Mbështetje për politikat

Ndërhyrjet e DEMOS-it janë projektuar për të përmirësuar sistemin e qeverisjes lokale në Kosovë. Kjo qasje e ashtuquajtur “në-sistem” përmirëson qëndrueshmërinë dhe pronësinë e intervenimeve të projektit.

Në këtë aspekt, DEMOS-i ofron asistencë teknike për autoritetet qendrore dhe lokale, duke synuar që të përmirësojë kornizën e politikave në mënyrë që të jetë më e favorshme për qeverisjen e decentralizuar. Kjo përfshin adresimin e sfidave që rrjedhin nga ligjet sistemore për qeverisjen lokale dhe ato në kornizën ligjore që lidhen me fushat tematike të DEMOS-it. Poashtu, do të kryhet një studim për të shqyrtuar mundësitë për një sistem të zhvillimit të kapaciteteve në pushtetin lokal në Kosovë.

Asistenca orientohet në rezultate si dhe është pragmatike dhe fleksibile për t’iu përgjigjur kërkesave specifike të partnerëve. Megjithatë, asistenca nxitet edhe nga vlerësimi i vazhdueshëm i politikave dhe nevojave të qeverisjes lokale. DEMOS-i do t`i koordinojë ndërhyrjet e veta me Asociacionin e Komunave të Kosovës për të siguruar projektimin e kornizës së politikave sipas nevojave dhe kapaciteteve të pushtetit lokal.

Duke qenë i fokusuar në avancimin e sistemeve ekzistuese, DEMOS-i punon me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për të përmirësuar sistemin për menaxhimin e përformancës komunale, në bazë të të cilit DEMOS-i i ndan grante për komunat partnere. Kjo përfshin verifikimin e të dhënave bazë, vlerësimin e vazhdueshëm të cilësisë dhe besueshmërisë së të dhënave, rishikimin e nevojshëm të treguesve dhe digjitalizimin e sistemit.