bashkëfinancuar nga Suedia, Norvegjia dhe i zbatuar nga Helvetas.




