16.04.2019

Pjesëmarrja dhe përfaqësimi i grave në nivel lokal – Programi i trajnimit për komunat në Kosovë

Përfshirja e qytetarëve në proceset e vendimmarrjes, barazia gjinore, gratë të emëruara në pozita politike, transparenca dhe integriteti janë disa nga temat në të cilat zyrtarët komunalë në Kosovë do të trajnohen për të përmirësuar performancën e tyre në treguesit e përzgjedhur të grantit të performancës.

Projekti DEMOS përkrah komunat në Kosovë drejt një qeverisje lokale më demokratike dhe menaxhim më të mirë komunal duke përdorur grantin e performancës si mjetin e tij kryesor. Përveç grantit të performancës, DEMOS ofron trajnim për zyrtarët komunalë që i fuqizon ata për të arritur rezultate më të mira.

Javën e kaluar, projekti DEMOS mblodhi së bashku grupin e parë të zyrtarëve përkatës komunalë nga komuna të ndryshme të Kosovës për një trajnim dyditor, “Rritja e pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të grave në nivel lokal”.

Gjatë muajve në vijim, ky kurs i veçantë trajnimi do të ofrohet për rreth 250 zyrtarë komunalë të të gjitha komunave në Kosovë.

Kryetari i Kuvendit Komunal të Obiliqit, Burim Gërguri, e sheh këtë trajnim si të rëndësishëm dhe praktik. “Trajnimet e organizuara nga projekti DEMOS janë të nevojshme dhe gjithmonë të mirëpritura nga komunat. Ky trajnim specifik ua mundësoi zyrtarëve komunalë t’i shkëmbejnë përvojat me komunat tjera rreth praktikave të ndryshme që lidhen me përfshirjen, barazinë gjinore, debatet publike dhe proceset e vendimmarrjes. Informatat dhe aftësitë e fituara gjatë këtij trajnimi dyditor janë diçka që unë mund ta vë në praktikë gjatë punës sime”, shpjegon z. Gërguri.

Ndërkohë, zyrtarja e lartë për Marrëdhënie me Publikun, Bukurije Zejnullahu – Jashari, nga komuna e Lipjanit theksoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave mes komunave në Kosovë. “Ushtrimet në grup ishin mundësi e mirë për të gjithë ne që të dëgjojmë dhe mësojmë nga njëri-tjetri rreth aktiviteteve të ndryshme gjithëpërfshirëse se si të rritet pjesëmarrja e grave në procesin e vendimmarrjes”.

Programi i trajnimit të DEMOS-it ka për qëllim rritjen e kompetencave të punës të zyrtarëve komunalë në qeverisjen demokratike, menaxhimin komunal si dhe në transparencë dhe integritet.

Objektivi i përgjithshëm i këtij programi është që t’i mbështesë komunat për të përmirësuar performancën në treguesit e grantit të cilët kanë shënuar performancë më të ulët.

DEMOS është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i bashkëfinancuar nga Suedia dhe i zbatuar nga Helvetas.