17.05.2019

Përmbyllet seria e trajnimeve për pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në nivel lokal

Gjatë kësaj jave, projekti DEMOS përmbylli kursin e tij të trajnimit mbi pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në nivel lokal. Ky kurs i veçantë i trajnimeve trajton performancën e komunave në fushën e gjithëpërfshirjes, duke u përqendruar në pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në nivel lokal.

Ky trajnim u ofrua në bashkëpunim mes ekspertëve dhe stafit të DEMOS-it si dhe u përqendrua në pikat fillestare për adresimin e sfidave dhe pengesave të performancës komunale në këtë drejtim.

“Përmes fokus grupeve me komunat jemi munduar të identifikojmë çështjet  më urgjente në fushën e gjithëpërfshirjes dhe më pas kemi hartuar kursin e trajnimeve për adresimin e atyre çështjeve”, shpjegon Fatime Rrahmani nga projekti DEMOS.

Kursi i trajnimeve për pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në nivel lokal u është ofruar rreth 250 zyrtarëve në komunat e Kosovës.

“Ne kemi ofruar një seri të kurseve dy-ditore për zyrtarët përkatës komunal. Në këto dy muajt e fundit kemi arritur të mbledhim zyrtarët përkatës komunal nga komuna të ndryshme duke u dhënë atyre mundësinë që të shkëmbejnë përvojat dhe të identifikojnë mekanizma të dobishëm drejt rritjes së pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të grave në kuadër të komunave të tyre” shpjegon Merita Barileva nga ekipi i DEMOS.

Përmes sesioneve të ndryshme të punës në grupe, kuizeve dhe ligjëratave interaktive, pjesëmarrësit kishin mundësin të punojnë në identifikimin e intervenimeve si dhe të nxjerrin rekomandime për mënyrën e rritjes së pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të grave në nivel lokal.

Në këtë trajnim e pranishme ishte edhe Znj. Sadije Jakupi, asambleiste dhe Kryesuese e grupit jo-formal të grave në Komunën e Prizrenit. Ajo konsideroi se trajnimi është shumë i dobishëm meqenëse i ndihmon stafit civil dhe politik të komunave që të përmirësojnë performancën e tyre.

“Trajnimi është shumë i qëlluar, sepse na ndihmon të gjithëve që të kuptojnë se ku qëndrojmë dhe se çka mungon sa i përket performancës në komunat e tona. Nga 13 drejtorit, vetëm njëra udhëhiqet nga gratë. Ky numër nuk duket i mirë për legjislativin, duke marrë parasysh që kemi gra shumë të afta në të gjitha fushat” shpjegon Znj. Jakupi. “Grupi jo-formal i grave në Prizren është funksional dhe aktiv, në përputhje me planin e tij të punës, si dhe ka bashkëpunim të jashtëzakonshëm me nivelin qendror” shtoi Znj. Sadije Jakupi.

Ndërsa, Znj. Habibe Bytyqi, Zyrtare për Barazi Gjinore në Komunën e Suharekës, vuri në pah rendësin e këtyre trajnimeve, sidomos sa i përket përmirësimit të performancës për Grantin e Bazuar në Performancë.  “Ky trajnim do t`i ndihmoj komunës sonë që të rris performancën në këta dy indikator” tha Znj. Bytyqi.

Programi i trajnimit të DEMOS synon të rrisë kompetencat e ndërlidhura me punën të zyrtarëve komunal në fushën e qeverisjes demokratike, menaxhimit komunal si dhe transparencës dhe integritetit.

Objektivi i përgjithshëm i këtij programi është të përkrah komunat drejt përmirësimit të performancës në indikatorët me rezultate të dobëta.

DEMOS është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), që bashkë-financohet nga Suedia si dhe implementohet nga Helvetas