31.08.2018

Projekti zviceran kontribuon në sigurinë e këmbësorëve në kryeqytetin e Kosovës

Mungesa e semaforëve dhe shenjave të trafikut, së bashku me pakujdesinë e shoferëve e kanë shëndërruar rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë në një nga rrugët me numrin më të lartë të aksidenteve ku përfshihen edhe këmbësorët.

Sipas Gent Begollit, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, kjo çështje e cila është një shqetësim i madh si për banorët ashtu edhe për komunën, së fundmi është adresuar më mbështetjen e projektit DEMOS.

Komuna e Prishtinës me mbështetjen e projektit DEMOS ka intervenuar në vendkalimet më të rrezikshme të këmbësorëve në kryeqytetin e Kosovës duke vendosur semaforë dhe shenja të trafikut, të cilat kanë rezultuar me një zvogëlim të konsiderueshëm në numrin e aksidenteve në këto rrugë.

Këto intervenime rezultojnë nga një analizë e detajuar e situatës në zonat ku synohet përmirësimi i sigurisë për fëmijët e shkollave dhe këmbësorët e tjerë. Ato janë pjesë e Planit për Siguri në Rrugë në qytetin e Prishtinës, që është duke u zhvilluar me mbështetjen e projektit DEMOS.

“Ky projekt ka qenë një nga projektet më të dobishme për komunën, për shkak se nuk kemi pasur asnjë lloj aksidenti që nga instalimi i semaforëve dhe shenjave të trafikut. Para këtij projekti, sidomos gjatë orëve të natës ka pasur shumë aksidente, ku njerëzit goditeshin nga makinat për shkak se vendkalimet e këmbësorëve nuk ishin të dukshme, apo vozitësit po vozisnin shumë shpejt”, tha Begolli.

Fillimisht projekti është implementuar në 13 lokacione në Prishtinë. Duke marrë parasysh përmirësimin e dukshëm në sigurinë në komunikacion, komuna ka filluar procedurat për intervenimin në një sërë vendkalimesh të këmbësorëve ku duhet urgjentisht të vendosen semaforët. “Ky është një nga projektet që është vlerësuar më së shumti nga qytetarët, për shkak se që nga instalimi i semaforëve nuk është aksidentuar asnjë këmbësorë”, deklaroi Begolli.

Një tjetër investim përfitues që ka lehtësuar jetën e qytetarëve është edhe vendosja e semaforëve në qendrën e qytetit të Lipjanit. Sipas Valzim Mziut, nga Departamenti i Shërbimeve Publike në Lipjan, qyteti ishte shumë i ngarkuar sepse trafiku nuk orientohej si duhet.

“Pas vendosjes të semaforëve, kemi arritur të shmangim trafikun rreth qytetit, në mënyrë që këmbësorët të mund të lëvizin sigurt dhe shpejt”, deklaroi Mziu.

Me qëllim të përmirësimit të mobilitetit urban, projekti DEMOS ka mbështetur 12 komuna partnere në Kosovë sa i përket planifikimit të mobilitetit i cili deri më tash ka ndikuar në përmirësimin e konsiderueshëm të jetës së qytetarëve.

Në kontekstin e përmirësimit të mobilitetit, Komuna e Vitisë gjithashtu ka përfituar nga projekti për ndërtimin e platformave të pjerrëta për personat me aftësi të kufizuara

Sipas Hasan Aliut, zëvendës kryetar i Komunës së Vitisë, projekti DEMOS ka kontribuar me iniciativën dhe mbështetjen financiare në ndërtimin e 4 këndeve dhe 8 platformave të reja më qëllim të lehtësimit të mobilitetit për personave me aftësi të kufizuara “Ky investim nuk ishte i mirëseardhur vetëm për njerëzit me aftësi të kufizuara, por gjithashtu edhe për të moshuarit dhe nënat me fëmijë në karrocë të fëmijëve”, tha Aliu.