06.04.2020

Nxitja e performancës komunale për ofrim të shërbimeve më të mira

TEKST: Norbert Pijls – 31 mars 2020

“A mjafton e argjendta?”. Ky ishte titulli retorik i një artikulli të shkruar nga kryetari i komunës së Pejës pasi komuna e tij fitoi vendin e dytë në ceremoninë e ndarjes vjetore të Grantit të Performancës Komunale në Kosovë ne vitin 2016. Në këtë artikull, kryetari i komunës ndau mendimet e tij se si të përmirësohet më tej performanca e organizatës së tij. Pas disa viteve, pasi ai vuri në praktikë mendimet e tij: Peja u bë komuna me performancën më të mirë në Kosovë në vitin 2020.

Disa vende në Evropën Juglindore operojnë Skemat e Granteve të Bazuara në Performancë. Pse zhvillohen skema të tilla? Si projektohen? A e përmirësojnë qeverisjen e mirë dhe ofrimin e shërbimeve?

Çka është SGBP-ja?

Skemat e Granteve të Bazuara në Performancë (SGBP-të) përbëhen nga stimuj financiarë që projektohen për t’i nxitur komunat që të performojnë më mirë. Ato matin, renditin dhe shpërblejnë komunat bazuar në performancën e tyre.

Pse duhet të përdorim SGBP-në?

SGBP-ja përdoret fillimisht për ta zhvilluar qeverisjen lokale, sepse joshë garën. Gerhard van ‘t Land, ekspert për skemat e granteve të bazuara në performancë, shpjegon se ‘karota financiare’ është aspekt i rëndësishëm i SGBP-së, por elementi thelbësor është përzgjedhja e treguesve të performancës: “Pjesa më e rëndësishme përfshin treguesit e performancës në bazë të të cilëve qeveritë lokale garojnë për rezultatin më të mirë (dhe rrjedhimisht edhe për një pjesë më të madhe të grantit). Nëse zgjidhen me zgjuarsi, treguesit adresojnë dobësitë kryesore në performancën e qeverisë lokale, dhe duke garuar për një rezultat më të mirë, qeveritë lokale ndryshojnë sjelljen dhe fillojnë të performojnë më mirë në treguesit e përzgjedhur. Është pikërisht gara për një rezultat më të mirë dhe për paratë ajo që drejton procesin. Paratë stimulojnë ndryshimin e sjelljes”.

Sipas van ‘t Land, SGBP-ja është e rëndësishme edhe për qeverinë qendrore, si një mekanizëm për ta drejtuar zhvillimin në qeveritë lokale, veçanërisht në fushën e qeverisjes së mirë që pritet të kontribuojë në ofrimin e shërbimeve më të mira. “Kjo ua mundëson qeverive qendrore ta drejtojnë dhe ta influencojnë sjelljen në qeveritë lokale, duke respektuar autonominë e këtyre të fundit”, shton ai. Qeveritë qendrore duhet vetëm të sigurojnë fondet dhe të vendosin rregullat. Komunat vendosin vetë nëse duan të marrin pjesë në garë.

Për partnerët zhvillimorë ndërkombëtarë, SGBP-ja është interesante sepse inkurajon iniciativën, pronësinë dhe qëndrueshmërinë e zhvillimit.

Si projektohet SGBP-ja?

SGBP-ja shpesh ka kushtet minimale dhe treguesit e performancës.

Kushtet minimale funksionojnë si “roje portash”. Ato përbëhen nga kritere që janë si kusht thelbësor për të marrë pjesë në garë. Granti i Performancës Komunale (GPK) në Kosovë kërkon, për shembull, një raport vjetor mjaftueshëm të mirë të auditimit dhe të paktën 75% të buxhetit të vitit të kaluar të shpenzuar në investime kapitale. Saranda Cana, zyrtare e programit në nivel kombëtar në Zyrën Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, shpjegon pse kushtet minimale janë të rëndësishme për donatorët: “Duam të jemi të sigurt që komunat të cilat marrin fondet tona kanë një menaxhim financiar mjaftueshëm të mirë. Për më tepër, mendojmë se vetëm komunat që kanë shpenzuar pjesën më të madhe të fondeve të tyre meritojnë të marrin fonde shtesë nga donatorët”.

