13.09.2018

Përmirësimi i institucioneve kosovare përmes një Skeme të granteve të bazuara në performancë

NGA: ZENEBE B. URAGUCHI, NORBERT PIJLS, ERTAN MUNOGLU – 01 maj 2018

Kosova përballet me sfida sa i përket një qeverisjeje të mirë dhe ofrimit të shërbimeve cilësore. Një nga problemet është performanca jo adekuate e administratës, që është shkaktuar kryesisht nga problemet e. Projektet që ofrojnë mbështetje për zhvillimin e kapaciteteve rrallë fokusohen tek aspektet e ekonomisë politike. Projekti për Decentralizim dhe Përkrahje Komunave (DEMOS) kërkon që ky fokus të ndryshohet.

Ky postim blogu dokumenton mënyrën se si DEMOS-i i adreson sfidat me të cilat ballafaqohen institucionet kosovare, me anë të një Skeme të granteve të bazuara në performancë (SGBP) e cila plotësohet me ndërhyrjet e ndihmës teknike të bazuar në kërkesa. SGBP-ja funksionon që nga viti 2015. Si vizioni afatgjatë është bashkimi i financimeve të tjera nga donatorët dhe ministritë e linjës në SGBP, si pjesë e sistemit ndërqeveritar të transferimit, me anë të të cilit granti i përgjithshëm i komunave plotësohet me një grant të performancës.

Mënyra se si funksionon Skema e granteve të bazuara në performancë

Logjika e SGBP-së është të ndikojë në rëndësinë e ekonomisë politike të ekzekutivit komunal, duke stimuluar performancën e komunave në fushat e qeverisjes demokratike lokale dhe menaxhimin e mirë komunal. Fokusi nuk është tek skema, por tek mënyra se si skema mundëson një performancë më të mirë në planet e shërbimit publik. Kjo tregon qartë se stimujt dhe kapacitetet e duhura janë gjërat thelbësore për të pasur shërbime publike më efikase dhe më gjithëpërfshirëse.

Pika fillestare ishte kryerja e disa analizave të mira, duke përdorur mjete dhe burime të ndryshme në vlerësimin e performancës së komunave. Në mesin e komunave që kualifikohen, grant më të lartë do të merrnin komunat të cilat tregojnë performancë më të mirë, ndërsa ato të cilat tregojnë performancë më të dobët do të merrnin një grant më të ulët. Të gjitha palët u pajtuan me këtë qasje, sepse SGBP-ja u projektua të ishte një zgjidhje në të cilën të gjithë janë fitues – një komunë mund të ketë buxhet më të lartë duke rritur të ardhurat vetanake (performanca e përmirësuar me stimulim) dhe duke rritur buxhetin e investimeve kapitale me anë të një granti të bazuar në performancën e saj.

Buxhetet kapitale do të duhej të investoheshin në shërbime të prekshme për qytetarët. Për shkak të ofrimit të shërbimeve më të mira, qytetarët e kënaqur do të ishin të gatshëm të paguajnë më shumë taksa. Kjo gjë shpien tek rritja e të ardhurave për komunën. Nga perspektiva e ekonomisë politike, është një matematikë e thjeshtë: me pak përpjekje shtesë, komuna përfiton më shumë fonde që çojnë në rritjen e investimeve dhe në shërbime më kualitative, të cilat supozohet t’i bëjnë qytetarët më të lumtur dhe të votojnë për një mandat tjetër të udhëheqjes aktuale të qeverisjes lokale.

SGBP-ja mbështetet tek burimet e të dhënave të sistemit: të dhënat administrative të qeverive lokale, të publikuara në një raport vjetor të Sistemit për menaxhimin e performancës (SMP) nga Ministria e administrimit të pushtetit lokal; të dhënat financiare të Ministrisë së financave si dhe të Zyrës kombëtare të auditimit. Për të përmirësuar besueshmërinë e të dhënave administrative, DEMOS-i mbështeti rishikimin e SMP-së duke ristrukturuar të gjithë zinxhirin e proceseve të kontrollit të cilësisë. Qeveritë lokale nuk i zbatojnë gjithmonë dhe në mënyrë të plotë udhëzimet për zbatimin e SMP-së së rishikuar. Për këtë arsye, besueshmëria e të dhënave konsiderohej si problem, edhe pse cilësia e të dhënave nuk e ka cenuar kredibilitetin e SGBP-së. Funksioni i auditimit të jashtëm, i bashkangjitur me SMP-në, pritet që të ofrojë siguri të nevojshme.

Çfarë ka arritur skema?

Deri më tani, rezultatet tregojnë që SGBP-ja ka nxitur një ndjenjë konkurrence ndërmjet komunave dhe ka iniciuar më shumë interesim dhe veprim të tyre. Dy nga shtatëmbëdhjetë komunat partnere të projektit, nuk kanë arritur asnjëherë të kualifikohen për një grant. Pesëmbëdhjetë komunat tjera të kualifikuara kanë përmirësuar performancën e tyre mesatare nga 31% që ishte në vitin 2014, në 40% në vitin 2017. Gjatë kësaj periudhe, tri nga komunat kanë dyfishuar ose më shumë se dyfishuar performancën e tyre, kurse të tjerat kanë bërë përmirësime të konsiderueshme. Megjithatë, performanca e disa komunave ka pësuar një rënie të vogël.

