14.11.2019

Pse është i rëndësishëm për komunat menaxhimi i duhur i pasurive?

Menaxhimi i pasurive është një proces për monitorimin, përdorimin, mirëmbajtjen, rinovimin dhe shitjen e pasurive në një mënyrë me kosto efektive, duke siguruar mbajtjen e nivelit të dëshiruar të shërbimeve publike.

Menaxhimi i duhur i pasurive mund t’i përmirësojë proceset e vendimmarrjes duke sjellë një shtresë shtesë të përgjegjshmërisë dhe transparencës.

 Përfundoi trajnimi për menaxhimin e pasurive komunale

Projekti DEMOS përfundoi trajnimin për menaxhimin e pasurive komunale. Ky trajnim i veçantë trajton performancën e komunave në këtë fushë, duke synuar zgjerimin e njohurive dhe zhvillimin e aftësive të pjesëmarrësve në mënyrë që ata t’i menaxhojnë më mirë pasuritë në komunat e tyre.

I realizuar bashkërisht nga ekspertë dhe stafi i DEMOS-it, trajnimi u përqendrua në pikën hyrëse për t’i trajtuar sfidat dhe pengesat ndaj performancës komunale në këtë fushë.

“Përmes fokus grupeve me komunat, ne u përpoqëm t’i kuptonim çështjet më të ngutshme në fushën e menaxhimit të pasurive dhe vetëm atëherë projektuam trajnimin për t’i trajtuar ato çështje”, shpjegon Ilire Daija Buza nga projekti DEMOS.

Trajnimi për menaxhimin e pasurive komunale u realizua për rreth 90 zyrtarë komunalë të komunave të Kosovës.

“Kemi realizuar një seri trajnimesh dyditore për zyrtarët përkatës komunalë. Gjatë dy muajve të fundit kemi arritur t’i mbledhim në një vend zyrtarët përkatës komunalë nga komuna të ndryshme, duke ua ofruar atyre mundësinë që të shkëmbejnë përvoja dhe të identifikojnë mekanizma të dobishëm në mënyrë që ta rrisin performancën e tyre në këtë fushë”, vazhdon Ilirja.

Sipas Dardan Maliqit nga projekti DEMOS, trajnimi është shumë praktik dhe është projektuar në atë mënyrë që komunat të mund të përfitojnë drejtpërdrejt, “duke i zgjeruar njohuritë e zyrtarëve komunalë për t’i monitoruar, mirëmbajtur, shpërndarë dhe menaxhuar pasuritë në mënyrë efikase dhe efektive, gjë që do ta rrisë nivelin e shërbimeve në komunë”.

Sipas Driton Maliqajt, drejtor i Administratës në komunën e Suharekës, të gjitha komunat në Kosovë kanë probleme me menaxhimin e pasurive komunale, siç reflektohet në Raportet Kombëtare të Auditimit. “Trajnimi i realizuar nga DEMOS-i ka qenë jashtëzakonisht i frytshëm dhe na ka bërë edhe më të përkushtuar në mënyrë që të përkthehet në një performancë më të mirë komunale”, thotë ai.

Programi i trajnimit nga DEMOS-i synon t’i rrisë kompetencat që lidhen me punën e zyrtarëve komunalë në qeverisjen demokratike, menaxhimin komunal si dhe në transparencë dhe integritet.

Qëllimi i përgjithshëm i këtij programi është t’i mbështesë komunat për ta përmirësuar performancën në treguesit ku kanë treguar performancë më të dobët në kuadër të Grantit të Performancës.

DEMOS-i është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i bashkëfinancuar nga Suedia dhe i zbatuar nga Helvetas-i.