Përzgjedhja dhe përkufizimi i treguesve të performancës është faza më e rëndësishme në projektimin e SGBP-së. Treguesit duhet t’i përmbushin disa kritere. “Nga 115 tregues në Sistemin e Menaxhimit të Performancës të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), ne i kemi përzgjedhur 30 tregues, të grupuar në tri tema kryesore, për GPK-në. Të gjithë treguesit e performancës të përzgjedhur për GPK-në mund të përmbushen nga të gjitha komunat në Kosovë, qofshin të mëdha apo të vogla, të pasura ose të varfra, me kusht që të bëjnë përpjekje për ta arritur këtë”, shpjegon Majlinda Jupolli, zëvendësmenaxhere e DEMOS-it, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) i zbatuar nga Helvetas-i, që operon GPK-në së bashku me MAPL-në në Kosovë.

Përfshirja e donatorëve

Donatorët ndërkombëtarë që bashkëfinancojnë një SGBP shpesh avokojnë për përfshirjen e treguesve specifikë. Nasrin Pourghazian, udhëheqës i Departamentit të Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën e Suedisë në Kosovë, shpjegon se si kjo ndikoi gjatë projektimit të GPK-së: “Një vlerë e rëndësishme suedeze në bashkëpunimin tonë ndërkombëtar është politika jonë e jashtme feministe, e cila pjesërisht është për mbështetjen e emancipimit politik të grave. Kur vendosëm të bashkëfinancojmë GPK-në në Kosovë, donim të përfshinim tregues që matin pjesëmarrjen politike të grave në Kosovë. Ishim shumë të kënaqur që me lehtësi gjetëm gjuhë të përbashkët për këtë temë me donatorët e tjerë dhe me Qeverinë e Kosovës”.

Përfshirja ndërkombëtare në projektimin dhe menaxhimin e një SGBP-je gjithashtu siguron përfituesit që renditja nuk është e politizuar. Këshilltari për Qeverisjen Rajonale për SDC, Sascha Müller, thotë: “SDC njeh rëndësinë e pronësisë lokale, si në aspektin e efektivitetit, ashtu edhe në aspektin e qëndrueshmërisë së sistemeve të tilla. Partnerët qeveritarë njohin levën dhe legjitimitetin që vjen me përfshirjen e një akteri ndërkombëtar dhe të “markës zvicerane” në skemën e granteve. Ky efekt madje mund të rritet kur bashkohen forcat me donatorë të tjerë”.

Kalimi nga një sistem që përfundon në një sistem që vazhdon

Ndërsa vlerësohet pozitivisht përfshirja e partnerëve zhvillimorë ndërkombëtarë, kjo përfshirje vjen edhe me rrezikun që SGBP-ja të pushojë së ekzistuari pasi të përfundojnë fondet e donatorëve. Kjo është një çështje e rëndësishme e qëndrueshmërisë. Kjo është arsyeja pse SGBP-ja shpesh projektohet për t’u bërë pjesë e një sistemi qeveritar. Pasi SGBP-ja të jetë ankoruar sa duhet në një kornizë ligjore dhe të financohet me buxhetin e qeverisë, ajo mund të jetë aktive për disa vjet. Rozafa Ukimeraj, sekretare e përgjithshme e MAPL-së në Kosovë, sqaron: “Në pranverën e vitit 2020 planifikojmë ta mishërojmë GPK-në në një akt nënligjor që përcakton kushtet minimale, treguesit, burimet e informacionit, rregullat e vlerësimit dhe ato për përdorimin e granteve të dhëna. Shumica dërrmuese e buxhetit të MAPL-së për investime kapitale shkon në shportën e donatorëve që tashmë financon GPK-në. Kjo e bën MAPL-në një nga ministritë e pakta në Kosovë që shpenzon investimet e saj kapitale në mënyrë plotësisht transparente, në mënyrë të drejtë dhe duke u bazuar në rregulla. Kjo është duke u vërejtur dhe ministritë e tjera gjithnjë e më shumë janë të interesuara t’i bashkohen GPK-së ose t’i kopjojnë tiparet e projektimit”.