Asistenca teknika i ka mundësuar komunave të planifikojnë dhe të ofrojnë në mënyrë më të mirë shërbimet në fushat e hapësirës publike, mobilitetit dhe menaxhimit të mbeturinave. Planet e shërbimit publik u hartuan në një mënyrë inovative për komunat partnere dhe ndonjëherë vlerësoheshin më shumë se grantet. Planet u buxhetuan dhe filluan të zbatohen tek një numër i madh i partnerëve: shërbimet u prokuruan sipas atyre planeve, u krijuan strukturat për ofrimin e shërbimeve, u miratuan rregulloret, etj.

Komunat kanë përdorur grantet e bazuara në performancë për të investuar në më shumë se 200 lokacione të ndryshme, duke targetuar nevojat specifike të komuniteteve të tyre. Infrastruktura afër shkollave ofron siguri më të lartë për fëmijët; ka më shumë zona të gjelbra dhe të rregulluara më mirë në qendrat urbane; janë rregulluar hapësirat publike për personat me aftësi të kufizuara dhe mirëmbahen më mirë; komunat kanë planifikuar dhe ndërtuar më shumë shtigje për këmbësorë dhe korsi për biçikleta etj. Të gjitha këto ndryshime të dukshme kanë potencial të motivojnë zyrtarët publikë të bëjnë më shumë përpjekje në procese të tilla.

Jo të gjitha ndryshimet pozitive kanë ardhur shkaku i Skemës së granteve të bazuara në performancë.

A është e besueshme t’i atribuohen të gjitha ndryshimet pozitive SGBP-së? Për fat të keq jo. Jo ende! Kryetarët e komunave, sidomos të atyre me performancë më të mirë, e cilësuan SGBP-në si mjet të rëndësishëm promovues gjatë zgjedhjeve lokale në tetorin e kaluar. Megjithatë, zgjedhjet shfaqën rezultate interesante. Disa nga komunat të cilat kishin performancë të mirë nuk e zgjodhën përsëri udhëheqësinë e njëjtë, kurse disa i zgjedhën të njëjtit pavarësisht rezultateve të tyre të dobëta në SGBP. Kjo dëshmon se grantet e performancës duhet të trajtohen me maturi, sepse është një instrument i vetëm që përmban shumë supozime dhe rreziqe, që vepron në një mjedis socio-politik shumë kompleks dhe të ndjeshëm.

Iniciativa nga DEMOS ka synuar disa komuna. Një pyetje e rëndësishme që duhet të bëjmë është: si mundet stimuli i krijuar përmes SGBP-së, të stimulojë interesat politike të autoriteteve dhe të jetë shtytës i rëndësishëm i sjelljes së tyre? Përderisa SGBP-ja duket të jetë funksional, ende nuk ka dëshmi të mjaftueshme për të konkluduar që ka iniciuar ndikim të qartë!

Deri më tani kemi mësuar se stimujt e tjerë financiarë dha politikë janë shumë më të fuqishme se ata të SGBP-së. Me fjalë të tjera, leverazhi i granteve të performancës nuk është mjaftueshëm i madh. Derisa SGBP-ja është rreth 1 milion franga zvicerane në vit, një studim i ministrisë tregon se ministritë e linjës investojnë çdo vit mbi 50 milionë euro në komuna, kryesisht sipas përkatësisë partiake.

Bazuar në mësimet e fituara, në vitin 2017, DEMOS-i arriti një marrëveshje me Ministrinë e administrimit të pushtetit lokal për të bashkë-financuar SGBP-në, për të dyfishuar buxhetin vjetor për SGBP-në dhe të shtirje mbulueshmërinë në të gjitha 38 komunat në Kosovë. Kjo synon të sigurojë qëndrueshmërinë – d.m.th pronësinë institucionale të skemës nga akterët lokalë. Konkretisht, kjo do të thotë se përgjegjësitë për menaxhimin dhe administrimin e SGBP-së po transferohen gradualisht nga ekipi i DEMOS-it tek Ministria e administrimit të pushtetit lokal. Ky cilësohet si një hap i mirë fillestar; megjithatë, leverazhi i grantit të performancës është ende i ulët. Projekti duhet të mbështetet më shumë tek potenciali i marrëdhënieve publike të SGBP-së, i cili duket se ka rëndësi për autoritetet lokale aq sa grantet e performancës

. SGBP-ja fitoi vëmendje të lartë brenda Kosovës por edhe më gjerë. Disa donatorë dhe ministri të linjës kanë parë potencialin e SGBP-së dhe shprehën interes për t’u bashkuar, por proceset burokratike e bëjnë këtë shumë të vështirë të materializohet. Projekti do të përpiqet ta bëjë këtë realitet për tri deri katër vjet, duke bartur ngadalë, më shumë përgjegjësi qeverisë së Kosovës për menaxhimin e SGBP-së.