Publikimi i renditjeve

Komunikimi i gjerë i renditjes vjetore është i rëndësishëm për ta rritur ndikimin e garës. Në Kosovë, komunat që performojnë më së miri marrin një grant në një ceremoni kombëtare çmimesh e cila mbulohet gjerësisht nga mediat kombëtare. “Unë mendoj se publikimi i rezultateve të performancës dhe i renditjes së tyre është me rëndësi të madhe politike për kryetarët e komunave, pasi brengat elektorale duket se janë shtytësi më i rëndësishëm për kryetarët e komunave që t’i përmirësojnë rezultatet e tyre të performancës, veçanërisht nëse kjo performancë vlerësohet nga organizata të jashtme, të pavarura dhe të besueshme. Kjo konfirmohet edhe në hulumtimin tonë ku gjetëm dëshmi të bollshme që komunat e suksesshme informojnë në mënyrë aktive publikun e tyre për rezultatet e vlerësimit vjetor të performancës”, shpjegon Levent Koro i cili hulumtoi efektivitetin e grantit të performancës.

A sjellin SGBP-të përmirësime në ofrimin e shërbimeve?

SGBP-të e ndryshme në Evropën Juglindore kanë filluar të tregojnë rezultate tash e disa vite.

Në Kosovë, “Gara për Mjedis të Pastër” dhe pasardhësi i saj “Granti i Performancës-Mjedis i Pastër”, të zbatuar nga GIZ-i dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, u ofruan komunave një stimul financiar për përmirësimin e performancës së tyre në menaxhimin e mbeturinave. Sipas Alexandra Linden, menaxhere e projektit, përmirësimi është veçanërisht i dukshëm në treguesin që mat pjesën e territorit komunal që mbulohet nga një shërbim i rregullt i grumbullimit të mbeturinave. “Rritja e mesatares në nivel vendi në treguesin ‘përqindja e territorit komunal të mbuluar nga një shërbim i rregullt i grumbullimit të mbeturinave” prej vitit 2016 deri në vitin 2018 ishte 20%, duke arritur në 75,6% në vitin 2018″, thotë ajo.

Në Serbi, në kuadër të Programit të SDC-së për Reformën e Tatimit në Pronë të zbatuar nga Helvetas-i, një grant i performancës për arkëtimin e tatimit në pronë kontribuoi në një rritje prej 12% të nivelit të arkëtimit qysh pas vitit të parë. Alexander Grunauer, drejtori i projektit, shpjegon se si janë shpenzuar këto fonde shtesë për përmirësimin e shërbimeve: “Komunat investuan të hyrat e tyre shtesë vetanake në projekte sociale dhe infrastrukturore. Disa prej tyre vendosën të financojnë sheshe lojërash, të tjerat investuan në blerjen e një skaneri me rreze x, në blerjen e një skaneri me ultrazë, ose në rinovimin e një shkolle për fëmijët me aftësi të kufizuara”.

Në Kosovë, GPK-ja shfaqi një rritje të treguesve që matin rolin mbikëqyrës të kuvendit komunal. Janë duke u përmirësuar treguesit sipas të cilëve kuvendit komunal i kërkohet t’i diskutojë raportet, siç janë raportet tremujore të shpenzimeve dhe raportet vjetore të auditimit.

Levent Koro zbuloi se kryetarët e komunave janë agjentë të rëndësishëm të ndryshimit të cilët luajnë rol kritik në ndryshimin e sjelljes së komunave të tyre. “Kryetarët e komunave zakonisht rishikojnë statusin e treguesve, identifikojnë mënyrat në të cilat ata mund t’i përmirësojnë treguesit që kanë mbetur prapa, mobilizojnë personelin e tyre për të vepruar, i mbajnë ata përgjegjës për të arritur performancë të përmirësuar dhe përdorin rezultatet e performancës së përmirësuar për elektoratin e tyre”, thotë ai.

Për shkak se SGBP-të e ndryshme në Evropën Juglindore po tregojnë gjithnjë e më shumë rezultate, ekziston një interes në rritje në mesin e qeverive dhe partnerëve zhvillimorë për të zhvilluar më tej skema të tilla. Për më tepër, ato përshtaten mirë në agjendën e zhvillimit afatgjatë të rajonit, që është aderimi në BE, ku disbursimi i bazuar në rregulla, transparent dhe i drejtë i fondeve publike është temë e rëndësishme.

Ky artikull u shfaq në publikimin e Helvetas Mosaic të muajit mars 2020.

Norbert Pijls është drejtor i Projektit për Decentralizim dhe Përkrahje Komunave në Kosovë (DEMOS) i cili financohet nga Zvicra, Suedia, Norvegjia dhe Qeveria e Kosovës si dhe zbatohet nga Helvetas-i.